Shorti i Ligës së Kampioneve ka vendosur Milanin para një situatë të pazakontë. Kuqezinjtë kanë bërë gati valixhet për dy lojtarë të sulmit, me Alvaro Moratën i cili është nisur drejt Gallatasarajt dhe të riun Kamarda që do të vazhdojë sezonin te Monza.
Por zëvendësuesi i cili duhej të merrte vendin e spanjollit në repartin e avancuar, Santiago Gimenez, mund të bllokohet pikërisht për shkak të shortit të Ligës së Kampioneve. Në turin tjetër, Milani do të përballet pikërisht me Fejenordin e sulmuesit meksikan dhe në këtë pikë, e gjithë marrëveshja mund të dështojë pasi holandezët nuk do të dëshirojnë t’i bëjnë një dhuratë të tillë rivalëve të radhës në Europë.
Edhe nëse arrihet një akord për transferimin për 40 milionë euro të lojtarit nga Holanda në Itali, mediat përtej Adriatikut aludojnë se mund të ketë klauzola që e pengojnë atë të luajë kundër kësaj skuadre në turin e radhës në Ligën e Kampioneve. Ndaj ditët e ardhshme mbetet të shihet çfarë do të vendosë Milani në këtë front, para mbylljes së merkatos së janarit që po bëhet e ethshme për kuqezinjtë në ditët e fundit të saj.