BallinaSport“Ky brez është i fortë, Tomasi bëri mirë në Europian”/ Ish-kapiteni Strakosha:...

“Ky brez është i fortë, Tomasi bëri mirë në Europian”/ Ish-kapiteni Strakosha: Kombëtarja shkon larg me Silvinjon

spot_img

Foto Strakosha është një emër i njohur i futbollit shqiptar dhe ka lënë gjurmët e veta.Portieri i cili luajti për Minatorin, Dinamon dhe më pas e vijoi karrierën në Greqi duke u shpallur kampion edhe me Olimpiakosin, mbrojti për rreth 15 vite portën e Kombëtares shqiptare. Në një intervistë për “tribalfootball”, Foto solli edhe njëherë ato kujtime, por gjithashtu foli edhe për Tomasin, Europianin dhe kthimin e djalit të tij portier tek AEK-u i Athinës.

MOMENTET NË FUTBOLL

“Sinqerisht, e kam të vështirë të ndaj momentet më të mira dhe më të vështira. U transferova në Greqi në fund të vitit 1990 dhe përvojat e mia me skuadrat atje ishin një përzierje sfidash dhe triumfesh. Te Pas Janina u njoha me futbollin grek dhe me nuancat e atij kampionati. Më vonë në Ethnikos luajta rregullisht dhe njerëzit filluan të më njihnin. Lëvizja ime tek Olimpiakos shënoi një kapitull të veçantë. Kalova katër vite atje, dhe në sezonin tim të fundit, fituam titullin kampion. Megjithatë, nuk po luaja rregullisht, kështu që kërkova të largohem. Më pas u bashkova me Panionosin dhe fitimi i Kupës së Greqisë me ta ishte i paharrueshëm, veçanërisht duke pasur parasysh vështirësitë me të cilat po ballafaqohej klubi dhe ekipi përballë i Lacios i udhëhequr nga i madhi Sven-Goran Eikson. Momente si këto përcaktojnë karrierën time”.

JETA NË ATHINË

Si një nga skuadrat më ikonike në Greqi, Olimpiakosi zë një vend të veçantë në zemrën e Strakoshës. “Kam luajtur atje për katër vjet dhe ishte një nder i jashtëzakonshëm. Të përfaqësosh një klub kaq historik nuk është një arritje e vogël. Megjithatë, viti im i fundit ishte sfidues. Pas një ndeshjeje europiane, unë mbeta jashtë fushës për një periudhë të gjatë, gjë që ishte zhgënjyese pasi gjithmonë doja të luaja. Pavarësisht kësaj, fitimi i kampionatit pas disa vitesh pa titull ishte një moment krenarie. Edhe pse isha i lumtur për suksesin e ekipit, isha pak i zhgënjyer që nuk luajta më shumë.”

KUNDËRSHTARËT E FORTË

I pyetur për sulmuesit më të fortë me të cilët është përballur, Strakosha nuk hezitoi: “Kjo është një pyetje e vështirë. Kam luajtur kundër shumë lojtarëve të mëdhenj, por do të veçoja Hristo Stoiçkov. Ai shënoi një gol kundër meje në Shqipëri me aq fuqi sa topin e pashë vetëm në rrjetë. Në Greqi, Shishtov Varzhika i Panathinaikos ishte tepër i paparashikueshëm. Në Shqipëri spikatën edhe lojtarë si Sokol Kushta, Ben Minga, Agustin Kola dhe Ylli Shehu”.

TRAJNIMI DHE FAMILJA

Foto më vonë ndoqi rrugën e trajnerit, duke marrë rol në ekipin kombëtar shqiptar të moshës U-19 dhe si trajner portierësh në Olimpiakos: “Më pëlqente shumë stërvitja. Ishte e natyrshme të përcillja njohuritë që mora ndër vite. Koha ime me ekipin U-19 ishte veçanërisht shpërblyese. Kam punuar me lojtarë të rinj me pasion dhe përkushtim. Megjithatë, vendosa të tërhiqem për arsye familjare. Djali im Tomas ishte larguar nga shtëpia që kur ishte 16 vjeç dhe unë doja të kaloja më shumë kohë me familjen time. Ndonjëherë, prioritetet personale i tejkalojnë ambiciet profesionale.”

KOMBËTARJA

Një legjendë e vërtetë e futbollit shqiptar, Strakosha përfaqësoi kombëtaren për 15 vite, shpesh duke mbajtur shiritin e kapitenit. “Të flasësh për Kombëtaren më ngjall gjithmonë emocione. Jam krenar për atë që kemi arritur, por gjithashtu ndjej se mund të kishim bërë më shumë duke pasur parasysh talentin që kishim. Koha ime me ekipin kombëtar më dha kujtime të paharrueshme. Disa nga pikat kryesore përfshijnë fitoren tonë të parë jashtë fushe kundër Moldavisë, duke mundur Rusinë 3-1 në ditëlindjen time dhe, natyrisht, mposhtjen e kampionëve në fuqi të Europës, Greqisë, në 2004. Këto momente më kujtojnë pse futbolli është kaq i veçantë.”

FITORJA ME GREQINË

Strakosha u ndal pak më gjatë te fitorja e vitit 2004 kundër Greqisë: “Ajo lojë ishte veçanërisht stresuese për mua, duke pasur parasysh karrierën time në Greqi. Por ne treguam se Shqipëria kishte lojtarë cilësorë dhe mund të konkurronte në një nivel të lartë. Ishte një moment krenarie për të gjithë ne dhe tifozët tanë”.

TOMASI NË EUROPIAN

“Ai kualifikim ishte një arritje monumentale, aq më tepër që ne përfunduam të parët në grup. Është një dëshmi e talentit në ekipin tonë dhe punës që Silvinjo ka bërë për të krijuar një ekip të fortë. Unë besoj në shprehjen, ‘Një për të gjithë dhe të gjithë për një’. Nëse qëndrojmë të bashkuar, do të arrijmë gjëra të mëdha”. Ndërkohë për paraqitjen e djalit të tij në Europian dhe transferimin tek AEK, Foto tha: “Si babai i tij, natyrshëm jam kërkues. Mendoj se Tomas bëri mirë, por unë gjithmonë e shtyj atë të bëjë më mirë. Kalimi i tij në AEK është një hap i mirë. Ai është i lumtur atje dhe klubi ka ambicie të larta. Shpresoj që ai të vazhdojë të rritet dhe të arrijë rezultate të shkëlqyera. Kampionati grek ka tërhequr gjithmonë lojtarë të mëdhenj si Rivaldo, Marselo, Hames Rodriges dhe ky sezon nuk ka qenë ndryshe. Me bashkimin e yjeve si Martial dhe Lamela, niveli do të përmirësohet. Sa i përket Shqipërisë, unë besoj në brezin aktual të lojtarëve. Ata kanë talentin për të arritur më shumë dhe për të na bërë krenarë”, përfundoi ish-portieri i Kombëtares shqiptare.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular