Levandovski vazhdon të jetë lojtari përcaktues te Barcelona, por ylli i madh i katalanasve është Lamin Jamal.Pavarësisht nëse shënon, asiston apo thjesht driblon me topin rreth fushës, 17- vjeçari i Barçës kënaq turmën e “Montjuiç” në çdo ndeshje, ashtu siç bënin dikur Maradona, Ronaldinjo dhe Mesi.
Shpesh thuhet se ka lojtarë që justifikojnë çmimin e një bilete dhe Lamin është padyshim një nga ata. Shembulli më i mirë është driblimi i tij personal në fazat fillestare të ndeshjes kundër Alavesh, në të cilën ai “dehu” gjashtë rivalë në një recital.
Pasi vrapoi pothuajse 50 metra me topin “të qepur” pas këmbe, në një “zig-zag” të pafund, kulmi i numrit 19, ishte një pasim me të jashtmen për Rafinjën, që për pak sa nuk shënoi.
Lehtësia, eleganca, zhdërvjelltësia e Lamin Jamal në driblimin e mbrojtësve të Alaveshit ishte më se evident dhe sipas të dhënave të “Opta”-s ai ka kaluar rekordin e Leo Mesit në La Liga.
Ylli i ri i Barcelonës e përfundoi ndeshjen duke plotësuar 11 nga 21 driblime që tentoi, një rekord më i lartë se legjenda argjentinase që ka shënuar ndonjëherë në La Liga në të gjithë karrierën e tij. Rekordi i Mesit ishte 10 driblime të suksesshme nga 20 përpjekje në një ndeshje kundër Majorkës në vitin 2007.
Pas paraqitjes së shkëlqyer të tij kundër Alavesh, Lamin Jamal e rriti epërsinë e tij si dribluesi më i mirë në La Liga. Ai ka grumbulluar 73 driblime të suksesshme në kampionat. Dodi Lukebakio i Seviljes (64) dhe Mbape i Realit të Madridit (46) janë lojtarët e tjerë që plotësojnë podiumin e dribluesve më të mirë në ligën spanjolle.