BallinaTe tjeraDëshmia në hetuesi e ish-ministrit të Brendshëm: Në shtëpinë e Mehmet Shehut...

Dëshmia në hetuesi e ish-ministrit të Brendshëm: Në shtëpinë e Mehmet Shehut në Durrës laheshin në pishinë Ismail Kadare dhe…

spot_img

Nga Dashnor Kaloçi/ Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!

Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota.

Në dosjen në fjalë, gjenden të plota dhe me faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi.

Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë të plota, së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.

Por, edhe pse kemi të bëjmë vetëm me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur tashmë se si ka funksionuar ai sistem i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga personat që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga hetuesit e kësaj çështje, është bërë e ditur se; ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.

Madje për disa prej të pandehurve të këtij procesi hetimor, konkretisht në rastin e Fiqret Shehut, pyetjet janë hartuar nga vetë Enver Hoxha personalisht (me shkrimin e tij), dhe u janë dërguar hetuesve, nëpërmjet ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai, gjë të cilat Memorie.al., i ka bërë publike (me faksimilet përkatëse), në disa shkrime në numrat e kaluar.

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË FEÇOR SHEHUT, ISH-MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME, NGA ANA E HETUESVE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, RAQI IFTICA DHE PELIVAN LUÇI

                                                              P R O Ç E S – V E R B A L

                                                            (I pyetjes së dëshmitarit)

Tiranë, më datën 7 maj, 1982.

Ne, hetuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Raqi Iftica dhe Pelivan Luçi, rimorëm në pyetje të pandehurin Feçor Shehu:

Pyetje: Je pyetur për takimin që ke bërë me armikun Mehmet Shehu, dy ditë para se ai të vriste veten, a keni përgjigje tjetër, përveç asaj që ke thënë në procesin e datës 4.5.1982?

Përgjigje: Në shtëpinë e tij asnjëherë nuk jam takuar me Mehmet Shehun, me kërkesën time, veç kur ai ka dhënë urdhër për t’i vajtur, pasi siç dihet, një kohë ai punonte në shtëpinë e tij, veç zyrës. Pra unë kam vajtur në shtëpi, veç ato raste që kam shpjeguar në proceset e para dhe vazhdimisht me kërkesën e tij. Rasti i fundit ka qenë thirrja prej tij, për kthimin e Gani Kodrës dhe Skënder Shehut nga Suedia, sipas porosisë që kishte marrë, për të cilin unë kisha dijeni nga sekretari i Komitetit Qendror të Partisë. Këtë e mbaj mënd shumë mirë, pasi ka të bëje me episodin që ju thashë më sipër, për të cilin informova dhe sekretarin e Komitetit Qendror të Partisë.

Data ekzakte nuk më kujtohet, prandaj ju luta hetuesisë, që këtë datë ta fiksojë nëpërmjet letrave që Mehmet Shehu, u ka dërguar veç të tjerëve dhe Gani Kodrës, për t’u kthyer në Shqipëri, për arsye se kur u ngarkua nga ministria, sekretari i Komitetit të Partisë së Ministrisë dhe drejtori i Zbulimit, për të hetuar përgjegjësitë e Gani Kodrës, lidhur me shkeljet që ai kishte bërë me Skënder Shehun, me sa më kujtohet, në atë relacion dilte dhe letra që Gani Kodra, kishte marrë nga Mehmet Shehu. Mundësisht ky relacion, të administrohet në dosjen hetimore!

Pyetje: Hetuesi ka vërtetuar se ti i pandehur, më datën 16 dhjetor 1981, në orët e mbrëmjes, ke shkuar dhe je takuar me Mehmet Shehun, në shtëpinë e tij? Çfarë ke për të thënë?

Përgjigje: Nuk është e vërtetë kategorikisht, që të kem shkuar dhe takuar Mehmet Shehun në shtëpinë e tij, mbas takimit që dhashë shpjegime më lart. Për këtë datë, mund të pyetet edhe shoqëruesi im!

Pyetje: Kujtohu se çfarë lëvizjesh ke bërë më datën 16 dhjetor 1981 dhe kë ke pasur me vete?

Përgjigje: Unë, vetëm nuk kam lëvizur kurrë. Gjatë kohës që kam qenë në postin e ministrit, vetëm, pa lënë adresën tek operative dhe pa shoqërues, nuk kam lëvizur. Jo vetëm data që më bëhet pyetje, por asnjë datë tjetër, nuk më kujtohet që të kronometroj lëvizjet e mija, për arsye se një detyrë të tillë, as që ja kam vënë ndonjëherë vetes. Rregull i përgjithshëm i jetës sime, ka qenë; zyrë, shtëpi. E përsëris se çdo lëvizje, e kam të evidencuar tek operativi.

Proces-verbalin mbasi e lexova dhe thëniet e mija pasi janë pasqyruar drejt, e firmos.

I pandehur                                                                                      H e t u e s a t

Feçor Shehu                                                                          Raqi Iftica   Pelivan Luçi

                                                      P R O Ç E S – V E R B A L

                                                     (I pyetjes së dëshmitarit)

Tiranë, më 14 maj 1982

Ne, hetuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Raqi Iftica dhe Pelivan Luçi, rimorëm në pyetje të pandehurin Feçor Shehu:

Pyetje: A njiheni ne Ali Çenon, ish-përgjegjësi i grupit të shoqërimit të Mehmet Shehut dhe çfarë marrëdhëniesh keni pasur me të?

Përgjigje: Ali Çenon, e njoh si përgjegjës të grupit të dytë dhe gjatë kohës që isha ministër, e kam thirrur dhe i kam kërkuar llogari në një rast, mbasi ishte futur në veprime të parregullta me Gani Kodrën. Për arsye se me emrin e Ali Çenos, Gani Kodra kishte kaluar një motoçikletë në doganë, kur në fakt, motori ishte i këtij të fundit dhe jo i Aliut! Rast tjetër, e kam kritikuar, se ai e kishte shumë të zhvilluar tendencën e kërkesës së materialeve, që në fakt nuk i takonin! Kështu, disa herë kapi drejtorin e Drejtorisë së Dytë dhe i kërkoi një motoçikletë, gjoja për të siguruar djemtë e Mehmet Shehut, konkretisht Skënderin, që ishte i pajisur me motoçikletë!

Të njëjtën kërkesë më bëri dhe mua, të cilën, jo vetëm që nuk ja plotësova, por i thashë se nuk lejohet. Nga fundi e kam kritikuar, për mos informimin, kur në shtëpinë e Mehmet Shehut dhe konkretisht në pishinë në Durrës, nëpërmjet Bashkim Shehut, ishte futur Ismail Kadareja me të shoqen dhe lahej! Për këtë rast e kritikova, se Aliu duhet të na sinjalizonte. I kam thënë dhe për Rikard Ljarjen, se shkonte në shtëpinë e Mehmet Shehut, se duhet të na njoftonte, por Aliu më tha se nuk e njihte Rikardin!

Pyetje: Ju njohim me proces-dëshminë e tij të datës 5.4.1982, ku vërtetohet se ju, në mbrëmjen e datës 16 dhjetor 1981, keni shkuar dhe jeni takuar me Mehmet Shehun, në shtëpinë e tij!

Përgjigje: Proces-dëshminë e Ali Çenos dhe shpjegimet e dhëna nga ai në procesin e datës 5.4.1982, i lexova vetë dhe kam për të thënë se: Ali Çenua në këtë proces, e ngatërron datën për arsye se që nga data 16 dhjetor 1981, e deri më 5.4.1982, janë 20 muaj që kanë kaluar. Kështu që ai, këtë datë e ngatërron me datën kur me kërkesën e Mehmet Shehut, unë kam shkuar në shtëpinë e Mehmetit, për kthimin e Gani Kodrës dhe të Skënder Shehut nga Suedia në Shqipëri; dhe deri në dhomën e punës, më ka shoqëruar një oficer i grupit të dytë, i cili në momentin para se të futesha në zyrën e Mehmetit, doli Fiqret Shehu. Pra nuk është e vërtetë që të kem shkuar më datën 16 dhjetor 1981, në shtëpinë e Mehmet Shehut, por në datën që kam përmendur unë. Mund të pyetet edhe Fiqret Shehu, e cila më ka parë në datën kur unë vajta në zyrën e punës në shtëpinë e Mehmetit!

Pyetje: A e njihni oficer Baki Hakramën, efektiv në Drejtorinë e Dytë dhe nëse keni gjë për të thënë për të?

Përgjigje: Me Baki Hakramën nuk njihem. Unë nuk e njoh!

Pyetje: Ju njohim me shpjegimet e dëshmitarit Baki Hakrama, i cili duke qenë me shërbim në hyrjen e shtëpisë së Mehmet Shehut, ju ka parë se pas orës 19.00, të datës 16 dhjetor 1981, ti ke hyrë në shtëpinë e Mehmet Shehut, çfarë keni për të thënë?

Përgjigje: I lexova shpjegimet e dhëna nga Baki Hakrama në dëshminë e tij të dhënë më 7 maj 1982 dhe nuk jam dakord që unë të kem shkuar më datën 16 dhjetor 1981, në shtëpinë e Mehmet Shehut, për të njëmijtat shkaqe që shpjegova në përgjigjen time, për dëshminë e dhënë nga Ali Çeno.

Pyetje: A e njihni oficer Astrit Veliun, efektiv i Drejtorisë së Dytë dhe nëse keni gjë për të?

Përgjigje: Unë nuk e njoh Astrit Veliun, por të tre këta dëshmitarë, janë të të njëjtit grup, që kanë shërbyer pranë Mehmet Shehut.

Pyetje: Ju njohim me shpjegimet e Astrit Veliut, në proces-dëshminë e tij të datës 6 maj 1982, i cili gjatë kohës që ishte duke kryer shërbimin në hyrjen kryesore të shtëpisë së Mehmet Shehut, ka parë se ti i pandehur, ke dalë nga shtëpia e këtij të fundit, mbas orës 20.20 të datës 16 dhjetor 1981. Çfarë keni për të thënë?

Përgjigje: I lexova shpjegimet e dhëna nga Astrit Veliu, në dëshminë e tij të datës 6 maj 1982, dhe nuk jam dakord që më datën 16 dhjetor 1982, unë të kem shkuar në shtëpinë e Mehmet Shehut. Dëshmitari ngatërron dhe rrugën që kam ndjekur unë; mbasi rruga e vërtetë kur unë kam vajtur për herë të fundit në shtëpinë e Mehmet Shehut, është rruga paralel me rrugën kryesore të selisë Komitetit Qendror, pra në lindje të shtëpisë së Mehmet Shehut. Ju lutem që, si për kohën dhe për itinerarin, të pyetet ish-shoqëruesi im, Besnik Kasaj, si dhe Fiqret Shehu.

Proces-verbalin, mbasi e lexova dhe pashë se thëniet e mija janë shkruar drejt, e firmos.

                      I pandehur                                                                      H e t u e s a t

                     Feçor Shehu                                                         Raqi Iftica   Pelivan Luçi 

                                                      P R O Ç E S – V E R B A L

                                                      (I pyetjes së dëshmitarit)

Tiranë, më 16 maj 1982

Ne, hetuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Raqi Iftica dhe Pelivan Luçi, rimorëm në pyetje të pandehurin Feçor Shehu:

Pyetje: Ju njohim me vërtetimin datës 11.5.1982, të lëshuar nga aparati i Kryeministrisë, ku del se Mehmet Shehu, më datën 16 dhjetor 1981, në orën 17.00, priti në Kryeministri delegacionin tregtar qeveritar rumun, fakt me të cilën dëshmitarët Baki Hakrama dhe Astrit Veliu, saktësojnë datën 16.12.1981, që juve keni shkuar në shtëpinë e Mehmet Shehut dhe jeni takuar me këtë të fundit, Çfarë keni për të thënë?

Përgjigje: Ky vërtetim që jep Kryeministria, se Mehmet Shehu ka pritur delegacionin tregtar qeveritar rumun, më datën 16 dhjetor 1981, është një fakt që unë nuk kam asnjë kundërshtim, por nuk ka lidhje me mua!

Pyetje: A e njihni oficerin Besnik Kasaj dhe si i keni pasur marrëdhëniet me të?

Përgjigje: Besnik Kasën e njoh, se ka qenë shoqëruesi im, me të kam pasur marrëdhënie normale.

Pyetje: Ju njohim me shpjegimet e Besnik Kasës, dhënë në proces-verbalin e tij, datë 7 maj 1982, i cili vërteton se juve më datën 16 dhjetor 1981, keni shkuar në shtëpinë e Mehmet Shehut. Çfarë keni për të thënë?…………………………………

Përgjigje: I lexova shpjegimet e dhëna nga Besnik Kasaj në proces-dëshminë e tij të datës 7 maj 1982, dhe mua më kujtohet se data e fundit që kam shkuar në shtëpinë e Mehmet Shehut, është ajo që kam thënë në proceset e mija të mëparshme dhe jo ajo e datës 16 dhjetor 1981. Përsa i përket makinës, me të cilën unë kam shkuar tek Mehmet Shehu, duhet të jetë ashtu siç thotë Besnik Kasaj. Mbasi makinën ndalova tek pisha, kalova ushtarin tek trotuari karshi selisë së Komitetit Qendror, pastaj u futa rrugës së lulishtes që është paralel me trotuarin. Por insistoj, se data nuk është 16 dhjetor 1981, por data kur u thirra për kthimin e Gani Kodrës.

Në kuadrin e saktësimit të datës, i lutem hetuesisë të vërtetojë në Drejtorinë e Dytë, nëpërmjet Besnik Kasaj dhe shoqëruesit që e zëvendësoj Besniku, se në cilën datë Besnik Kasaj, filloi lejen e zakonshme të vitit 1981, pasi në qoftë se nuk më ngatërron kujtesa, duhet të ketë qenë 15 ditshin e dytë të muajit dhjetor 1981.

Pyetje: A njiheni me Nikolla London, shofer në parkun e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe çfarë keni për të thënë për të?

Përgjigje: Nuk e njoh Nikolla London.

Pyetje: Ju njohim me shpjegimet e Nikoll Londos, dhënë në dëshminë e tij të datës 7 maj 1982. Çfarë keni për të thënë?

Përgjigje: Makina që thotë Besnik Kasaj dhe Nikolla Londo, duhet të jetë e vërtetë, por unë nuk e mbaj mënd se me çfarë makine kam shkuar në shtëpinë e Mehmet Shehut. Përsa i përket datës 16 dhjetor 1981, gjithashtu më vjen çudi, që edhe ky dëshmitar edhe të tjerët, e mbajnë mënd, bile edhe me orë ekzakte! Për herë të fundit unë në shtëpinë e Mehmet Shehut, kam shkuar për çështjen e kthimit të Gani Kodrës, datë që saktësohet me letrat që Mehmet Shehu i ka dërguar Skënder Shehut dhe Gani Kodrës, për t’u kthyer në Shqipëri.

Proces-verbalin mbasi e lexova dhe pashë se thëniet e mija janë shkruar drejt, e firmos.

 I pandehur                                                                                 H e t u e s a t

Feçor Shehu                                                                     Raqi Iftica   Pelivan Luçi

                                     (I pyetjes së dëshmitarit)

Tiranë, më 16 maj 1982

Ne, hetuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Raqi Iftica dhe Pelivan Luçi, rimorëm në pyetje të pandehurin Feçor Shehu:

Pyetje: Ju njohim me shpjegimet e dëshmitarit Besnik Kasaj, dhënë në procesin e tij të datës 17 maj 1982, ku vërtetohet se lejen e zakonshme për vitin 1981, e ka filluar më datën 24 dhjetor 1981, dhe e ka mbaruar më datën 11 janar 1982. Çfarë keni për të thënë?

Përgjigje: U njoha me shpjegimet e dëshmitarit Besnik Kasaj, dhënë më datën 17 maj 1982, ku thuhet se lejen e zakonshme të vitit 1981, e ka filluar më datën 24.12.1981 dhe e ka përfunduar më datën 12.1.1982, dhe nuk kam ndonjë pretendim tjetër.

Pyetje: A njiheni me oficer Mystret Rama dhe çfarë keni për të thënë për të?

Përgjigje: Oficer Mysret Ramën e njoh dhe nuk kam gjë me të.

Pyetje: Ju paraqesim thëniet e tij dhënë në proces-verbalin e datës 17 maj 1982, ku vërtetohet se ka zëvendësuar Besnik Kasën, që shkoi me leje, duke kryer detyrën e shoqëruesit pranë teje, nga data 24.12.1981, deri më datën 11.1.1982. Ç’kini për të thënë?

Përgjigje: I lexova thëniet e dëshmitarit Mysret Rama, që vërteton se ka zëvendësuar Besnik Kasaj, nga data 24.12.1981, deri më datën 11.1.1981, që Besniku ka bërë lejen e zakonshme dhe nuk kam gjë për të thënë, duhet të jetë ashtu siç thonë ata, mbasi data ekzakte kur Besniku mori lejen e zakonshme të vitit 1981, nuk më kujtohet.

Pyetje: Ju njohim me vërtetimin e lëshuar nga Drejtoria e Dytë, ku nga dokumentet e Kuadrit, del se Besnik Kasaj, lejen e zakonshme të vitit 1881, e ka marrë më datën 24.12.1981, deri më datën 11.1.1982. Ç’kini për të thënë?

Përgjigje: U njoha me vërtetimin e lëshuar nga Drejtoria e Dytë të datës 17 maj 1982, dhe jam i bindur se lejen Besnik Kasaj, e ka filluar dhe mbaruar, në datat që pasqyrohen në këtë dokument.

Proces-verbalin mbasi e lexova dhe pashë se thëniet e mija janë shkruar drejt, e firmos. Memorie.al

 I pandehur                                                                                  H e t u e s a t

Feçor Shehu                                                                        Raqi Iftica   Pelivan Luçi   

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular