Gjirokastra u trondit dy ditë më parë nga vetëvrasja e 17-vjeçares, Irsa Muçollari, e cila dyshohet se i dha fund jetës për shkak të bullizmit të vazhdueshëm që përjetonte në shkollë.
Ngjarja ndodhi dy ditë më parë, kur e reja, pasi ishte larguar tre herë nga shkolla atë ditë, u kthye në shtëpi dhe kreu aktin tragjik në dhomën e saj.
Ajo la pas një letër prekëse, ku shprehte dhimbjen dhe vetminë e saj përballë shoqërisë që e përçmonte për shkak të paraqitjes së saj.
“O Zot, perse po vuaj keshtu valle? Une jam kjo qe jam, dhe miqte dhe shoket kerkoj te me respektojne. Por ata tallen me mua. Une ndihem kaq e vetmuar dhe e mbytur ne vetmine time. Nuk me vjen turp per veshjen time. Kaq mundesi kane prinderit e mij, babi im qe kujdeset aq shume per mua aq sa dhe mami. Po perse u dashkam te jem kaq e veçuar? Ku te ankohem? Kujt t’i drejtohem? Kujt t’ja hap zemren time? Tek askush nuk kam besim. Madje as tek psikologia ndonese jam hapur. Perse u dashka te vuaj? Valle kjo eshte jeta?”, shkruante 17-vjeçarja.
Irsa Muçollari e ka shkruar këtë letër në anglisht dhe e kishte fshehur në kapakun e celularit të saj. Kjo letër ka hedhur dritë mbi arsyet e tmerrshme që çuan 17-vjeçaren drejt marrjes së këtij akti ekstrem.
Tashmë autoritetet kanë marrë dëshmitë e të gjithë stafit të gjimanazit “Siri Shapllo” ku studionte 17-vjeçarja si të gjithë shoqërinë e saj.