as gjetjes së zgjidhjes për mandatin e Holta Zaçajt, presidenti Bajram Begaj i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese ku kërkon sqarim për përtëritjen e pjesshme, nëse vlen për edhe për gjyqtarët e tjerë kushtetues që janë emëruar me vonesë, konkretisht Elsa Toskës e cila dha dorëheqje në shtator 2024 dhe Sonila Bejtjës.
Lidhur me mbarimin e mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja, Presidenti kërkon të sqarohet si do zgjidhet ngërçi dhe si do të bëhet ripërtëritja e mandatit të saj që përfundon në 2025-ën.
Begaj kërkon që Gjykata të sqarojë në mënyrë të plotë dhe përfundimtare se si duhet të funksionojë ky mekanizëm, në mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe të mos krijohen deformime apo trajtime të pabarabarta për gjyqtarët e emëruar me vonesë.
“Presidenti i Republikës shpreson se në këtë mënyrë Gjykata Kushtetuese do të mund të sqarojë në mënyrë të plotë dhe përfundimtare se si duhet të jetë përtëritja e pjesshme e Gjykatës, që ajo të konsiderohet në përputhje me Kushtetutën.
Gjykata Kushtetuese duhet ta bëjë këtë sqarim, në mënyrë të tillë që të ketë vlerë për të gjithë gjyqtarët kushtetues aktualë, përndryshe nuk do ketë asnjë mundësi që të ndreqet deformimi i mekanizmit të përtëritjes dhe çdo ndërhyrje për shkurtimin e mandateve të caktuara, vetëm për një ose disa gjyqtarë, do të ishte në shkelje të hapur të Kushtetutës”, thuhet në kërkesë.
Kërkesa e presidentit:
Të nderuar Gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese!
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në datën 23.12.2024, ka marrë vendimin nr. 84 për
deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, zonjës Holta Zaçaj. Gjykata ka përcaktuar datën 10.3.2025 si datë të përfundimit të këtij mandati.
Gjyqtarja Zaçaj është emërtesë e Gjykatës së Lartë, për mandatin e së cilës Gjykata e Lartë kishte shpallur vakancën përpara se të merrej vendimi i datës 23.12.2024. Arsyetimi i Gjykatës së Lartë kishte në themel argumentin se përtëritja e Gjykatës Kushtetuese çdo tre vjet me një të tretën e përbërjes së saj përbën “detyrim kushtetues që prevalon ndaj kohëzgjatjes 9-vjeçare të mandatit të gjyqtarit”.
Po kështu, Gjykata e Lartë përfaqësonte qëndrimin se, mandati që pasoi mandatin e përfunduar në datën 10.3.2017, duhet të përfundonte në datën 10.3.2025. (Shih njoftimin e Gjykatës së Lartë, “Për hapjen e procedurës së aplikimit për anëtar të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, nr. 6186 Prot., datë 11.12.2024).
Gjykata Kushtetuese e ka gjetur të drejtë këtë arsyetim, si për sa i përket zbatimit të parimit të përtëritjes së pjesshme, ashtu edhe për sa i përket përcaktimit se data për përfundimin e mandatit duhet të jetë data korresponduese me datën e përfundimit të mandatit paraardhës.
Përtëritja e pjesshme përfshin, sipas Kushtetutës dhe ligjit për Gjykatën Kushtetuese, jo një, por tre mandate. Përtëritja e parë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese përfshin mandatin që pasoi mandatin e përfunduar në datën 10.3.2017, (për të cilin Gjykata vendosi me vendimin e datës 23.12.2024), si dhe mandatet që pasuan dy mandatet e përfunduara në datën 25.4.2016, dhe që ishin mbajtur përkatësisht nga anëtarët Vladimir Kristo dhe Sokol Berberi. Përtëritja e dytë përfshin mandatin e lënë nga anëtari Fatmir Hoxha në datën 4.7.2020, mandatin e lënë nga anëtari Bashkim Dedja në datën 25.5.2019 dhe mandatin e lënë nga anëtarja Altina Xhoxhaj në datën 25.5.2019.
Përtëritja e tretë përfshin mandatin e lënë nga anëtari Gani Dizdari në datën 8.4.2022, mandatin e lënë nga anëtari Besnik Imeraj në datën 8.4.2022 dhe mandatin e lënë nga anëtari Fatos Lulo në datën 2.5.2022.
Nga ana tjetër, është fakt i provuar dhe i dokumentuarse gjyqtarët: Holta Zaçaj, Elsa Toska dhe Sonila Bejtja, që janë emëruar/zgjedhur nga Gjykata e Lartë, Kuvendi dhe nga Presidenti i Republikës për të ushtruar mandatet që i takojnë përtëritjes së parë, janë emëruar përkatësisht në datën 16.1.2023 (mandat i pjesshëm), në datën 11.11.2019 (mandat i plotë) dhe në datën 15.10.2019 (mandat të plotë), domethënë, me 5 vjet, 10 muaj dhe 6 ditë vonesë nga mbarimi i mandatit pararendës zonja Zaçaj, me 3 vjet, 6 muaj dhe 17 ditë vonesë nga mbarimi i mandatit pararendës zonja Toska dhe me 3 vjet, 5 muaj dhe 20 ditë vonesë nga mbarimi i mandatit pararendës zonja Bejtja.
Gjyqtarët, mandatet e të cilëve i përkasin përtëritjes së dytë, asaj të vitit 2028, janë emëruar/zgjedhur në datën 15.3.2022 gjyqtari Sandër Beci (me mandat të plotë, kur duhet të ishte zgjedhur me mandat të pjesshëm), në datën 11.11.2019 gjyqtarja Fiona Papajorgji (mandat i plotë), dhe në datën 13.11.2019 gjyqtarja Marsida Xhaferllari (mandat i plotë), domethënë, me 1 vit, 8 muaj dhe 11 ditë vonesë nga mbarimi i mandatit pararendës zoti Beci, me 5 muaj dhe 17 ditë vonesë nga mbarimi i 3 mandatit pararendës zonja Papajorgji dhe me 5 muaj e 19 ditë vonesë nga mbarimi i mandatit pararendës zonja Xhaferllari.
Gjyqtarët, mandatet e të cilëve i përkasin përtëritjes së tretë, asaj të vitit 2031, janë emëruar/zgjedhur në datën 12.9.2022 gjyqtari Ilir Toska (mandat i plotë), në datën 22.12.2022 gjyqtarja Marjana Semini (mandat i plotë) dhe në datën 7.12.2022 gjyqtari Gent Ibrahimi (mandat i plotë), domethënë me 5 muaj dhe 4 ditë vonesë nga mbarimi i mandatit pararendës zoti Toska, me 7 muaj dhe 20 ditë vonesë nga mbarimi i mandatit pararendës zonja Semini dhe me 7 muaj e 29 ditë vonesë nga mbarimi i mandatit pararendës zoti Ibrahimi.
Në vendimin e datës 23.12.2024, Gjykata Kushtetuese ka mbajtur në konsideratë se “Kushtetuta parashikon si datë të fillimit të detyrës betimin para Presidentit të Republikës, (neni 129), kurse neni 8, pika 3 e ligjit organik, ndërsa përmban të njëjtin parashikim për fillimin e mandatit, përcakton se mbarimi i tij është në datën e njëjtë të atij muaji të vitit të nëntë, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe”.
Mandati i gjyqtares Zaçaj ishte përcaktuar në Kushtetutë të ishte mandat 8-vjeçar (Kushtetuta ka përcaktuar vetëm dy mandate 8-vjeçare në plotësimin fillestar të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, që të dyja në shërbim të mekanizmit të përtëritjes së pjesshme, mandatin që do të pasonte në vitin 2017 mandatin e anëtares Vitore Tusha dhe mandatin që do të pasonte në vitin 2020 mandatin e anëtarit Fatmir Hoxha). Pavarësisht nga kjo, Gjykata ka çmuar në rastin e kësaj vendimmarrjeje se mandati mund të shkurtohet edhe më shumë në rast se emërimi është kryer kohë pas mbarimit të mandatit të gjyqtarit paraardhës (në rastin e gjyqtares Zaçaj, Gjykata ka përcaktuar një mandat faktik prej 2 vjet, 1 muaj dhe 13 ditë).
Gjykata shprehet se, “referuar përmbajtjes së nenit 179, pika 3 të Kushtetutës, që është norma që gjen zbatim në rastin në shqyrtim, duhet theksuar se bëhet fjalë për situatë kalimtare, qëllimi i së cilës është garantimi i përtëritjes së rregullt të përbërjes së Gjykatës”. Gjithashtu, ajo arsyeton se “në rastin konkret, mandati kushtetues është kufizuar nga vetë norma kushtetuese (dispozita kalimtare), e cila ka parashikim të ndryshëm nga rregulli i përgjithshëm i kohëqëndrimit në detyrë dhe mbarimit të mandatit”.
Por situata kalimtare nuk vlen vetëm për mandatin e zonjës Zaçaj. Përndryshe, arsyetimi i Gjykatës nuk do të kishte kuptim. Situata kalimtare vlen për gjithë dispozitën e nenit 179, qëllimi i të cilës ka qenë të sigurojë kalimin pa ngërçe nga njëra trupë tek tjetra në momentin e ndryshimeve kushtetuese, në mënyrë të veçantë përtëritjen e pjesshme të trupës në intervalet 2025, 2028 dhe 2031. Prandaj, ajo është transkriptuar në pikën 4 të nenit 86 të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, me formulimin:
- Përtëritja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese deri në vitin 2022 do të bëhet sipas skemës së parashikuar më poshtë:
- a) Gjyqtarët që do të zëvendësojnë gjyqtarët, të cilëve u mbaron mandati në vitin 2016, emërohen sipas radhës, përkatësisht nga Presidenti i Republikës dhe nga Kuvendi.
- b) Gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2017, zgjidhet nga Gjykata e Lartë dhe qëndron në detyrë deri në vitin 2025.
- c) Gjyqtarët që do të zëvendësojnë gjyqtarët, të cilëve u mbaron mandati në vitin 2019, emërohen sipas radhës, përkatësisht nga Presidenti i Republikës dhe nga Kuvendi.
ç) Gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2020, zgjidhet nga Gjykata e Lartë dhe qëndron në detyrë deri në vitin 2028.
- d) Gjyqtarët që do të zëvendësojnë gjyqtarët, të cilëve u mbaron mandati në vitin 2022, emërohen sipas radhës, përkatësisht nga Presidenti i Republikës, nga Kuvendi dhe nga Gjykata e Lartë.
Sipas kësaj skeme, do të ishin kalimtare jo vetëm dy mandatet 8-vjeçare, të cilat kushtetutëbërësi i shkurtoi me qëllimin që të përfundonin në vitin 2025 dhe në vitin 2028, por kalimtare do të ishin të gjitha mandatet fillestare, prej të cilave dy mandate të plota duhet të mbaronin në vitin 2025, dy mandate të plota duhet të mbaronin në vitin 2028 dhe tre mandatet e fundit të plota duhet të mbaronin në vitin 2031.
Gjykata ka vërejtur në vendimin e saj se çështja e gjyqtares Zaçaj “lidhet me garantimin e përtëritjes së rregullt të përbërjes së gjykatës pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016”, se “qëndrimi në detyrë dhe kohëzgjatja e mandatit të saj ka të bëjë me kuptimin e nenit 179, pika 3 të Kushtetutës, të normave të tjera kushtetuese, për aq sa ato lidhen me të, të normave të ligjit nr. 8577/2000 të Gjykatës, si dhe të akteve të procedurës së zgjedhjes së saj”, se “parashikimi kushtetues që ka vendosur rregullin/sistemin e përtëritjes periodike dhe të pjesshme të përbërjes së Gjykatës është vlerësuar se garanton vazhdimësinë e jurisprudencës dhe kombinimin e përvojës së Gjykatës, duke qenë, po ashtu, mjet për garantimin e pavarësisë së saj, për sa kohë mandati i gjyqtarëve nuk përplaset me kohëzgjatjen e mandatit Presidencial dhe atij parlamentar, por i tejkalon ato”, se kushtetutëbërësi në ekuilibrin midis parimit të qëndrueshmërisë në detyrë dhe atij të përtëritjes së Gjykatës, i ka kushtuar vëmendje të veçantë këtij të fundit”.
Nga ana tjetër, po i njëjti vendim (nr. 84, datë 23.12.2024) përcakton se “nën logjikën e zbatimit të parimit kushtetues të përtëritjes së përbërjes së Gjykatës, momenti i mbarimit të mandatit të gjyqtarit paraardhës (zonjës Vitore Tusha) duket se ka lidhje me kohëzgjatjen e qëndrimit në detyrë të gjyqtarit që e ka zëvendësuar atë (zonjës Holta Zaçaj)”, se “kjo lidhje mes mbarimit të mandatit të gjyqtarit paraardhës dhe fillimit (ideal) të qëndrimit në detyrë të gjyqtarit të ri duket se është pasur në konsideratë nga ligjbërësi kushtetues në dispozitën kushtetuese kalimtare, sikundër në vijim edhe nga ligjvënësi në veçanti për sa u përket ndryshimeve të bëra në nenin 86 të ligjit nr. 8577/2000 në lidhje me kohën e qëndrimit në detyrë të gjyqtarit të ri në funksion të zbatimit të parimit kushtetues të përtëritjes së përbërjes së Gjykatës”.
Por, Gjykata Kushtetuese nuk ka shprehur në analizën e saj asnjë konkluzion lidhur me impaktin që arsyetimi i saj për “parimin organizativ të përtëritjes së rregullt të pjesshme” dhe për “lidhjen mes mbarimit të mandatit të gjyqtarit paraardhës dhe fillimit të qëndrimit në detyrë të gjyqtarit të ri” ka mbi mandatet e të gjithë gjyqtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese. Sikurse u shtjellua më lart, të gjithë gjyqtarët kushtetues ndodhen aktualisht në kushtet e humbjes së kësaj lidhjeje dhe, për këtë shkak, kohëzgjatja 9-vjeçare e mandatit të secilit prej tyre shtrembëron zbatimin e parimit të përtëritjes së rregullt të pjesshme të Gjykatës.
Gjykata Kushtetuese ka deklaruar mbarimin e mandatit për gjyqtaren Zaçaj, por nuk ka vepruar për të deklaruar mbarimin e dy mandateve të tjera që përfshihen në përtëritjen e parë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të vitit 2016. Nëse nuk deklarohet mbarimi i dy mandateve të tjera dhe arsyetimi i bërë për mandatin e gjyqtares Zaçaj nuk vlen për dy mandatet e tjera, nuk mund të ketë përtëritje të pjesshme të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2025. Për pasojë, shkurtimi i mandatit të gjyqtares Zaçaj i bie të jetë bërë në kundërshtim me Kushtetutën.
Nëse është e vërtetë se, “në ekuilibrin midis parimit të qëndrueshmërisë në detyrë dhe atij të përtëritjes së Gjykatës”, ky i fundit prevalon, atëherë Gjykata Kushtetuese duhet të kishte përfunduar procedurën për deklarimin e mandatit të gjyqtares Bejtja dhe të kishte njoftuar Presidentin e Republikës për vakancën përpara datës 25.1.2025 (pika 3 e nenit 9 të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”). Kjo gjë jo vetëm nuk ka ndodhur, por edhe nuk ka asnjë njoftim publik nga ana e Gjykatës Kushtetuese në këtë drejtim.
Nga ana tjetër, nëse arsyetimi i mësipërm është i vërtetë, situata faktike lidhur me mandatin e gjyqtares Elsa Toska duhet të ishte ndryshe, jo siç paraqitet sot, ku:
– Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin nr. 62, datë 23.9.2024, për mbarimin përpara afatit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska;
– Kuvendi ka shpallur në datën 30.9.2024 njoftimin për hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant për anëtar të Gjykatës Kushtetuese (vakancë për mandat plotësues, duke përcaktuar përfundimin në datën 14.11.2028);
– Kuvendi ka shpallur në datën 30.10.2024 listën e kandidatëve që kanë shprehur interes për të kandiduar;
– Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka zhvilluar mbledhje në datat 1.11.2024 dhe 20.1.2025 për shqyrtimin e kandidaturave që kanë shprehur interesin për t’u zgjedhur në pozicionin vakant të krijuar në Gjykatën Kushtetuese, por nuk ka përfunduar ende shqyrtimin;
– Kuvendi nuk ka anuluar procedurën e nisur në datën 30.9.2024 dhe nuk ka njoftuar riçeljen e saj, këtë radhë për një mandat të plotë, në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 23.12.2024, sikurse nuk i ka kërkuar, nga ana tjetër, Gjykatës Kushtetuese, që të deklarojë mbarimin përfundimtar, pa plotësim, të mandatit të lënë nga gjyqtarja Toska.
Kjo situatë faktike e bënte të domosdoshme që Gjykata Kushtetuese të shprehej qartësisht edhe për mandatin tjetër, i cili është emërtesë e Kuvendit, sepse procedimi i mëtejshëm i Kuvendit me procedurën e çelur për mandat plotësues, gjithashtu, i humb kuptimin detyrimit për përtëritjen e pjesshme që ka mbrojtur Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj.
Parimi i luajalitetit kushtetues do të kërkonte nga dy organet e emërtesës, Kuvendi dhe Presidenti i Republikës, të cilat kanë detyrë të përmbyllin procedurat për përtëritjen e parë, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të vitit 2016, që të respektonin prerogativën kushtetuese të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese për të vënë në lëvizje Gjykatën për deklarimin e mbarimit të mandatit.
Megjithatë, të dyja këto organe nuk do të kishin nevojë të viheshin në lëvizje pas datës 25.1.2025 për të kërkuar deklarimin e mbarimit të dy mandateve, nëse Gjykata vetë nuk do kishte lidhur mbarimin e mandatit të gjyqtares Zaçaj me nevojën për zbatimin e parimit të përtëritjessë pjesshme dhe datën e përfundimit të mandatit të saj me datën korresponduese të përfundimit të mandatit të anëtarëve paraardhës.
Në këto kushte, Presidenti i Republikës, në zbatim të të njëjtit parim të luajalitetit kushtetues, por edhe me shqetësimin për të respektuar në çdo rrethanë parimin e shtetit ligjor dhe të supremacisë të Kushtetutës dhe jurisprudencës kushtetuese, e ka të domosdoshme të nisë këtë procedurë përpara Gjykatës Kushtetuese, me qëllimin që Gjykata të sqarojë në mënyrë të plotë dhe përfundimtare gjithçka që ka lënë pa sqaruar dhe pa zgjidhur me vendimin e saj të datës 23.12.2024, si për sa i përket mënyrës së zbatimit të mekanizmit të përtëritjes së pjesshme në kushtet kur emërimi i anëtarëve është bërë në tërësi në kapërcim të afateve ligjore, duke krijuar boshllëqe të ndjeshme, nga njëri mandat te mandati vijues, ashtu dhe për sa i përket saktësimit të rëndësisë që ka data e përfundimit të mandatit të gjyqtarit pararendës për fillimin e procedurës për deklarimin e mbarimit të mandatit në të gjitha rastet kur anëtari i zgjedhur me vonesë është zgjedhur me mandat të plotë 9-vjeçar.
Gjykata Kushtetuese është shprehur në vendim se “kur organi i emërtesës vlerëson se Gjykata Kushtetuese nuk ka ushtruar kompetencën e saj brenda afatit ligjor, ai duhet t’ia kërkojë Gjykatës këtë gjë me shkrim, duke parashtruar edhe argumentet përkatëse lidhur me mbarimin e mandatit të gjyqtarit për të cilin është organ emërtese sipas Kushtetutës dhe ligjit. Në këtë rast, Gjykata duhet të shprehet me vendim, i cili është përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim”.
E drejta për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, (legjitimimi i kërkuesit) në këtë rast, mund të ushtrohet vetëm në kuadër të procedurës së konfliktit të kompetencave, sikurse parashikon pika 3 e nenit 54 të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, sepse ligji nuk parashikon procedurë të posaçme për shqyrtimin e kërkesës së organit të emërtesës nëse Kryetari i Gjykatës Kushtetuese nuk kërkon dhe Gjykata nuk vendos, brenda afatit ligjor, deklarimin e mbarimit të mandatit për gjyqtarin kushtetues.
Edhe objekti i kërkesës nuk mund të jetë tjetër veçse deklarimi i mbarimit të mandatit te gjyqtarit kushtetues. Në këtë rast, organi i emërtesës nuk mund të parashtrojë kërkesë për interpretim të dispozitës kushtetuese, sepse Gjykatës nuk mund t’i paraqiten më kërkesa për interpretim pas ndryshimeve të vitit 2016 në ligjin nr. 8577, datë 10.2.2000, sikurse nuk mund të paraqesë kërkesë për saktësim dhe plotësim vendimi, sipas nenit 80 të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, sepse nuk ka qenë palë në çështjen me objekt deklarimin e mbarimit të mandatit për gjyqtaren Holta Zaçaj.
Konflikti i kompetencave, nga buron edhe e drejta e Presidentit të Republikës, si organ emërtese, për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, ka lidhje, në logjikën e këtij vendimi, me faktin se Presidenti i Republikës është i kushtëzuar në ushtrimin e kompetencës së Tij kushtetuese nga vendimmarrja e
Gjykatës Kushtetuese për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit. Mosmarrja e vendimit për deklarimin e mbarimit të mandatit pengon automatikisht Presidentin e Republikës, si organ emërtese, në ushtrimin e kompetencës së Tij kushtetuese për emërimin e gjyqtarit vijues.
Nga ana tjetër, në rast se Presidenti i Republikës do të kalonte në heshtje rrethanat e sipërcituara dhe pasojat që sjell vendimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 23.12.2024 për të gjitha mandatet e gjyqtarëve kushtetues që, për shkak të emërimit me vonesë, kapërcejnë afatet për përtëritjen e pjesshme të
Gjykatës Kushtetuese, atëherë Gjykata Kushtetuese mund të vihej në kushtet e pamundësisë për të vendosur deklarimin e përfundimit të mandateve të caktuara dhe për të siguruar përtëritjen e pjesshme të saj, gjë që, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 23.12.2024, e bën, gjithashtu, organin e emërtesës përgjegjës për shkelje të Kushtetutës nëpërmjet mosveprimit për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.
Parimi i luajalitetit kushtetues kërkon bashkëveprimin e domosdoshëm institucional midis Gjykatës Kushtetuese, Kuvendit dhe Presidentit të Republikës në përcaktimin e saktë, të plotë dhe përfundimtar të hapave për përtëritjen e pjesshme të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2025.
Me këtë kërkesë, Presidenti i Republikës po përmbush pjesën që i takon në kuadër të zbatimit të këtij parimi.
Kësaj kërkese i bashkëlidhen:
- Njoftimi i Gjykatës së Lartë, “Për hapjen e procedurës së aplikimit për anëtar të Gjykatës
Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, nr. 6186 prot., datë 11.12.2024 (https://gjykatamedia.s3.eu-central1.amazonaës.com/Njoftim_per_hapjen_e_procedures_se_aplikimit_per_Anetar_te_Gjykates_Kushtetuese_2024_9f7a889df0.PDF);
- Njoftimi – shpallja e Kuvendit për hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant për anëtar të Gjykatës Kushtetuese (vakancë për mandat plotësues), datë 30.9.2024 (https://www.parlament.al/lajme/19662963-2e4a-4156-ba1a-19c66d2cd34b)
- Njoftim Kuvendi datë 30.10.2024 (https://www.parlament.al/lajme/9eb3a5c3-56e6-4cd0-a207- 59f61f0b0521);
- Vendim i Kuvendit nr. 133/2019 për zgjedhjen e zonjës Elsa Toska anëtare të Gjykatës Kushtetuese (Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë, 14.11.2019, nr. 153);
- Dekreti i Presidentit të Republikës, nr. 11364, datë 22.11.2019, “Për shpalljen e procedurës së
aplikimit për plotësimin e vakancës së përkohshme të krijuar për vendin vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” (Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë 25.11.2019, nr. 158);
- Dekreti i Presidentit të Republikës, nr. 11886, datë 28.12.2020, “Për emërimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese” (Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë, 30.12.2020, nr. 233);
- Dekreti i Presidentit të Republikës, nr. 11313, datë 15.10.2019, “Për emërimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese” (Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë, 22.10.2019, nr. 142).