BallinaOP EDKthehem në SHBA ku “nuk troket qeveria” pa u bërë unë shkaktari....

Kthehem në SHBA ku “nuk troket qeveria” pa u bërë unë shkaktari. Në Shqipëri ka njerëz të mrekullueshëm, por “kryebarinj” të çmendur që çorodisin “kopetë” e veta

spot_img

Shefqet Meko
Kthim …

Nën ritmin monoton të turbinave me luspa të mprehta, po kthehem atje ku njëçerekshekulli më parë fillova jetën “larg Tiranës”. E zbraza mallin në Atdhe. Mes miqsh dhe kujtimesh, u bëra tjetër njeri Puthjet e përqafimet sikur u bënë turbina rezervë të avionit të rëndë në qiellin pa re. Ndiej së brendshmi diçka shpërthyese. Mendimet e mia më duken si shkëndijkat e njëpasnjëshme që përflakin benzinën në “kubetë e zjarrit” të motorrëve, nga ku prodhohet energjia fluturuese.

Është një kthim i çuditshëm. Një kthim pa frikë, pa ankth, pa të paditura e pa dyshime që 25 vite më parë i përjetoja si vargonj në ëndërrimet e mia.

Sot kthehem i çliruar nga këto makthe të emigrimit, sepse diku “më pret shtëpia ime” dhe “Liria kushtetuese”. Por nuk më mjafton kjo. Ky kthim më fut në mendime ndërsa kujtoj “kaosin politik” në Tiranë, ku tribunarët janë kthyer në sundimtarë të frikshëm. Aty bien të njëjtat “trumpeta”, por nga buzë të rrudhura, nga shpirtra të mplakur ndërsa pushteti “vijon propogandën”…

Sapo kam lënë një libër në Tiranë, si dëshmi nga e shkuara.”Rënia” , fantazia letrare që lashë në duart e miqve, sikur po ndjell “rënien tjetër”, si një klithmë të rakitizmit politik shqiptar. Zhurma gënjeshtare e papushtetit të Tiranës më trembi kur në sy të shqiptarëve hiqen “paralele amerikane”. Atdheu im i vogël “krahasohet me Amerikën” dhe unë qesh me dhimbje e pëshpëris “O djaj të mallkuar”…Nuk ka paralele të tilla. Është mashtrim populist t’i sjellësh shqiptarit “rastin amerikan” si shans shqiptar.

Amerika ku jetoj është “koleksion çudirash” dhe plot befasi, dhe “rreziqe të brendshme”, por asgjë nga”çudia politike amerikane” nuk ngjason kurrkund me Atdheun tim. Llafollogë, mos mashtroni, ju lutem…Mos.

Isha në Atdhe dhe kthehem tek “Atdheu tjetër” Më pëshpërisin zërat që më folën. Më drithërojnë. “Të zhgënjyer në palcë” “Nuk dimë… u tradhëtuam, kemi frikë të tradhëtojmë”… Kush luan me njeriun “përvëlon veten”. Por kur?…

E pashë Tiranën. Aty ku punon Njeriu, çdo gjë mbetet një “model shqiptar”, Aty ku hyn politika një “neveri e pështirshme”…Ja shko darko diku,pi diku një kafe, bëj një pazar, porosit një hotel, kërko një taxi… Aty sheh Njeriun që punon… Aty ku “udhëheq” tregu dhe shija e klientit sheh mrekullinë., ndërsa në parlament “flasin idjotët”…

Kthehem në Amerikë ku gjeta punën dhe lirinë, dhe pyes: Pse kjo i mungon vendit ku linda?

“Rënia..” “Rënia” ishallah ajo nuk ndodh. “Rënia”, ajo duhet të ndodhë… Më vijnë këto zëra dhe sikur përpihen nga ajri i turbinave të avionit.

Kthehem nga Atdheu im për tek “Atdheu tjetër” dhe ndiej një therje në gjoks: Nuk jam më i zoti se ju, thjesht pata “pakëz fat”…- pëshpëris.

Ajri i ftohtë jashtë si kthetrat e shqiponjës rrëmben mendimet e mia e sikur përvëlohen në turbinat e avionit që vijon fluturimin përmes turbulencash ajrore…

Isha dhe ika. Kthehem tek Amerika duke “përkëdhelur” mbresat e bukura që kam marrë me vete nga Tirana…

“Ne jemi të mirë. Ata, kryetarët e “noterizuar” janë dhimbja jonë”…

Turbinat vijojnë zhurmën monotone…

Kthehem tek shtëpia ime ku “nuk troket qeveria” pa u bërë unë shkajtari …

Isha në Shqipëri, kthehem në Amerikë me “bagazhet” plot mendime të shkapërshitura brënda meje. Vendi im ka njerëz të mrekullueshëm,por “kryebarinj” të çmendur që çorodisin “kopetë” e veta, ndërsa Njeriu i lirë mbetet në udhëkryq me sytë për të ikur, si Unë 25 vite më parë. Nuk kam fjalë. Jam ikanak, nuk kam të drejtë të shaj ikjen.

Uroj të lexohet “Rënia” ime që askush të mos ketë fatin e heroit tim Maks Prifti.

Isha në Tiranë. Botova një libër duke ëndërruar se do lexohet.

Mbi Ajër në Greonlandë, 31 Janar 2025

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular