Nga Profesor i AsociuarTaulanda Jupi
Anëtare e Kryesisë së Demokratëve Euroatlantike
Me përgjegjësi dhe përkushtim kam pranuar kandidaturën time si kandidate për deputete në Kuvendin e Shqipërisë në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit 2025, propozuar dhe miratuar nga Këshilli Kombëtar dhe strukturat e Demokratëve Euroatlantikë. Ky nuk është vetëm një hap personal, por një angazhim ndaj të gjithë qytetarëve që ndajnë shqetësimin për gjendjen e vendit tonë dhe vullnetin për ndryshim.
Me qartësi dhe vendosmëri do të bëhem pjesë e kësaj gare në një kohë kur një pakicë e vogël ka uzurpuar çdo pushtet, kontrollon çdo pasuri dhe çdo mundësi rritjeje e mirëqenieje, duke lënë shumicën e shqiptarëve të përjashtuar nga proceset vendimmarrëse dhe nga e drejta për të ndërtuar të ardhmen e tyre. Shqipëria nuk mund të mbetet peng i këtij rrethi vicioz padrejtësie. Është koha të rikthejmë besimin te politika si një mjet për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.
Gjatë gjithë karrierës sime si pedagoge dhe aktiviste për kulturën, arsimin, çështjet sociale kam punuar për t’u dhënë zë të rinjve, artistëve, akademikëve, grave e vajzave dhe të gjithë atyre që kanë diçka për të kontribuar, por që janë lënë jashtë sistemit. Sot, angazhohem për ta çuar këtë betejë në një nivel më të lartë, për të luftuar për një shtet që u përket të gjithë qytetarëve, jo vetëm një pakice të privilegjuar.
Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim më të thellë për anëtarësinë dhe strukturat e Demokratëve Euroatlantikë dhe veçanërisht për z. Lulzim Basha, të cilët më kanë besuar, propozuar dhe mbështetur në këtë kandidim. Mbështetja dhe besimi juaj më japin forcë dhe përgjegjësi për të vijuar këtë rrugëtim me përkushtim të plotë.
Ftoj secilin prej jush që besoni në këtë vizion të bëheni pjesë e këtij rrugëtimi. Së bashku, mund të ndërtojmë një Shqipëri ku çdo qytetar ka një zë dhe një mundësi për të ecur përpara. Koha për ndryshimin e vërtetë është tani. Është koha për t’i dhënë fund tranzicionit sepse Shqipëria meriton më shumë.