BallinaTe tjera“Mehmet Shehu kishte bërë krushqi me familjen e të deklasuarit”- Dëshmia e...

“Mehmet Shehu kishte bërë krushqi me familjen e të deklasuarit”- Dëshmia e ish-kryetarit të Degës së Durrësit që vuajti 8 vjet në Spaç

spot_img

Nga Dashnor Kaloçi/ Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës 31 të Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!

Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut dhe poli-agjentit Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë e de-klasifikuar dhe pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota e me faksimilet përkatëse.

Në dosjen në fjalë, përveç dëshmive ne hetuesi të dëshmitarëve apo të pandehurve, gjenden të plota dhe akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, zv/ministri Xhule Çiraku, kryetari i Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Elham Gjika, zv/drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Lahedin Bardhi.

Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje.

Por, edhe pse kemi të bëjmë me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur tashmë se si ka funksionuar regjimi komunist i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga dëshmitarët dhe personat e pandehur që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga disa prej hetuesve të kësaj çështje, (kryesisht pas viteve ’90-të), është bërë e ditur se ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe tortura e dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.

Madje për disa prej të pandehurve të këtij procesi hetimor, konkretisht në rastin e Fiqret Shehut, pyetjet janë hartuar nga vetë Enver Hoxha personalisht (me shkrimin e tij) dhe u janë dërguar hetuesve, nëpërmjet ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai (të cilat i kemi bërë publike me faksimilet përkatëse në shkrime të kaluara) dhe të gjitha këto, për të bërë të mundur “zbulimin e grupit armiqësor të poli-agjentit Mehmet Shehu”, me qëllim për të justifikuar vetëvrasjen e tij (sipas variantit zyrtar), si në opinionin e brendshëm, ashtu dhe në atë të jashtëm gjithashtu!

Në këtë kontekst të paranojës së diktatorit Enver Hoxha, u arrestuan dhe u vunë në bankon e të akuzuarit; Kadri Hazbiu (ish-anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe ministri Brendshëm e i Mbrojtjes), Feçor Shehu (ish-Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Brendshëm), Nesi Nase (ish-ministër i Punëve të Jashtme), Llambi Ziçishti (ish-ministër i Shëndetësisë), Llambi Peçini (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së), Elham Gjika (ish-kryetar i Hetuesisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme), Gani Kodra (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe familjes së Mehmet Shehut), Kristofor Martiro (ish-hetues i “grupit armiqësorë të Beqir Ballukut”), Ali Çeno (ish-përgjegjës i grupit të shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu), Xhavit Ismailaga (ish-berber i Hotel “Dajti”), Idriz Seiti (ish-kolonel i Sigurimit të Shtetit, kryetar në Degët e Punëve të Brendshme në Kukës e Lezhë dhe kryetar dege në Ministrinë e Brendshme, për ruajtjen, sigurimin dhe ekzekutimin e personave antiparti), Lirim Pëllumbi (ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit), Qamil Mane Islami (ish-kolonel në Drejtorinë e Kampeve dhe Burgjeve pranë Ministrisë së Brendshme), Duro Shehu (vëllai i Mehmet Shehut, ish-komisar në drejtorinë e Aviacionit Luftarak të Ministrisë së Mbrojtjes), Fiqret Shehu, bashkëshortja e Mehmet Shehut, me dy djemtë e tyre, Bashkimin dhe Skënderin, etj., etj., ku në procesin hetimor dhe gjyqin e tyre, ishin plot 275 dëshmitarë

Nga ky “grup armiqësor”, katër të parët (Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini), u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan, kurse të tjerët u dënuan me burgime të rënda, nga ku u liruan vetëm në vitin 1991, me përjashtim të Fiqret Shehut, e cila vdiq në burg në vitin 1987, në rrethana misterioze dhe ende të pazbardhura, si dhe djalit të madh të familjes Shehu, Vladimirit, që gjithashtu vdiq në rrethana misterioze ende të pazbardhura, në qytetin e Gramshit, (varianti zyrtar; vetëvrasje), ku ishte internuar me familjen e tij, që në janarin e vitit 1982. Për më shumë rreth gjithë kësaj ngjarje, etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë të plota, së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.

PROCES-VERBALI I MARRJES NË PYETJE TË LIRIM PËLLUMBIT, ISH-ZV/DREJTOR I SIGURIMIT TË SHTETIT DHE KRYETAR I DEGËS SË BRENDSHME TË RRETHIT TË DURRËSIT, QË VUANTE DËNIMIN ME 10 VJET BURG POLITIK, NË SPAÇ, NGA ANA E HETUESIT TË MINISTRISË SË BRENDSHME, FLORIAN KOLANECI

                                                          PROÇES – VERBAL                                 

                                                     (I pyetjes së dëshmitarit)

Tiranë, më 30.5.1983.

Unë Florian Kolaneci, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, marr në pyetje në cilësinë e dëshmitarit, Lirim Ismail Pëllumbin, i datëlindjes 1943, me arsim të lartë, i martuar, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, i dënuar me 10 vjet heqje lirie, vuan dënimin në Repartin 303 në Spaç.

Dëshmitari u paralajmërua për përgjegjësinë penale që ka, në bazë të nenit 202 të Kodit Penal të RPSSH-së, për dëshmi të rreme.

                                DËSHMITARI                                                                                       

                               Lirim Pëllumbi

Në lidhje me sa pyetem, kam për të thënë:

Kur Feçori u shpreh kundër Komitetit të Partisë dhe Komitetit Ekzekutiv, Bato Karafili nuk ka qenë prezent, kështu që hapja e bisedës më datën 10 janar 1982, fillimisht nga Bato Karafili dhe më pas nga Feçori më bëri përshtypje dhe kuptova se këta të dy, para se të vinin në Durrës, e kanë biseduar mënyrën e hapjes së bisedës dhe kush do fliste i pari. Rrugën e ndjekur nga Feçori dhe Batoja, për të verifikuar lëvizjet apo punën e ndihmësit të sekretarit të Komitetit Qendror, unë që atëhere e kuptova si një veprim flagrant, në kundërshtim me vijën e Partisë, për këtë arsye nuk ju shpjegova të vërtetën, dhe nga ana tjetër për këtë, informova Partinë që atë ditë. Shtoj se përgjithë sa sipër, meqenëse Bardhyl Çuçi erdhi me vonesë, unë e vura në dijeni edhe atë.

Siç më ka thënë Hasan Caslli, Mehmet Sejdarasi dhe të tjerë, Feçor Shehu e ka frekuentuar Durrësin (Hotel “Adriatikun”) që nga viti 1967, kohë në të cilën ka ardhur nga Shkodra me transferim në Tiranë. Në këto vite ai vinte rrallë në Durrës, por filloi t’i shpejtojë ardhjet kur u bë zëvendësministër dhe në mënyrë të veçantë, kur u bë ministër. Edhe gjatë pesëvjeçarit të fundit që unë kam qenë kryetar Dege në Durrës, Feçori vinte çdo të dielë në plazh rreth orës 9 – 10 paradite dhe qëndronte deri në ora 13 – 14.30. Kishte raste që vinte dhe në mes të javës mbas dite (mbas orës 15.30). Gjatë gjithë kohës që kam qenë unë me të, kemi ngrënë bashkërisht, duke paguar secili rreth 10-12 herë.

Feçor Shehu, në periudhën e dimrit që ishte sezon gjuetie, ka ardhur shumë rrallë në plazh, gati një herë në dy muaj, mbasi shkonte për peshk në Velipojë (Shkodër) dhe Divjakë (Lushnje). Ka pasur raste që ai vinte i shoqëruar nga Tirana me Bato Karafilin dhe Elham Gjikën, se sa raste kanë qenë këto, unë nuk i mbaj mënd. Në nja dy raste, ka ardhur dhe me Tahir Malon. Kur vinte në pranverë, mbasi bënim një shëtitje anës detit rreth gjysëm orë, futeshim në një sallon të Hotel “Adriatikut” dhe fillonim lojën me letra. Kur vinte në verë, nuk bënim fare shëtitje, por shkonim në dhomën që na jepte sportelistja, zhvisheshim dhe dilnim në pistë, për të bërë banjo dielli. Aty dhe luanim me letra.

Në det Feçori është futur shumë rrallë, pasi ankohej se ishte i sëmurë nga dora e majtë. Mbasi mbaronim banjën e diellit dhe lojën, bënim dush në dhoma dhe largoheshim, Feçori për në Tiranë dhe ne të tjerët në Durrës. Për të gjitha ambientet që na viheshin në dispozicion, si p.sh., dhomën, bërjen e dushit, pushimin në disa raste, etj, ne nuk paguanim. Këto favore apo privilegje, punonjësit e turizmit na i bënin, për vetë funksionet që kishim ne, pasi po të kishin qenë katër civilë të zakonshëm, as që do të afroheshin, jo të trajtoheshin në këtë mënyrë si ne. Ky veprimi i ynë në fakt, përbën shpërdorim të detyrës, si nga Feçori, nga unë, Bardhyli dhe Hasani.

Unë nuk mbaj mënd asnjë rast, që Feçor Shehu të ketë ardhur në Hotel “Adriatiku” për të lojtur letra, gjatë orarit të punës, ai mund të ketë ardhur, por unë mund të mos kem marrë vesh gjë. Lajmërimin për ardhjen në Durrës të Feçor Shehut, ja bënte Hasan Casllit, shoferi i Feçorit, Leonard Steria dhe Hasani më njoftonte mua dhe Bardhylin, dhe që të tre së bashku, shkonim dhjetë minuta përpara dhe prisnim në hotelin “Adriatiku”. Ndërsa kur vinte me Baton dhe me Elham Gjikën, lajmërimin shoferi i tij, na e bënte që nga turizmi. Përveç bisedave që shpjegova më lart të cilat, Feçor Shehu i ka bërë me ne në plazh (Hotel “Adriatiku”), ai ka bërë dhe disa biseda të tjera të rëndomta, ose që ka mbajtur qëndrime jo korrekte që, për vetë funksionin që kishte, nuk duhej t’ja lejonte vetes, siç janë:

Në vitet 1980-1981, më ka pyetur mua për qëndrimin moral të ………….pa ma treguar arsyen se pse ma bëri pyetjen, në një rast tjetër i tha C.H., se kam dëgjuar që ti…………dhe një gjë të tillë e kam dëgjuar edhe për T.F., C.H. ja kundërshtoi dhe kërkoi që puna të sqarohej, por Feçori u tërhoq, duke i thënë; “ndoshta nuk është e vërtetë kjo që më kanë thënë mua, shyqyr të mos jetë” dhe nga unë, Feçori nuk kërkoi që kësaj çështje t’i shkoja deri në fund dhe as më tha se nga e kishte sinjalin; në një rast tjetër pyeti Bardhyl Çuçin, se si sillej ……………….e “Dinamos”, “se më kanë thënë se atij i trazon dora”, (këtë pyetje ja bëri Bardhylit, se ai shoqëroi      …………..e “Dinamos”, në kampionatin europian 1980 në Itali, R.F. Gjermane dhe Çekosllovaki.

Në një rast tjetër, duke qenë prezent edhe ministri i Tregtisë së Brendshme, Feçor Shehu u shpreh se: “këto…………janë trashur nga……..pse nuk i zëvendësoni me………………siç i kini në hotele të tjera, si te pesëmbëdhjetë katëshi në Tiranë; në një rast tjetër, Feçori duke parë një ministër dhe një zëvendësministër, u shpreh: “këtë e kanë mirë, e mbyllin zyrën në orën 14.00 të shtunën dhe kujtohen për punë ditën e hënë në ora 7.00, duke përçmuar punën e të tjerëve”, në kohën kur qemë duke lojtur letra një të djelë, në sallën e kafenesë së Hotelit “Adriatik”, Feçori pa se po afrohej për të hyrë në sallë, djali i një udhëheqësi dhe një anëtari të Komitetit Qendror, na tha neve: “lërini këto letra, se do të na shohin këta dhe do thonë se ngelën duke lojtur me letra”.

Mua më bëri përshtypje kjo ndrojtje e Feçorit, mbasi ne nuk po bënim ndonjë gjë të parregullt, por ai e tregoi këtë ndrojtje nga frika se mos i verë emri lart në udhëheqje të Partisë dhe që nga ajo kohë (1980), ne kemi lojtur në një dhomë në katin e parë, ku nuk na shihte njeri. Ndërsa mua me Bardhylin, filloi të na afroi për të lojtur me letra nga mesi i vitit 1979, me Hasan Casllin, kishte pesëmbëdhjetë vjet shoqëri dhe gjithmonë bënin lojë pesë-qindëshe bashkë. Ka pasur raste që kur merrte vesh që Hasani nuk ndodhej në Durrës, Feçori nuk vinte, po kështu ka pasur raste që Hasanin e ka marrë me vete në Tiranë dhe në Shkodër, duke kombinuar punën, që kohën e lirë ta kalonin bashkë.

Në datë 5 janar 1982, kur unë i çova Feçorit një shënim operativ, për dhëndrin e një udhëheqësi, ai më tha: “Po ky, në mbledhjen e Byrosë Politike (më 18 dhjetor 1981) na shiti vigjilencë, po në të vërtetë, ku është futur me këtë krushqi”?! Këtë shprehje Feçori, nuk kish pse të ma thosh mua për një udhëheqës, dhe pastaj Feçori filloi të më tregonte se; kur fejova çupën e madhe, unë pyeta Partinë, meqenëse xhaxhai i djalit, Vango Mitrojorgji, ka qenë i dënuar nga Partia, në kohën e Koci Xoxes. Në muajin qershor-korrik 1979, Feçori më pyeti në plazh; “mos do lëvizë shoku Mihallaq nga Durrësi”? (ishte koha kur ministri i Brendshëm, kish filluar të merrej në Ministrinë e Mbrojtjes), këtë pyetje ai filloi të ma bënte me një farë shqetësimi dhe unë e kuptova se Mihallaqin, mund ta çonin ministër të Punëve të Brendshme dhe ju përgjigja Feçorit se; “llafe klubesh ka, por gjë konkrete në Plenum ose në Byro, nuk është diskutuar”!

Nga fillimi i vitit 1980, Feçori më pyeti përsëri: “Ore pse po dëgjojmë keq për Durrësin, Mihallaqi, pse e lejon këtë gjendje, kur ishte në Korçë, atij i shkonin mirë punët, me një llaf që fliste atje, i ngriheshin të tërë në këmbë, po dhe mosha bën punën e vet, kot e zgjat ai, të dalë në pension e, ta mbyllë me nder”. Mbasi Feçori kish bërë kritikën në plenumin Komitetit Qendror të Partisë në janar 1980, se kuadrot e rrethit të Durrësit shkojnë shumë nëpër dreka dhe darka, një ditë në plazh më tha: “mos i thoni shokut Mihallaq, që vij unë të dielave këtu në plazh, se do thotë, si se gjeti kohën ky Feçori, që të na takoi njëherë”?! Unë i thashë se ne nuk i raportojmë Sekretarit të Parë, se kush vjen dhe kush shkon në plazh, por ai ka djalin që punon në turizëm dhe të sheh kur vjen. Por në fakt, kur unë takohesha me Mihallaqin e binte muhabeti, i thosha që ka qenë në plazh Feçori.

Nga bisedat që më ka bërë Feçori për Mihallaqin dhe nga fakti që ai, gjatë pesë vjetëve që unë kam qenë në Durrës, Feçori vetëm njëherë është takuar me të në zyrën e tij (të Mihallaqit), siç e kam shpjeguar më lart, unë kam krijuar përshtypjen se Feçori, ka pasur rezerva të vjetra ndaj Mihallaqit, ndryshe nuk ka si shpjegohet qëndrimi i Feçorit, ndaj Mihallaqit. Gjatë 9 vjetëve punë në organet e Sigurimit (4 vjet si zëvendësdrejtor në Ministri dhe 5 si kryetar Dege në Durrës), më ka lidhur puna shpesh me Feçor Shehun, tek i cili unë kam vënë re shfaqje të prepotencës, arrogancës, mendjemadhësisë, hakmarrjes dhe mos qenies së tij masovik. Për të gjitha këto, do të jap këto shpjegime.

Në vitin 1973, unë dhe Hajrullah Topollai, (të dy zëvendësdrejtorë të Drejtorisë së Parë), mbasi mbaruam punën mbas dite, u larguam nga zyra. Të nesërmen në mëngjes na thirri Feçori dhe na tha: “po ju, pse ikët mbrëmë para meje nga zyra, unë mund të kisha punë me ju, nuk është mirë të largohen vartësit, para përgjegjësit”! Ne i thamë se kishim dalë për punën tonë, s’kishim gjë me ju, por ai vazhdoi; “jo jo, këtë që po ua them, mbajeni mirë parasysh”. Kështu që herët e tjera, ne ose prisnim sa të dilte Feçori, ose i shkonim në zyrë dhe i thonim se mbaruam punë, keni gjë me ne, apo të ikim? Me këtë veprim, Feçori tregoi prepotencën e tij dhe na vuri nën tutelë. Në vitin 1978, në zyrën time në Durrës, ishte mbledhur shtabi për sigurimin e Kongresit të Tetë të Gruas, të cilin e kryesonte vetë Feçor Shehu.

Ai kërkoi që t’i raportohej me radhë nga përgjegjësit e shërbimit dhe fjalën i pari e mori drejtori i Policisë, por pa folur as dy minuta, Feçori e ndërpreu me arrogancë, duke i thënë: “vajte njëzet vjet drejtor Policie dhe s’mësove si bëhen planet, prandaj ulu dhe shkruaj këto që po të them unë”- dhe filloi t’i diktoi disa detyra që drejtori i Policisë i kishte pasqyruar mjaft mirë në plan. Ai ngeli aq i ofenduar nga kjo ndërhyrje e Feçorit, sa që desh të largohej fare nga shërbimi! Nga pozita e zëvendësministrit, ai nuk kish të drejtë të bënte vlerësime për kuadrin e rrethit të Durrësit, aq më shumë se këtë e shprehu para gjithë kolektivit; një rast tjetër një hetuesi të ri, pse kish zbërthyer një kopsë të xhaketës dhe i paqethur, Feçori i tha; “s’ke turp, më zgërdhihesh, e di që të hedh nga penxherja, e të vë hekurat”! Po kështu i tha edhe Punëtorit Operativ të Turizmit: “që, po s’more masa për të ruajtur pastër zonën turistike nga futja e qytetarëve shqiptarë, do të fus në burg, se ty të vjen çudi, se vjen nga jeta civile, por dije, se po nuk zbatove urdhrat e mija, atje përfundon”. Bardhyl Çuçit, që ishte zëvendëskryetar Dege, në një mbledhje kolektivi, i tha; “ulu aty e mos bëj bërr bërr, se të solla nga Gjirokastra në Durrës, prandaj ul kokën dhe puno”, e plot raste të tjera të kësaj natyre.

Momenti i parë që mua më la mbresa se Feçor Shehu nuk duhet të jetë në rregull, ishte shprehja armiqësore për Komitetin e Partisë dhe Komitetin Ekzekutiv në tetor 1981, që kam shpjeguar hollësisht më lart. Momenti i dytë, është keqardhja që shprehu Feçori për autokritikën për fejesat e martesat e fëmijëve të shokëve, shprehje të cilën unë e realizova se ishte e gabuar, nga fundi i tetori 1981, kur mora vesh krushqinë që kishte bërë Mehmet Shehu, me familjen e të deklasuarit Qazim Turdiu. Momenti i tretë që determinoj në mendimin tim, që Feçor Shehu nuk është mirë me vijën e Partisë, ishte ndigjimi (i incizuar), nga unë i mbledhjes së Byrosë Politike, ku u dënuan fajet e Mehmet Shehut. Aty u tha se Mehmet Shehu lidhi aleancë me armikun e klasës, se duke bërë krushqi, ai është për dy vija në Parti.

Kur mora vesh se Feçor Shehu nuk e kishte informuar Partinë për biografinë e Qazim Turdiut, por e kishte miratuar krushqinë, unë menjëherë gjykova se ky është në pozitat e Mehmet Shehut, të cilin Feçori, jo vetëm e ka kopjuar deri në detaje për metodën e punës, qëndrime dhe sjellje, por e pasoi atë edhe në armiqësinë e tij ndaj Partisë. Ky mendimi i imi u konsolidua më tej nga disa qëndrime dhe faje që bëri vetë Feçori në raport me mua, siç ishin; mohimi i shënimit operativ, gënjeshtra se i ka raportuar udhëheqësit kryesor të Partisë, për fëmijët e Mehmet Shehut që kisha informuar unë dhe veprimi trockist i datës 10.1.1982, kur erdhi me Bato Karafilin, për të vërtetuar arsyen e ardhjes në Durrës, të ndihmësit të sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë, për organet e Punëve të Brendshme, të cilat i kam shpjeguar hollësisht me lart.

Në ngarkim të Mihallaq Ziçishtit, kam për të thënë këto: Kur ishte kryetar delegacioni në Spanjë, para 2-3 vjetëve dhe kur u kthye më shpjegoi; se e kishin çuar për vizitë edhe në fushën e Ebros, ku është zhvilluar beteja kryesore midis brigadave internacionaliste dhe forcave fashiste të Frankos. Në këtë fushë të betejës, Mihallaqi kishte marrë me vete një qese të vogël plastmasi me dhe, një gur dhe më duket një degë të vogël peme. Të treja këto objekte i vendosi në një bazament druri dhe të gjitha faqet e tjera ishin xham dhe na tha se; do t’ja çoj si kujtim Mehmet Shehut, që ka qenë në këtë betejë në Spanjë.

Në muajin dhjetor 1979, apo janar 1980, kur unë ngrita para Feçor Shehut dhe Mihallaq Ziçishtit, disa probleme për Marjeta dhe Bashkim Shehun, Mihallaqi, pavarësisht nga qëndrimi që mbajti Feçori, ai duhet të kishte informuar Komitetin Qendror të Partisë, këtë gjë ai s’e bëri! Më 12 dhjetor 1981, Mihallaq Ziçishti kishte 60 vjetorin, unë isha me leje dhe aty nga ora 10.00 i vajta në zyrë për t’i uruar ditëlindjen dhe e gjeta duke biseduar me Fiqret Shehun në telefon, e cila po i uronte ditëlindjen dhe i tha se e kujtova edhe Mehmet Shehun që të të marrë në telefon, Mihallaqi i tha; më mori, më mori!

Para nja dy vjetëve, Mihallaqi ishte i sëmurë në shtëpi dhe unë me Llambi Shkodranin (vdekur) i vajtëm në shtëpi dhe atje duke na shpjeguar se bujqësia dhe në disa ndërmarrje nuk na shkojnë punët mirë, se nuk na i realizojnë planet, tha se: “ky Durrësi, po ma shkurton jetën, do më hajë kokën, ndryshe u flet njerëzve, ndryshe bëjnë”!

Sa thashë janë të vërteta dhe si lexoj thëniet e mija dhe konstatoj se ato janë shkruar drejt, i vërtetoj me firmën time. Memorie.al

Dëshmitari                                                                         H e t u e s i

Lirim Pëllumbi                                                               Florian Kolaneci

                                                Vijon numrin e ardhshëm

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular