Nga Agron DUKA
Krijimi i një Task Force nga ana e SPAK-ut, për të hetur krimin elektoral, është një lajm i mirë, për të siguruar një proces zgjedhor të drejtë dhe të barabartë.
Ne si PAA e mbështesim edhe “planin e masave” që prokuroria paraqiti për këtë proces. Ne mendojmë se krimi elektoral ka ndikuar në mënyrë të vazhdueshme rezultatin e zgjedhjeve, madje duke u thelluar, e duke u bërë sot barriera më e madhe e rrotacionit politik.
Meqë prokuroria ka deklaruar se do të konsiderojë çdo denoncim e indicie për të hetuar, ne premtojmë se do ta konsiderojmë këtë mundësi, dhe po e nisim me disa sygjerime:
-Të hetohet përdorimi i administratës publike për llogari të fushatës nga partia në pushtet. Ministra e zyrtarë të lartë që paguhen për të bërë punën e ministrit, drejtorit, apo kryetarit të bashkisë, enden rrugëve nëpër Shqipëri e nëpër botë duke bërë fushatë, duke regjistruar emigratë e duke hapur zyra elektorale. A nuk është ky një krim elektoral?
-Infrastruktura publike është vënë në shëbrim të fushatës së partisë në pushtet. Faqet online të institucioneve janë vënë në shërbim të partisë për të përhapur mesazhe zgjedhore dhe elektorale.
-Aktivistët dhe drejtuesit e PAA duhet të shpenzojnë paratë e familjeve të tyre edhe për të udhëtuar brendas Shqipërisë, ndërsa partia në pushtet organizon festa e tubime madhështore nëpër botë. Nga burojnë të ardhurat për të përballuar shpenzimet e këtyre aktiviteteve?
-SPAK duhet të verifikojë pretendimet e mediave se ai që paguan faturën e PS-së në fushatën e organizuar në qytetet italiane është një sipërmarrës që sapo ka marrë lejet për ndërtimin e dy kullave në Tiranë.
Ne do të jemi të gatshëm që të informojmë dhe denoncojmë çdo parregullsi që do të vërejmë, me shpresën se ata që deformojnë rregullat e zgjedhjeve do të ndëshkohen.