Kryetari i PD-së në Lezhë, Gjin Gjoni dhe ai i Mirditës, Aleksandër Lala kanë dhënë dorëheqjen nga postet e tyre, për t’u bërë pjesë e procesit të primareve në Partinë Demokratike.
Gjin Gjoni dhe Aleksandër Lala kanë lënë bosh karrigen, për shkak se dorëheqja është detyrim statutor i PD për të gjithë drejtuesit e partisë që duan të maten në primare.
Do të jetë kryesia e PD që pritet të komandojë kryetarët e rinj në Lezhë dhe Mirditë, të cilët do të kenë peshën e organizimit të strukturave për zgjedhjet e 11 Majit.
Kreu i kësaj force politike, Sali Berisha ka qenë i prerë teksa është shprehur se asnjë kryetar dege që nuk jep dorëheqjen nuk mund të bëhet pjesë e procesit të primareve.
“Kjo përbën një detyrim statutor, në mënyrë që dega e PD dhe votimi të gjitha të jenë ekuidistante me të gjithë kandidatët. Jo, një kryetar dege që nuk jep dorëheqjen nuk hyn në primare. Kjo është e prerë është në statut”, ka deklaruar më parë Berisha.