Mëngjesin e sotëm në “Koha për t’u zgjuar” ishte i ftuar eksperti i pensioneve Kujtim Hoxha , i cili ka analizuar prezantimin e djeshëm të kryeministrit Edi Rama, i cili shpjegoi se nuk do të kemi një skemë të re pensionesh, por një reformë në skemën aktuale.
Sipas tij, një nga propozimet më të forta është ajo e heqjes së pensioneve të parakohshme, ndërsa me ligjin e ri pritet të preken edhe të vetëpunësuarit
Eksperti u shpreh se është propozuar gjithashtu se të vetëpunësuarit nuk duhet të sigurohen më me pagë minimale.
“I ka ardhur koha që skema e sigurimeve shoqërore duhet të ndryshohet, janë hasur shumë problematika në zbatimin e atij ligji.
Një ndër reformat më të rëndësishme jo vetën të kësaj qeverie, por edhe atyre që do të vijnë. Trajtohet mbi 700 mijë pensionistë aktualisht, por prekin edhe shumë të tjerë që do të vijnë.
Nuk do të ketë më pensione të parakohshme, kjo ishte taksative. Iu mëshua faktit që duhet të ketë kujdes që të mos ketë paga minimale për të vetëpunësuarit. 165 mijë të vetëpunësuar do të sigurohen, në rast se ligji miratohet, me një pagë më të lartë se minimalja.
U hodh ideja që duhet të synohet që me ligjin e ri, të tregohet qendrueshmëri në financa, ndërkohë që prishmëritë e qytetarëve janë që nuk duhet kjo status quo që është aktualisht”, tha ai.