Deputetja Flutura Açka ka deklaruar se ka marrë shumë oferta brenda së djathtës dhe në skenën politike në përgjithësi.
Ajo i konsideroi ofertat si tendera, ndërsa u shpreh në në politikë shumica që hyjnë janë matrapazë dhe jo politikanë.
“Disa oferta, shumë oferta dhe unë nuk e dija që kjo gjë qënka kështu si tender. Brenda së djathtës dhe si të duash ti, në gjithë karrierën politike. Jo të gjithë, por një pjesë të mirë në politikë hyjnë matrapazë dhe jo politikanë”, u shpreh deputetja në News24.
Ajo vlerësoi se tani kemi një fluks më të madh politik dhe disa parti të reja që duhet të bashkohen për të sjellë një ndryshim, por shprehu frikën se ato po përpiqen të imitojnë klasën e vjetër.
“Do të dëshiroja një pol të tretë që të vendoset kundër këtij establishmenti për një freski politike,” theksoi Açka.
Deputetja theksoi rëndësinë e krijimit të një koalicioni mes partive të reja për të ofruar një alternativë të besueshme për qytetarët.
Ajo shprehu shqetësimin se disa nga këto parti mund të sponsorizohen nga partitë e mëdha, duke kërkuar një angazhim të sinqertë nga politikanët për të punuar për interesat e shqiptarëve.
“Kryetarët e tyre duhet të bashkohen në këtë fluks të ri, jo kundër PD, por për të sjellë demokraci në hapësirën shqiptare. Problemi është se nuk po e shoh këtë. Ose po imitojnë klasën e vjetër, ose terreni shqiptar nuk është pjekur ende, ose ende nuk e kemi një shkollë të vërtetë politike. Do të dëshiroja një pol të tretë që të vendoset kundër këtij establishmenti për një freski politike. Kjo nuk arrihet nëse nuk krijohet një koalicion. Kam frikë se ndonjë prej këtyre partive të reja sponsorizohet nga njëra apo tjetra palë, se ndryshe nuk e shpjegoj dot që këta njerëz nuk janë patriotë. Duhet të harrojnë për një moment që kanë ekzistencë personale dhe të futen në një grup që u jep besueshmëri shqiptarëve”, u shpreh ajo.
Açka u shpreh se tensionet mes partive të reja nuk janë thjesht rezultat i naivitetit apo papjekurisë së liderëve të tyre, por një lëvizje e mirëplanifikuar nga aktorë të mëdhenj politikë.
“Mendoj se është diçka e mirëmenduar dhe e studiuar nga ata që lëvizin gurët e këtij shahu në prag të zgjedhjeve. Po punohet për të ndryshuar perceptimin publik për të rinjtë në politikë, duke i goditur që në fillesat e tyre,” tha Açka.
Sipas saj, pas kësaj strategjie qëndrojnë dy partitë e mëdha, me pushtetin si aktorin më të interesuar për të dëmtuar opozitën dhe partitë e reja.
“Javët e fundit kam parë disa goditje të anasjellta mes forcave të reja dhe kam frikë se jo të gjitha këto prodhohen nga ta dhe naiviteti i tyre politik apo papjekuria e liderëve të rinj. Mendoj se është diçka e mirëmenduar dhe e studiuar nga ata që lëvizin gurët e këtij shahu në prag të zgjedhjeve. Mendoj se diku po punohet një strategji që perceptimi publik për të rinjtë të ndryshojë, në një farë mënyre duan të presin filizin pa dalë ende mbi tokë pasi janë në përpëlitma për t’u dukur. Pas kësaj qëndrojnë dy të mëdhenjtë, por më e interesuar në këtë pikë besoj se është pushteti, që vazhdimisht hedh kripë në plagën e opozitës në përgjithësi, duke përfshirë edhe partitë e reja”, u shpreh ajo.