Mblidhet Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. Mbledhja vjen pak orë pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Mbledhja po drejtohet nga kreu i Grupit Parlamentar socialist Niko Peleshi. Në këtë mbledhje mund të flitet edhe për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.
Ai tha se nuk ka një reagim ende zyrtar nga PS për arrestimin e Veliajt, ndërsa pritet të shihet nëse Partia Socialiste do të distancohet nga kryetari i Bashkisë së kryeqytetit.
Kujtojmë se pas arrestimit të Veliajt, kryeministri Edi Rama, i cili ndodhej në Shkodër, anuloi sot të gjitha takimet dhe u nis me urgjencë drejt Tiranës.
Gazetari Senad Nikshiqi raportoi më herërt se kreu i qeverisë kishte planifikuar një drekë me zyrtarë dhe kryetarë bashkish të PS, si edhe një takim me strukturat e kësaj force politike në Shkodër, por i ka anuluar duke u nisur drejt kryeqytetit.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është arrestuar me urdhër të SPAK mesditën e sotme.
Ai ndodhej në ambientet e Bashkisë Tiranë kur u shoqërua nga agjentët e BKH-së drejt bllokut të sigurisë “Mine Peza”.
Gjithashtu është lëshuar urdhër arresti për bashkëshorten e kryebashkiakut, Ajola Xoxa. Ndaj saj është caktuar masë sigurie “arrest shtëpie”, por Ajola Xoxa ndodhet jashtë vendit.
Bashkëshortja e kryebashkiakut rezulton se ka dalë jashtë Shqipërisë më datën 8 Shkurt.