BallinaOP EDShqipëria, anija që kërkon të dalë ne breg!

Shqipëria, anija që kërkon të dalë ne breg!

spot_img

Nga Gjergj Nika
Ka ardhur koha e vlerave; ka ardhur koha e moralit dhe e eksperiencës në drejtim.
Janë disa fjalë të zakonshme, të cilat duhet të ishin mëse normale, por që fatkeqësisht nuk janë aspak normale e aspak të kuptimshme aktualisht, si në politikë ashtu edhe në drejtimin qendror e lokal.
Sepse Shqipëria reale ndryshon shumë nga Shqipëria pushtetare!

Po përse nuk mund të funksionojë edhe tek ne ushtrimi i moralshëm i funksioneve publike, politike e shtetërore?
A i kemi njerëzit, kulturën dhe tolerancën e nevojshme për të ndërtuar një shtet modern, të aftë t’u shërbejë qytetarëve? Janë pyetje për çdo qytetar të përgjegjshëm, për të kuptuar se a ia vlen të rrisësh një familje dhe japësh kontribute në një qytet apo në një vend si i yni.

Në mungesë të një revolte të vërtetë rruge, mediumesh intelektuale apo vote, nuk janë të paktë ata që mendojnë se këtu vështirë të realizohet diçka e qenësishme.

Në fakt, shoqëritë që kanë bërë ndryshime në rrugën e së mirës nuk kanë ardhur nga diku tjetër, por kanë pasur mençurinë të kuptojnë përvojat e tyre dhe të tjerëve, të vetëpastrohen dhe mirëmbajnë një kulturë që i vë kufij abuzimit, korruptimit të mendjes dhe shpirtit. Kështu duhet të ndodhë edhe me ne.
Jo vetëm me Vlorën, por edhe me Shqipërinë. Sepse jam i prirur të mos besoj se është i gjithi krunde mielli ynë. Duhet të ketë njerëz të zotë dhe të ndershëm, intelektualë, të cilët nuk kanë arritur ende ta thonë fjalën e tyre në krye të punëve të vendit, nuk kanë mundur të imponojnë sistemin e tyre të vlerave në hapësirën publike e pushtetin vendor. Madje as në politikën lokale, ku duket se zëri është më i kufizuar e imponuar nga qendra.

Po! Unë besoj se Vlorën dhe Shqipërinë nga llumi që i ka përmbytur e bataku ku kanë rënë mund t’i nxjerrin vlerat, morali, eksperienca e njerëzve e intelektualëve vërtet të përkushtuar!

Gjithmonë ka njerëz, që koha nuk i tjetërson.
Por ç’po ndodh sot në Shqipëri e në Vlorë? Çfarë modeli ofrohet? Çfarë ofrojnë partitë e mëdha, në aleancën e tyre okulte? Çfarë ofrojnë partitë e tjera që kanë dalë këto kohë?
Druaj se asgjë, shumë pak, ose atë që kanë afruar gjithmonë: arrogancën, papërgjegjshmërinë, mungesën e transparencës, vjedhjen e qytetarëve e nëpërkëmbjen e tyre, të së ardhmes së tyre, ekonomisë, mirëqenies e perspektivës.
Dhe kjo është për të ardhur keq.

PS në Vlorë ofron “rrugë” të shqyera e të shkatërruara, PD nuk ofron asgjë, asgjë në njerëz, ide e të ardhme, partitë e reja inekzistente ofrojnë vetëm populizëm. Asnjë program, asnjë reformim.
Po në Shqipëri? E njëjta gjë, i njëjti mjerim…
Të njëjtët njerëz 34 vjet; e njëjta gjuhë; e njëjta armiqësi; i njëjti mentalitet; i njëjti mediokritet. Të gjitha na çojnë drejt regresit dhe tek një e ardhme e zymtë, në rast se nuk reagojmë kur shohim që qeverisjen e dikton krimi dhe jo interesi qytetar, arroganca e jo vullneti për të lehtësuar hallet dhe shqetesimet e bashkëqytetarëve tanë, ku vlerat përçmohen e antivlerat drejtojnë.

Mund të duket si sllogan, por duhet një brez i ri politik. Duhet një elitë e re e vendit, e cila të besojë se Shqipëria e shqiptarët meritojnë më shumë, një brez i ri në drejtim i aftë të bëjë ndryshimin.
Ndaj detyra morale dhe fitorja më e madhe për brezin e sotëm politik, është ndalja e së keqes që ka pllakosur vendin dhe përgatitja e kalimit të politikës në duart e një elite të re, e cila të marrë përgjegjësinë e drejtimit të vendit nga një brez i ri në politikë, ekonomi dhe shoqëri.

Demokratët euroatlantikë nuk e duan pushtetin duke shkaktuar drama dhe kosto shoqërore, duke nxitur përçarjen e përplasje mes shqiptarësh. Të tjerë janë ata që i kërkojnë, nxisin e mbajnë gjallë përçarjen, urrejtjen për hir të pushtetit personal e halleve me Drejtësinë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular