Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir meta, i cili ndodhet në Burgun 313 në kryeqytet, përmes një audiomesazhi të gjatë, mori pjesë në Konventën që mbajti sot Partia e Lirisë në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij, ai tha se e ka nisur fushatën në qelinë numër 5 dhe se do të zgjidhej deputet dhe pse me pranga në duar.
“Ilir Metën nuk e përjashton dot nga politika as Rama, as Dumani dhe as McGonigalët.
Unë e kam nisur fushatën time edhe nga këtu, nga qelia Nr.5 dhe do të zgjidhem deputet, ndër më të votuarit dhe me pranga në duar, nga qytetarët e Qarkut të Tiranës që do të votojnë këtu, por edhe gjithë ata që do të votojnë nga Italia, Gjermania, Belgjika, Greqia, Franca, Britania e Madhe, SHBA, Kanadaja e kudo në botë.
Ju kërkoj të shumëfishoni edhe njëherë të gjitha përpjekjet tuaja, në mënyrë që t’i japim fund njëherë e përgjithmonë kësaj drame, për popullin tonë, për vendin tonë dhe njëkohësisht ta arkivojmë njëherë e përgjithmonë këtë “Rilindje” si mashtrimin më të madh, por dhe tragjedinë më të madhe që përjetoi populli shqiptar, që i kushtoi dhe po i kushton dëme shumë më tepër se sa nga pushtuesit dikur”, tha ndër të tjera Meta