Gazetari dhe analisti Basir Çollaku ka shpallur kandidaturën për të garuar në primaret e Partisë Demokratike në qarkun Dibër.
Në një deklaratë publike në faqen e tij në FB, ai theksoi angazhimin e tij të gjatë në opozitë dhe rëndësinë e bashkimit për të sjellë ndryshimin. Kujtojmë se Çollaku një gazetar që nuk e ka fshehur afërsinë me Berishën që nga Foltorja, u tregua shumë i ashpër me mënyrën sesi u zhvilluan zgjedhjet në degën nr.2 të PD Tiranë dhe madje hodhi edhe akuza për manipulim dhe paracaktim të fituesit “me urdhër nga lart”.
“E djathta është zemra e ndryshimeve të mëdha për Shqipërinë,” u shpreh Çollaku, duke ftuar demokratët në një betejë për fitoren.
Postimi i plotë:
Miq demokratë, matjanë e dibranë.
Njatjeta
Njatjeta sak
Kështu përshëndetemi në anën tonë.
Kam një kohë të gjatë në angazhim mediatik e publik dhe kam pasur në këtë udhë, një mbështetje të fortë nga ju dhe shumë qytetarë. Kjo ka shërbyer si motiv, si forcë, e si mbrojtje për mua. Duke pasur synim gjithnjë të vërtetën, kam shërbyer edhe si opozitar i përbashkët me ju. Duke qenë një nga ju.
Është një moment ku kam vendosur të jem pjesë e garës brenda Partisë Demokratike, në qarkun Dibër. Për të mundësuar besimin tuaj, e për të vazhduar më tej bashkë përballjen e largimin e domosdoshëm të së keqes më të madhe të vendit, qoftëlargun në qeverisje. Unë kam në ADN, gjakun fizik dhe shpirtëror të trevës së Matit. Ka shumë kontributorë. Do të ketë prej tyre bashkëgarues. Të gjithë meritojnë vlerësim, respekt, mirënjohje, për çdo orë sakrifice e përkushtimi. PD është në borxh me shumë demokratë, ndaj është njerëzore të kërkojë falje edhe për disa harresa të pamatura ndër vite. Kam dëgjuar e do të dëgjoj me vëmendje e përulësi, çdo demokrat e qytetar matjan, dibran, kudoqoftë banor, në Mat, Tiranë, Dibër, Shqipëri apo jashtë atdheut. Betejat fitohen. 11 vite më parë isha në një nga përballjet më të vështira profesionale me rrezik serioz, për përfshirjen e ministrit të brendshëm në trafikun e drogës. Ishte provë për të vërtetën. Nuk pranova asnjë kompromis, ndonëse kundër kisha dhe tek-tuk të quajtur miq politikë. Ka të tjera po aq serioze. Kjo më përfaqëson si model dhe më ofron me ju. Njëlloj do të veproj me këdo të ngjashëm qoftë kundërshtar apo në krah.
E djathta është zemra e ndryshimeve të mëdha për Shqipërinë. Edhe të majtët kanë jetuar më mirë në qeverisjet e PD. Të bëjmë pjesën tonë. Të mos i kthejmë kurrizin askujt. Të ndalim humnerën. Fëmijët tanë të jenë rinia e vendit tonë, jo plakja jonë. Të luftojmë fitoren e të gjithëve. Ne kemi kuvendin traditë të lashtë. Ashtu dëshiroj të bëjmë bashkërisht. Nisim të kuvendojmë.
Me nder dhe mirënjohje