Nga Namir Lapardhaja
(Një sugjerim miqësor dhe qytetar)
Skena e një dite më parë, ku dy drejtues partish të reja së bashku me mbështetësit e tyre u konfliktuan mes veti, ishin të shëmtuara. Përherë që ka konflikte të tilla, pavarësisht nismëtarit, të dyja palët janë fajtore përderisa nuk e zgjidhën, por e shfaqën.
Për mua, që vazhdimisht kam bërë thirrje për mbështetje dhe bashkim të partive të reja në një front të përbashkët kundër Ramës, Berishës dhe Metës, shfaqja e djeshme ishte trishtuese, sepse papjekuria në akte të vogla nuk paralajmëron sjellje të një natyre ndryshe në përgjegjësi të mëdha. (Qofsha i gabuar!)
Do sugjeroja që drejtuesit e grupimeve të reja të ngrihen përmbi egon personale, të tregohen më pak delirant dhe më shumë me këmbë në tokë, duke shfaqur pjekuri dhe maturi, që të marrin vendimet e duhura në kohën e duhur, sepse më vonë do të jetë shumë vonë.
Politika në Shqipëri është një ndërmarrje e vështirë dhe një sport i rëndë, i cili nuk ka asgjë të përbashkët me performancën në televizor apo shikueshmërinë në rrjetet sociale, nuk varet se sa djalë i mirë je, se sa komente dhe përshëndetje të japin njerëzit në rrugë, se sa ke lexuar apo për sa të ndershëm e të ditur e njeh veten.
Politika është një terren thellësisht i polarizuar, e lidhura me interesa dhe fije të paimagjinueshme, ku njerëzit të votojnë më së shumti për interesa të ngushta personale dhe të tjerë nuk të votojnë pse kanë dëgjuar te kafeneja e fshatit se do të votojë komshiu i tyre me të cilin ata janë prishur për kanalin e vaditjes së ujit, dhe vetëm kur sheh në fund kutitë e votimit, e kupton se sa i gënjeshtërt ka qenë ai realitet virtual, tek i cili ke besuar.
Drejtuesit e partive të reja duhet të kuptojnë se sa më shumë do të afrohet data e zgjedhjeve, aq më shumë do të polarizohet debati politik në Shqipëri, gjë që do t’i nxjerr ata në periferi të diskursit dhe të vëmendjes, ndaj ata duhet t’i lënë ankesat, të tregohen më të vetëpërmbajtur dhe të reflektojnë, duke e kuptuar se i vetmi shans për t’u faktorizuar është krijimi i një poli të përbashkët me të gjithë faktorët e tjerë përtej treshes së tranzicionit, çka do t’u ofronte besim, siguri dhe shpresë njerëzve.
Nëse e kanë seriozisht këtë rrugë që kanë nisur, ndërsa nëse duan thjesht të marrin nga një mandat deputeti dhe të japin shfaqje që edhe për nga performanca janë më të dobëta krahasur me ato të politikës së vjetër, këtë edhe mund ta arrijnë, por nuk do t’i hyjë askujt në punë. Do jenë thjesht një përsëritje e zbehtë e së shkuarës dhe do të treten në detin e kotësisë dhe të harresës.