Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka thotë se janë duke zhvilluar negociatat me të gjitha partitë opozitare që në zgjedhjet e 11 majit të krijohet një lokomotivë ku vagonët do të jenë të panumërta.
I ftuar në emisionin “Open” në News24, Noka tha se Ilir Meta ka shprehur vetë dëshirën që ai të jetë në listat e hapura.
Ai tha se Partia e Lirisë dhe të gjitha partitë opozitare do të gjejnë veten në koalicion me PD.
Noka: Jemi duke negociuar me të gjithë aleatët. PD do të jetë fronti më i gjerë opozitar që ka njohur ndonjëherë historia e demokracisë shqiptare. Unë me PL, me PR, PAA, PBDNJ, PDIU jemi në bisedime, me demokrastianët, me Ballin, Legalitetin, FRD dhe shumë parti të tjera. Flitet për një lokomotivë ku vagonët janë të panumërt. Dera jonë është e hapur për cdo parti që ndihet opozitare.
Pyetje: Do jetë Meta në listën e sigurt?
Noka: Meta ka definuar qëndrimin e tij që ai kërkon të jetë në listën e hapur. Për ne, nëse do të kërkonte listën e mbyllur pa diskutim. PL dhe të gjithë opozitar do të gjejnë veten në koalicion me PD.
Flamur Noka u shpreh se i kanë shtrirë dorën çdo opozitari, por i mbyll derën Lulzim Bashës, Enkelejd Alibeajt apo Agron Shhajt.
“Ata janë përcaktuar si opozita e opozitës që i sponsorizon Edi Rama dhe Veliaj. Unë ndjej keqardhje kur flas”, tha Noka.