BallinaAktualitetMasakra e Gërdecit: Si u falsifikuan dokumentet dhe implikimi i politikës në...

Masakra e Gërdecit: Si u falsifikuan dokumentet dhe implikimi i politikës në minimin e procesit gjyqësor

spot_img

Nga Ferdinand Dervishi, Report tv

Katastrofa e Gërdecit, e 15 marsit 2008, humbja e 26 jetëve njerëzore dhe përgjakja e qindra banorëve të tjerë, edhe pas gati 20 vitesh të shkuara, vijon ta mundojë shoqërinë shqiptare.

Shumëkush është i bindur se fajtorët ose nuk u ndëshkuan fare, ose u dënuan minimalisht nga sistemi i kontrolluar drejtësisë.

Aktualisht në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me këmbënguljen e familjarëve të viktimave, është në proces gjykimi, i akuzuar për shpërdorim detyre, ish-ministri i Mbrojtjes i kohës – Fatmir Mediu.

Si të kishte aftësinë e një njeriu të padukshëm, ai kishte arritur ti shpëtonte dhënies llogari për përgjegjësitë e tij për katastrofën e Gerdecit, për shkak të imunitetit që gëzonte si deputet.

Por megjithë këtë zhvillim, megjithë gati dy dekada të shkuara nga ngjarja, shoqëria shqiptare vijon të mbetet e pandriçuar për pjesën se çfarë konkretisht ndodhi në Gërdec.

Ajo është e bombarduar me shkrime e kronika televizive, që flasin më tepër për implikimin eventual të djalit të Kryeministrit të kohës, Sali Berisha, dhe më pak për mënyrën si u ndërtua fabrika e vdekjes në Gërdec, apo për llogaritë e fitimit të ndërtuesve.

Është e bombarduar me lajme që trajtojnë pandehmat se si humbi jetën Kosta Trebicka – një biznesmen i përfshirë në një pjesë të kësaj historie, por nuk janë të ndriçuar sa i përket shkeljeve ligjore që sollën tragjedinë, të krahasuar vetëm me pasojat e një shpërthimi bërthamor.

Por le të provojmë të rindërtojmë edhe njëherë ngjarjet.

Së pari afera e Gërdecit nuk ishte një domosdoshmëri, apo emergjencë kombëtare, siç është tentuar dhe tentohet të sillet nga të akuzuarit për katastrofën dhe mbështetësit e tyre.

Fishekët e armëve të supit, të mitralozëve të rëndë apo kundërajrorëve, për demontimin e të cilëve u krijua Gërdeci, nuk paraqisnin rrezikshmëri shpërthimi në tunelet e ushtrisë.

Rrezikshmëria ka lidhje me lëndët shpërthyese si baroti, apo edhe me predhat e formatit të madh, që përdoren nga topat apo avionët.

Në këtë periudhë, sa duket njerëzit që ideuan Gërdecin, janë joshur nga fakti i çmimit të lartë të skrapit të gëzhojave të tunxhit në tregun ndërkombëtar, i fiksuar në shifrën 4 mijë dollarë për 1 ton.

Kontrata e parë

Zgjedhja e repartit ushtarak të Gërdecit si vend demontimi, kishte lidhje me grumbullimin dhe demontimin, në vitin 2003, të gjithë tankeve të trashëguar nga regjimi komunist si dhe shitjen e çelikut special të tyre për skrap një kompanie greke.

Një aferë e errët e kohës kur Kryeministër ishte Fatos Nano dhe ministër i Mbrojtjes Pandeli Majko, që sipas një hetimi të prokurorisë, i solli humbje të drejtpërdrejtë shtetit shqiptar në shumën rreth 3.6 milionë dollarë. Por edhe një çështje që, falë sistemit të kontrolluar të drejtësisë, nuk shkoi asnjëherë në gjyq.

Pra Gërdeci ishte vendi ideal për të demontuar fishekët pikërisht për shkak të suksesit të demontimit të tankeve të ushtrisë si dhe afërsisë më Portin e Durrësit.

Ndërsa njerëzit që e përzgjodhën do të ishin sërish të njëjtët që i gjetën vendin tankeve – Mihal Delijorgji – drejtuesi i shoqërisë private “Përparimi Sh.A-Shkozet” dhe Ylli Pinari – drejtuesi i kompanisë shtetërore MEICO.

Së dyti ustallarët e Gërdecit kishte të dhëna të sakta për “floririn” që fshihej në depot e tunelet e ushtrisë. Në këtë kohë, megjithë shpërdorimet e vitit 1997, aty gjendej stok një sasi e stërmadhe e municioneve ushtarake me gëzhoja tunxhi – nisur nga fishekët e pushkëve dhe kallashnikovëve, shkuar te predhat e topave 152 milimetër.

Sipas hetimit të Prokurorisë, Mihal Delijorgji i shoqëruar nga disa njerëz me pushtet, ishin shfaqur në Gërdec pa dalë ende vendimet për demontimin e fishekëve, pasi ato, vendimet, konsideroheshin të marra.

Ata ishin futur në repart si në pronën e tyre, duke përzënë edhe ushtarët roje. Në dëshminë e një ushtari roje për hetimin shkruhet: “Na larguan me dhunë, ndonjëherë u thoshim; aman, të rrimë në afërsi se do marrin masa kundër nesh”.

Pikërisht në këtë periudhë Komandanti i Policisë Ushtarake, Astrit Jaupi, denoncoi tek Ministri Fatmir Mediu dhe Shefi i Shtabit, Luan Hoxha, prishjet e paligjshme të godinave ushtarake në Gërdec nga kompania e Delijorgjit.

Vendimi i Këshillit të Ministrave që i hapi udhë procesit të demontimit të fishekëve në Gërdec, mban datën 14 mars 2007.

Ai përcaktonte “procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të forcave të armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi, përsa i përket shitjes për çmilitarizim dhe çmontim”.

Një muaj më pas, më 25 prill 2007, vendimi i Këshillit të Ministrave pasohet nga një urdhër i Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, që autorizonte Forcat e Armatosura ti dorëzonin ndërmarrjes MEICO të Ministrisë së Mbrojtes, municione me gëzhojë tunxhi, të kalibrave 7.62 mm , 12.7 mm dhe 14.5 mm.

Nisur nga dy muaj më pas, Ylli Pinari, me staturën e Drejtorit të MEICO, lidh dy kontrata me kompaninë amerikane “Southern Ammunition Company Inc”, përfaqësuar nga Patrik Henri për shitblerjen e minucioneve dhe dhe zhvillimin e aktivitetit të biznesit për çmontimin dhe çmilitarizimin e tyre.

Në këtë pikë futet në lojë edhe kontraktori lokal i SAC, apo nënkontraktori, që do të ishte kompania e re “Albademil shpk” e Mihal Delijorgjit, që do të menaxhonte procesin e demontimit.

Më tej gjithçka shfaqet pothuaj e kopsitur ligjërisht.

Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara i jep licensë shoqërisë SAC të eksportojë nga SHBA për në Shqipëri disa makineri për demontimin e fishekëve të kalibrave 7.62 mm, 12.7 mm dhe 14.5 mm. Në këtë licencë evidentohet se SAC është në gjendje të bëjë demontimin e municioneve të vogla, në përputhshmeri edhe vendimin e Këshillit të Ministrave të marsit 2007.

Makineritë e mbërritura në Gërdec ishin të teknologjisë së fundit. Pesë prej tyre kryenin demontimin e kalibrit 7.62 mm, dy demontimin e kalibrit 12.7 mm dhe dy të tjera demontimin e kalibrit 14.5 mm.

SAC kontraktoi dhe solli në Gërdec edhe katër punonjës amerikanë, të cilët instaluan makineritë dhe nisën të mbikëqyrnin procesin e demontimit të municioneve.

Shkeljet e para, të vëna re nga hetimi, nisnin me ndërtimet në brendësi të repartit ushtarak të Gërdecit, që të gjitha pa lejen e Bashkisë së Vorës.

Për më keq, të gjithë punëtorët shqiptarë, kishin nisur demontimin të patrajnuar dhe pa u njohur me ndonjë rregullore të sigurimit teknik në punën me lëndët plasëse, djegëse dhe eksplozive. Atyre madje nuk u ishte bërë asnjë demonstrim i vetëm se si të përdorinin mjetet kundër zjarrit.

Në datën 6 qershor 2007, ndërmarrja Meico, në cilësinë e shitësit dhe shoqeria SAC INC, në cilësinë e blerësit, lidhin kontratën nr. 1, me objekt shitblerjen e një sasie prej afërsisht 100 milionë fishekë të kalibrit 7.62 mm, 20 milionë fishekë kalibrit 12.7 mm dhe 20 milionë fishekë të kalibrit 14.5 mm, me një vlerë të përgjithshme 1.6 milion USD.

Pra fitimi i shtetit shqiptar, pas përfundimit të këtij operacioni, do të ishte në vlerën 1.6 milion dollarë.

Por sa llogaritej të ishte fitimi i kompanisë së Mihal Delijorgjit, që bazohej në shitjen për skrap të gëzhojave të tunxhit në tregun ndërkombëtar?

Fitimin miliona dollarë e tregon një përllogaritje e thjeshtë e fitimeve të shtetit dhe kompanive private sipas marrëveshjes së bërë në 6 qershor 2007, që është përllogaritur pas katastrofës, nga një ekspert i kompanisë MEICO.

Fishekët 7.62 mm të kallashnikovit, shitur për demontim – 100 milionë copë, shumëzuar me 0.00448 dollarë për copë, kushtojnë 480 mijë dollarë.

Nga kjo shumë, 100 mijë dollarë shkojnë për transportin, që u krye me kamionët e ushtrisë dhe vetëm 380 mijë dollarë shkojnë në arkën e shtetit.

Po cilat janë llogaritë e fitimit të Delijorgjit dhe të tjerëve?

100 milionë gëzhoja 7.62 mm, shumëzuar me 10 gramë për copë, baraz me 1 mijë tonë, që e shumëzuar me shumën 4 mijë dollarë për ton, të shitjes së tunxhit në tregun ndërkombëtar, fikson shifrën 4 milionë dollarë.

Më tej 20 milionë gëzhojat e kalibrit 12.7 mm realizojnë një fitim prej 414 mijë dollarësh për shtetin dhe një fitim prej 5.3 milionë dollarësh për Delijorgjin dhe të tjerët.

Ndërsa 20 milionë gëzhojat e mitralozëve kundëndërajrorë, realizojnë një fitim prej 500 mijë dollarësh për shtetin, kundrejt një fitimi prej 8 milionë dollarësh për Delijorgjin dhe të tjerët.

Në total shteti duhet të fitonte 1.3 milionë dollarë, ndërsa Delijorgji dhe të tjerët 17.3 milionë dollarë.

Sipas hetimit të prokurorisë, edhe pse të gjitha depot e tunelet e ushtrisë u pastruan nga fishekët e kalibrave të  vegjël, sasia e grumbulluar nuk plotësoi shifrat e parashikuara në kontratë.

Në bazë të dokumenteve të ushtrisë shqiptare, në Gërdec u demontuan 75.3 milionë fishekë të kalibrit 7.62 mm, 13.4 milionë fishekë të kalibrit 12.7 mm, 7.2 milionë copë fishekë të kalibrit 14.5 mm dhe 1.3 milionë fishekë të kalibrit 9 mm.

Sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, fitimi i realizuar në Gërdec nga demontimi i kalibrave të vegjël, ishte rreth 900 mijë USD për arkën e shtetit dhe rreth 9 milionë dollarë për Delijorgjin dhe të tjerët.

Pra në gjithë këtë histori, qartësisht kuptohet se Mihal Delijorgji dhe njerëzit që qendronin në hije pas tij, janë investuar për të krijuar një fitim miliona dollarësh.

Një fitim që fare mirë mund të kishte shkuar në xhepat e shtetit, duke qenë se në këtë kohë fishekët e vegjël mund të demontoheshin edhe në kombinatet ushtarake të Poliçanit, Mjekësit e Gramshit.

Po kështu, në marrëveshjen e bërë me kompaninë amerikane SAC, bie në sy fakti se transporti i fishekëve, nga depot e tunelet e ushtrisë të shpërndara në gjithë vendin, së shumti të pozicionuara në zona malore me rrugë të rrënuara, është bërë falas me mjetet e ushtrisë shqiptare.

Kontrata e vdekjes

Në fund të tetorit të vitit 2007 fabrika e Gërdecit konsumoi të gjithë furnizimin me fishekë të kalibrave të vegjël sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, kështu që procesi i demontimit u ndërpre dhe amerikanët e SAC u larguan.

Në mesin e muajit shkurt 2008 ata çmontuan dhe tërhoqën nga Gërdeci edhe të gjitha makineritë e përdorura për demontimin e municioneve.

Këtu nis dhe historia që solli shpërthimin katastrofik. Shqiptarët e përfshirë në këtë biznes, të cilët sa duket kishin mbetur të kënaqur nga fitimet miliona dollarëshe, i hyjnë qorrazi një aventure tejet të guximshme.

Të joshur nga çmimi i lartë i skrapit të gëzhojave të tunxhit në tregun ndërkombëtar, ata u vënë syrin predhave të formatit të madh, që përdoren nga artileria e rëndë apo tanket, edhe këto të shpërndara në depot e tunelet e ushtrisë në gjithë territorin e Shqipërisë.

Hapin e parë, e hedh Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili më 7 dhjetor 2007 firmos një urdhër që i hapte udhë demontimit të predhave të kalibrave të mëdhenj.

Sipas këtij urdhri, ndërmarrjes MEICO duhej ti dorëzoheshin nga grup-depot e Forcave të Armatosura, për në Gërdec,  municione/shtimje me gëzhojë tunxhi, të kalibrave 20 mm deri në 152 mm, në sasinë prej 335 mijë copë, me peshë 6924 ton.

Po ai ishte ky urdhër i ligjshëm në një kohë kur demontimi i fishekëve të vegjël – një proces me rrezikshmëri më të vogël – ishte bërë me Vendim të Këshillit të Ministrave?

A u anashkalua në këtë rast Këshilli i Ministrave edhe pse demontimi i predhave të mëdha të artilerisë vlerësohet si proces me rrezikshmëri të lartë?

Nxitimi dhe paligjshmëria sa duket kishin sërish lidhje me fitimin.

Prokuroria vërtetoi se operacioni kishte nisur duke intimiduar zyrtarë të ushtrisë dhe falsifikuar dokumente zyrtare.

Problemi i parë lind me kombinatet ushtarake të Poliçanit, Gramshit dhe Mjekësit, të cilët mund të demontonin predhat e kalibrave të mëdhenj, pasi kishin të instaluara dhe pajisjet përkatëse. Pra ushtria mund ta bënte vetë procesin dhe nuk kishte logjikë që të demontoheshin nga privati në Gërdec.

Për më keq akoma, drejtorët e këtyre kombinatave dërguan letra zyrtare që konfirmonin se, së shumti, ata i kishin kapacitetet teknike për procesin e demontimit të predhave të kalibrave të mëdhenj.

Zgjidhjen e këtij problemi, sa duket e merr përsipër kreu i MEICO, Ylli Pinari. Me vulat në xhep, drejtuesit e kombinateve thirren në Tiranë dhe u detyruan të lëshojnë vërtetime false që thoshin se kombinatet nuk mund të kryenin demontimin e predhave të formatit të madh.

Falsifikimi u vërtetua pasi ekspertët e prokurorisë zbërthyen kompjuterin e punës të Ylli Pinarit.

Por, shkeljet ligjore, në këtë pjesë të dytë të historisë, që solli katastrofën e Gërdecit, nuk kishin lidhje vetëm me anën shkresore.

Hetimi doli në konkluzionin se edhe në terren, në vendin e demontimit, gjithçka kishte funksionuar në rrëmujë të plotë, se nuk ishte zbatuar rregullat e sigurimit teknik për zbërthimin e predhave të kalibrave të mëdhenj, se për demontimin e tyre nevojiteshin pajisje të sofistikuara, se duheshin zbatuar protokolle të rrepta, të mbikëqyrura nga specialistët, se duheshin respektuar edhe një varg i ndërlikuar traktatesh, ligjesh e praktikash ndërkombëtare.

Hetimi vërtetoi se demontimi i predhave të artilerisë në Gërdec nisi të kryhej pa instaluar asnjë pajisje të vetme përkatëse dhe se, deri në momentin e shpërthimit, ai ishte kryer i gjithi me mjete rrethanore, të sajuara nga vetë punëtoret dhe me forcën e krahëve.

“Edhe në këtë kontratë gjatë realizimit të procesit të demontimit, janë përdorur vegla pune, si leva, sqepar, dara, furçe teli, thasë plastikë për futjen e barutit, brisqe për prerjen e mbështjellëses prej bezeje të barutit dhe karroca metalike me katër rrota, për transportimin e produkteve të demontimit. Punëtorët punësoheshin pa pasur parasysh asnjë kriter moshë, seksi, gjendje shëndetësore, kualifikim, njohuri në fushën e armatimit apo më tej dhe në atë të demontimit etj“ – shkruhet në pretencën e Prokurorisë.

Pra, gjithçka po kryhej në Gërdec, në këtë pjesë të dytë të procesit të demontimit, ishte e paligjshme dhe kriminale.

Biznesi që u kishte errësuar sytë pushtetarëve të kohës dhe biznesmenëve të lidhur me ta, ishte një biznes vdekjeje.

Sipas prokurorisë: “Punëtorëve nuk iu është lexuar rregullore për sigurimin teknik në punë me lëndët plasëse, djegëse dhe eksplozive apo përdorimin e mjeteve kundër zjarrit. Veprimtaria e demontimit të municioneve zhvillohej në mungesë të një rregulloreje të posaçme për rregullat e sigurimit teknik. Me punëtorët në asnjë rast nuk është bërë ndonjë mësim trajnues në lidhje me evakuimin e personave në rast zjarri, për rrugët e mundshme të daljes nga territori i fabrikës apo përdorimit të mjeteve kundër zjarrit. Mungonin mjetet e nevojshme dhe të përshtatshme për shuarjen e zjarrit. Nuk ishin montuar sistemet automatike të fikjes së zjarrit në të gjitha zonat ku punohej me barut, të cilat funksionojnë automatikisht pa praninë e punonjësve. Sheshi i demontimit prej betoni dhe sheshet e grumbullimit të predhave e kontenierët e barutit, megjithëse në to grumbulloheshin masa të mëdha metalesh, nuk kanë qenë të siguruara nga shkarkimet atmosferike me rrufepritësa.”

Sipas urdhrit të Ministrit Mediu, të datës 7 dhjetor 2007, mjetet e ushtrisë, sërish falas, nisën të sillnin nga tunelet e depot, predha të kalibrave të mëdhenj, që shkarkoheshin në afërsi të repartit të demontimit.

Ndodhte që ndonjë kamion, i dërguar në fund të hartës, në Sarandë për shembull, të kthehej pothuaj bosh në Gërdec, me vetëm 5-6 predha të mëdha artilerie, pasi aq ishin gjetur në depon apo tunelin e ushtrisë.

Sipas hetimit, arkat me predha të pademontuara të topave, kokat e demontuara të tyre, e të tjera pjesë të rrezikshme, ishin vendosur pranë e pranë, duke mos respektuar asnjë nga kushtet e sigurisë.

Papërgjegjshmëria më e madhe ishte mënyra e ekstraktimit, grumbullimit, transportimit dhe magazinimit të barotit, e cila është dokumentuar edhe nga hetimi zyrtar.

“Baruti i nxjerrë nga arkat e municionit ishte i vendosur në qese dhe pas nxjerrjes së këtyre qeseve, punëtorët i vendosnin ato në disa thasë plastikë që shërbenin për mbledhjen e barutit. Ndarja e barutit nëpër thasë bëhej sipas llojit të tij. Për shkak edhe të vjetërsisë së qeseve të barutit, shpesh herë një sasi baruti derdhej prej tyre, duke krijuar një shtresë të përhapur pothuajse në gjithë sipërfaqen e sheshit, ku qëndronin dhe punonin punëtorët.”

Sasia e barutit, e përftuar nga procesi i demontimit, ishte e madhe. Delijorgji dhe përfituesit e tjerë, mundën të eksportonin një pjesë, por sërish pjesa më e madhe mbeti në Gërdec. Sipas prokurorisë, në fund të procesit të demontimit të municioneve të kalibrave të vegjël, në Gërdec, në kontenierë dhe kapanone, strehoheshin 405 tonë barut.

Por në Gërdec, atë shpërthimin e ngjashëm me të bombës atomike, nuk e bënë vetëm 405 tonët me barut të nxjerrë nga fishekët e vegjël. Sasia totale që rrafshoi repartin e Gërdecit, që shkatërroi fshatin dhe plagosi njerëz edhe disa kilometra larg, ka qenë edhe më e madhe, pasi asaj i ishin shtuar edhe tonelatat e barutit të përftuar nga demontimi i gëzhojave të kalibrave të mëdhenj.

Po përse e gjithë kjo babëzi për fitim?

Çelësi i çmendurisë, apo djalli, fshihet sërish në shifra.

Sipas urdhrit të Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, të datës 7 dhjetor 2007, municionet e kalibrave të mëdhenj me gëzhoja tunxhi do të ishin 335 mijë copë, me peshë 6924 ton.

Sigurisht që pesha e tunxhit të gëzhojave, të përftuara pas demontimit, mund të jetë sa gjysma e peshës së predhave, ose edhe më pak.

Pra, nga sasia 6924 tonë, mund të përftohen minimalisht rreth 3 mijë ton gëzhoja tunxhi për skrap. Kjo shifër, e shumëzuar me çmimin e skrapit të gëzhojave të tunxhit, në këtë kohë e fiksuar në 4 mijë dolllarë për ton, jep një fitim prej 12 milionë dollarësh.

Një fitim edhe më i madh edhe më i pastër se ai i krijuar nga gëzhojat e kalibrit të vogël, dhe një fitim që këtë radhë nuk ka në mes një nënkontraktor amerikan.

Pikërisht rendja drejt fitimit, pavarësisht pasojave, pavarësisht se ky fitim po realizohej mes barutit e bombave, që mund të shpërthenin nga çasti në çast, duket ju mjegullon shikimin autorëve.

Sipas hetimit të prokurorisë dhe ekspertizës së kryer nga dy specialistë amerikanë, shkaku i zjarrit, që solli katastrofën në Gërdec, ishte një karrocë e sapo salduar, e cila ishte përdorur për të transportuar barot.

“Për shkak se, karroca vazhdonte ta ruante nxehtësinë e saldimit dhe në kushtet kur, baruti i cili transportohej në të kishte një shkallë tepër të lartë ndezje, ai ka marrë menjëherë flakë… Flaka është përhapur me shpejtësi të madhe në gjithë sipërfaqen e sheshit ku po punohej, në të cilën ndodhej një sasi tepër e madhe baruti, një pjesë e të cilit ishte e shpërndarë nëpër sipërfaqe dhe pjesa tjetër e futur nëpër thasë. Ajo ka përparuar në drejtim të kapanonit ku ndodhej magazina e barutit dhe një sasi shtimjesh unitare 100 mm, të cilat kanë marrë flakë dhe shpërthyer menjëherë”.

Shpërthimi i kontenierëve me barut, dhe njëkohësisht i magazinës që ishte në afërsi, formësuan atë pamjen e njohur të shtëllungës së tymit të ngjashme me shpërthimin e një bombe atomike.

Sipas hetimit, në datën e shpërthimit, 15 mars 2008, në repartin e demontimit në Gërdec ishte grumbulluar një sasi prej rreth 1068 ton barut dhe 705 mijë tonë tritol që gjendej në 286 mijë copë djegoret e predhave të demontuara ose jo.

Matjet do të vërtetonin se forca e shpërthimit në Gërdec ishte sa një e shtata e një bombe atomike.

Për pasojë, vala e goditjes i ktheu banesat dhe çdo gjë tjetër që ishte në afërsi, në pluhur.

Reparti i Gërdecit u fshi nga faqja e dheut. Në vendin ku gjendeshin kontejnerët dhe magazina me barut, u formua një krater.

Brenda një sekonde të vetme fshati Gërdec u kthye në gërmadhë.

Vala e shpërthimit përfshiu një numër të konsiderueshëm mjetesh që lëviznin në autostradën Tiranë – Durrës. Dhjetëra udhëtarë e pasagjerë u lënduan.

Numri më i madh i viktimave u regjistrua mes punëtorëve të patrajnuar të fabrikës. Shpërthimi nuk kurseu askënd. Ai u mori jetën edhe disa fëmijëve që kishin shkuar tu çonin drekën prindërve… 

Familja Deliu, që e kishte banesën pothuaj në dyert e repartit, pothuaj u shfaros.

Një krim i pandëshkuar

Pak ditë pas ngjarjes, Prokuroria e Përgjithshme regjistroi procedimi penal në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes njëherësh dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, duke e akuzuar për veprat penale ”shpërdorim i detyrës në bashkëpunim” dhe “shpërdorim i detyrës në bashkëpunim me subjekt ushtarak – kuadër komandues”.

Gjithashtu Prokuroria ndërtoi të njëjtat akuza për një varg ushtarakësh, përfshirë Drejtorin e Kompanisë MEICO, Ylli Pinari si dhe biznesmenin Mihal Delijorgji.

Më 12 mars 2012 Gjykata e Shkallës së Parë dha vendimin për 29 të akuzuarit e çështjes “Gërdeci”. Kreu i kompanisë MEICO – Ylli Pinari, u dënua me 18 vjet burg, administratori i “Albademil”, Mihal Delijorgji, me 10 vite heqje lirie, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha, dhe 6 vite burg.

Porse një vit më pas, Gjykata e Apelit tregohet më dorëlëshuar, duke i ulur apo dhe përgjysmuar dënimet.

Përfundimisht për katastrofën dhe masakrën njerëzore në Gërdec do të paguhej shumë pak. Mihal Delijorgji do të rifitonte lirinë pas 5 viteve, ndërsa Ylli Pinari pas diçka më tepër se 7 vitesh.

Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, edhe pse u hetua për akuzën e “shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim”, nuk u gjykua kurrë për ngjarjen e rëndë, madje nuk u thirr asnjëherë si dëshmitar në procesin gjyqësor për ngjarjen.

Atë e mbrojtën imuniteti i deputetit dhe sidomos mungesa e një kërkese nga Prokuroria e Përgjithshme, drejtuar Parlamentit, për heqjen e këtij imuniteti.

13 vite më vonë, më 24 Shtator 2021, pas një beteje ligjore, pasi revokoi vendimin e pushimit të çështjes nga Gjykata e Lartë, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendosi që ish ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të hetohet lidhur me shpërthimin në Gërdec.

Ndaj tij janë ngritur të njëjtat akuza si të pasngjarjes: “Shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim”, dhe “Shpërdorim detyre në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues”.

Ish-ministri Mediu vijon të ndërtojë mbrojtjen e tij në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin, duke u kaluar përgjegjësitë ushtarakëve, të cilët sipas tij ishin përgjegjës për mbarëvajtjen teknike të fabrikës së demontimit.

Por dëshmitë e ushtarakëve, sidomos ato që i janë dhënë ambasadorëve amerikanë në Tiranë, kanë pohuar të kundërtën.

Kështu, në një kabllogram të Ambasadës Amerikane të Tiranës të bërë publik nga “Wikileaks”, që mban datën 17 prill 2009, Ambasada Amerikane në Tiranë i nis një kabllogram Departamentit Amerikan të Shtetit për Gërdecin, ku shkruhet se komandanti i Policisë Ushtarake, Astrit Jaupi, ka dërguar një letër shqetësimi për të informuar ish – Ministrin e Mbrojtjes, Mediu dhe ish – Komandantin e Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha kur zbuloi se kompania e Delijorgjit “Trans Digging Construction” po shkatërronte godinat në ish – repartin e tankeve në Gërdec, pa asnjë leje të shkruar nga Ministria e Mbrojtjes. Letra e tij nuk mori kurrë përgjigje apo ndonjë veprim, përveçse ofroi më shumë prova se Mediu e kishte favorizuar në mënyrë ilegale Delijorgjin në vendimet për demontimin…”

Ndërsa në një kabllogram dytë të Ambasadës Amerikane të Tiranës, të datës 20 qershor 2998, që pasqyronte një takim të ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha me ambasadorin amerikan shkruhet:

“Në dallim nga deklaratat publike të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, të cilat ia hedhin fajin operacional për Gërdecin ushtrisë, Hoxha pohoi se që nga fillimi i këtij operacioni, të gjitha vendimet ishin marrë nga ish-ministri Mediu, që nga zgjedhja e Gërdecit si vendi për shkatërrimin e këtyre municioneve, e deri te cilat lloje municionesh do të shkatërroheshin dhe në çfarë afati kohor. Hoxha pohoi se stafi i tij ishte urdhëruar për të transportuar municionin në vend dhe për të ruajtur vendin, asgjë më shumë.

…Ai akuzoi se gjatë gjysmës së dytë të projektit, duke filluar nga dhjetori 2007, ai ishte urdhëruar nga Mediu… që të vazhdonte të dorëzonte municione të kalibrit të lartë në Gërdec dhe ta bënte këtë gjë pa vonesa.”

Por sigurisht akuza më e dukshme në ngarkim të ish-ministrit Fatmir Mediu, ka lidhje me urdhrin e lëshuar prej tij për pjesën e dytë, atë të demontimit të municioneve të kalibrave të mëdhenj – një urdhër që anashkalonte apo injoronte vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave.

Më tej paligjshmëria shkon zinxhir, pasi urdhëri i dyshimtë autorizoi një proces klandestin.

Në vijim, me qëllim që fitimi të shkonte në xhepat e biznesmenëve privatë dhe jo në xhepat e shtetit, zyrtarët e MEICO-s falsifikuan shkresat e drejtuesve të kombinateve ushtarake, që vërtetonin se ata i kishin kapacitetet dhe pajisjet për të kryer procese demontimi të kalibrave të mëdhenj.

Dhe në fund, në paligjshmëri të plotë demontimi i predhave të kalibrave të mëdhenj do të kryhej me mjete primitive dhe forcën e krahëve, në rrethana dhe ambiente pa asnjë siguri nga flakët e shpërthimet.

Pra, shpërthimi katastrofik i Gërdecit mund të thuhet se nisi menjëherë pasi Ministri Mediu firmosi shkresën që autorizonte demontimin e predhave të kalibrave të mëdhenj.

Po kështu, ish-ministri Mediu akuzohet dhe gjykohet edhe për dëm shkaktuar buxhetit të shtetit në disa qindra-mijëra dollarë.

Së pari atij i duhet të argumentojë faktin se përse kamionët e ushtrisë duhet të sillnin ngarkesa me municione në Gërdec me shpenzimet e ushtrisë?

Sipas një përllogaritjeje, dëmi i shkaktuar shtetit në këtë rast kap vlerën 35.4 milionë lekë, apo rreth 350 mijë euro.

Ndërkohë që dëmi total, i shkaktuar nga mosllogaritja e çmimit të shitjes së municioneve për çmontimin dhe çmilitarizimin, sipas ekspertëve shkon në vlerën 86 milionë lekë apo 860 mijë dollarë.

Në listën që Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit i dorëzoi gjykatës, në procesin kundër ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për çështjen “Gërdeci”, ishte përfshirë edhe emri i Shkëlzen Berishës, djalit të ish-Kryeministrit të kohës kur ndodhi ngjarja.

Hetuesit e ngjarjes dyshojnë se djali i ish-Kryeministrit Berisha ishte një nga njerëzit në hije, të cilët me qëllim përfitimi, mundësuan ndërtimin e fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec.

Të dhëna sporadike për përfshirjen e Shkëlzen Berishës në këtë aferë janë grumbulluar kohë pas kohe nga Ambasada Amerikane në Tiranë.

Kështu, në një kabllogram të Ambasadës Amerikane, dërguar Departamentit të Shtetit më 15 maj 2009, të bazuar në lajmet e publikuara nga mediat shqiptare, shkruhet se djali i Kryeministrit ka pasur kontakte të shpeshta telefonike me ministrin Mediu apo biznesmenin Delijorgji.

“Shumica e informacioneve të rrjedhura  janë fokusuar tek përfshirja e djalit të Berishës, Shkëlzenit. Për shembull, rrjedhjet e të dhënave telefonike zbulojnë se vetëm pak orë pas shpërthimit të 15 marsit 2008 në Gërdec, Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes Mediu ka telefonuar katër herë djalin e Berishës. Më tej, Mihal Delijorgji, pronar i Albademil (kompania që operonte në Gërdec) e ka telefonuar Shkëlzenin vetëm 30 minuta pas shpërthimit. Gazetat vunë në dukje gjithashtu se nga janari, deri në te shpërthimi, Delijorgji e ka telefonuar Shkëlzenin 56 herë. Përveç kësaj, janë sekuestruar shënime të sekretarëve të Ministrisë së Mbrojtjes që tregojnë se gjatë viteve 2007 dhe 2008 ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Mediu kishte takime të shpeshta me Shkëlzenin. Një një prej tyre Shkëlzeni dyshohet se i ka kërkuar Mediut që të rrisë ritmin e furnizimit me municione për Gërdecin.”

Shkëlzen Berisha u thirr në SPAK për të dëshmuar lidhur me të vërtetën e tij për një dokument të ministrisë së Drejtësisë, që mundësonte demontimin në Gërdec, sipër të cilit, me shkrim dore, ishte shkruar: “Për Shkëlzen Berishën”.

Dokumenti ishte me firmën e Aldo Bumçit – ministrit të Drejtësisë së kohës, ndërkohë që hetimi i mëparshëm zbuloi se shënimi ishte bërë, apo urdhëruar të bëhej, nga ish-zëvëndësministri i Mbrojtjes.

Në kabllogramin e 15 majit 2009, Ambasada Amerikane i ka kushtuar vëmendje këtij detaji. 

“Në një dëshmi, sekretarja e ministrit të atëhershëm të Drejtësisë Aldo Bumci ka regjistruar të paktën dy takime mes Bumcit dhe Shkëlzenit, në vitin 2007. Kur u pyet për një letër të Bumcit drejtuar Mediut, që jepte aprovimin e Bumcit për projektligjin për çmilitarizimin që do hapte rrugën për Gërdecin, ajo konfirmoi se Bumci kishte shkruar mbi të: “Për Shkëlzen Berishën.”

Pas këtij zbulimi, Bumci, në këtë kohë anëtar i parlamentit dhe një qen i përhershëm sulmi i Partisë Demokratike, akuzoi ish-sekretaren e tij për shpifje dhe e paditi atë. E trembur, sekretarja deklaroi publikisht se dëshmia ishte e falsifikuar.”

Po kështu, edhe Luan Hoxha, atëherë Shefi i Shtabit të Përgjithsëm të Ushtrisë, në kontaktet me Ambasadën Amerikane, ka përmendur Shkëlzen Berishën si person të interesuar për Gërdecin.

Sipas tij, djali i kryeministrit i kishte bërë presion që “të vazhdonte të dorëzonte municione të kalibrave të mëdhenj në Gërdec” dhe këtë gjë “ta kryente pa vonesa”.

Pra Gërdeci, e gjithë historia e tij ishte një histori përfitimi, e ndërtuar nga njerëz me pushtet.

Njerëz politikë, të cilët, ashtu si ka ndodhur rëndom në Shqipërinë e 30 viteve të fundit, u është dhënë dhe e kanë pasur fuqinë, ti trajtojnë vartësit si shërbëtorë të bindur, duke i shfytëzuar për fitimet e tyre dhe duke i shtyrë e rrokullisur në ingranazhet e drejtësisë si përgjegjës të vetëm të zullumeve.

Kjo është historia e Gërdecit. Një histori tipike shqiptare, e gatuar me qëllim përfitimi nga politika dhe e paguar me gjak nga populli.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular