BallinaOP EDBanka që prisnim prej 10 vitesh

Banka që prisnim prej 10 vitesh

spot_img

NGA FATOS ÇOÇOLI 

Më 25 janar 2025 doli për diskutim publik projektligji i qeverisë për Bankën Shqiptare të Zhvillimit(https://www. konsultimipublik. gov. al/Konsultime/Detaje/ 817). Fillimisht, kjo bankë do të jetë tërësisht shtetërore. Do të shohë të ndihmojë me fondet e veta sektorë kryesorë të ekonomisë, veçanërisht bujqësinë, por edhe të sipërmarrësve fare të vegjël (mikro), të vegjël dhe të mesëm në qytet. Janë mbi 100 mijë fermerë dhe sipërmarrës mikro, të vegjël dhe të mesëm te ne. Në Maqedoninë e Veriut, një bankë e tillë ka funksionuar me shumë sukses. Ka arritur të tërheqë edhe para të diasporës maqedonase. Banka të tilla kanë qenë po ashtu të suksesshme me dekada më parë, në Itali, Francë, Gjermani dhe Holandë.

Madje, në Holandë, BANKA E ZHVILLIMIT Bujqësor më e madhja në Evropë, holandezja “Rabobank”, donte në vitin 2005 të bënte partneritet në Shqipëri dhe duke krijuar një bankë zhvillimi edhe me asetet e saj, të ndihmonte fermerët shqiptarë. Holandezët ishin të tërhequr nga pjelloria e tokës shqiptare dhe e pëlqenin mendësinë e fermerit tonë. Do të sillnin edhe shumë klientë të tyre, të filialit “Rabobank” në Itali. Për fat të keq, ky projekt nuk pa dritën jeshile nga ne. Në vitin 2016, 11 vite më vonë, nisën të piqeshin paksa kushtet për një bankë zhvillimi, por qeveritë tona nuk guxuan. “Më mirë vonë se kurrë”, – thotë populli. Ia vlen pritja dhjetëvjeçare që kjo bankë të na themelohet e suksesshme sot. Përfitimet nga krijimi i saj edhe tek ne do të jenë të mëdha. Banka do të krijohet në bashkëpunim me bankën italiane “Cassa Depositi e Prestiti” (në shqip, Kasa e Depozitave dhe e Huave), një institucion financiar i krijuar 175 vite më parë nga Parlamenti i Mbretërisë së atëhershme të Sardenjës, me kapital mbi 285 miliardë euro, kryesisht fonde të Postës Italiane. Kjo bankë shekullore italiane ka dhënë një kontribut thelbësor në transformimin e Italisë nga një vend kryesisht bujqësor 70 vite më parë, në një ekonomi moderne, të bazuar në industri dhe shërbime.

Roli i Bankës sonë Shtetërore të Zhvillimit do të jetë menaxhimi i fondeve të ndryshme që mund të krijohen nga Buxheti i Shtetit, nga grantet dhe huat e marra nga institucionet ndërkombëtare, duke i përqendruar këto fonde në sektorët që kanë fituar deri tani shumë pak financime nga sektori bankar. Banka jonë e Zhvillimit do të krijojë sinergji me programin e Bankës së Shqipërisë prej 250 milionë eurosh, të shpallur më 15 janar 2025 për kredi të buta për biznesin mikro, të vogël dhe të mesëm. Ky një çerek miliardë euro është vetëm për një vit. Është si tavan. Nëse, do Zoti, plotësohet, pra sipërmarrësit tanë shumë të vegjël, të vegjël dhe të mesëm e përdorin gjerësisht programin (aplikojnë te bankat tregtare për të marrë hua të buta nga programi, ateherë për vitin 2026 është gati çerekmiliardëshi i dyte në euro. Ky program do të realizohet në formë projektesh nga bankat tregtare në Shqipëri. Kryeministri deklaroi se programi i Bankës së Shqipërisë do të mbështetet nga qeveria me një garanci sovrane. Kjo do të përbëjë garancinë më të lartë e dhënë ndonjëherë nga Buxheti ynë i Shtetit për programe kreditimi. Në programin e miratuar nga Banka e Shqipërisë, bizneset e vogla dhe të mesme do të marrin kredi të buta deri në 250 mijë euro për investime, me normë interesi deri në 3.5 për qind. Me caktimin e garancisë sovrane nga qeveria, norma e interesit mund të ulet deri në 2 për qind, nëse garancia mbulon 55-75 për qind të vlerës së kredisë.

Kjo skemë me kredi të buta synon që të rrisë futjen masive të bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme në sistemin e huave bankare, sidomos sipërmarrjeve të tilla në bujqësi. Banka Shqiptare e Zhvillimit do të bashkëpunojë ngushtë me programin e Bankës së Shqipërisë. Ajo do të japë kredi, ofrojë garanci dhe do të investojë në letra me vlerë të borxhit tonë publik, duke ndihmuar në realizimin e projekteve me rëndësi të veçantë për ekonominë tonë. Përmes skemave financiare, Banka Shqiptare e Zhvillimit do të ofrojë financim për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, mikrondërmarrjet, si dhe start up-et. Ajo synon të mbështesë eksportet shqiptare, duke financuar me hua të buta prodhimin dhe shërbimet, të cilat mund të konkurrojnë me sukses në tregjet jashtë vendit.

Kjo bankë do të shërbejë edhe si ndërmjetëse financiare e Bankës Evropiane të Investimeve, si dhe e institucioneve të tjera të ngjashme ndërkombëtare, në kanalizimin e kredive dhe fondeve që ato japin, për realizimin e projekteve publike në nivel qendror dhe vendor. Banka Shqiptare e Zhvillimit do të ketë një kapital fillestar prej 10 miliardë lekësh, ose 100 milionë euro. Ajo do të bashkëpunojë edhe me Postën Shqiptare (njëlloj si simotra në Itali), për pranimin e fondeve nga qytetarët e vendit, nëse këta do të duan të investojë dhe të bëhen bashkëpronarë të bankës. Përvojat ndërkombëtare kanë treguar se krijimi i institucioneve të tilla kombëtare në formën e bankave fillimisht shtetërore të zhvillimit, rrisin suksesin në nxitjen e zhvillimit ekonomik.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular