Është shoqëruar me debate mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD e cila vendosi mbajtjen e zgjedhjeve për Primaret më 1 mars, por formula nuk lejonte garën e drejtuesve politikë të qarqeve.
Sic njofton gazetari i News 24, Osman Stafa, kreu i PD, Sali Berisha, është shprehur se bashkimi i grupeve brenda PD ka qenë i sinqertë dhe ky pakt xhentëlmenësh nuk do të thyhet kurrë nga ai.
Pjesë nga debatet
Berisha: Ky bashkim është shumë i rëndësishëm, është shumë i sinqertë. Une jam i drejtë me ju. Bashkimi ishte marrëveshje xhentëlmenësh e cila nga Sali Berisha nuk thyhet kurrë. Për këtë arsye, kur caktuam drejtuesit e qarqeve sipas një tradite 25 vjeçare të PD, caktuam si Belind Këlliçin ashtu edhe Gjekmarkajn, Boçin, Bardhin etj.
Besoj se kjo ishte e drejtë. Kjo përfaqësonte bashkimin tonë. Primarët thotë statuti, por Kryetaret e qarqeve jam përpjekur ti përzgjedh persona të votuar, me eksperiencë elektorale dhe aktivitet publik. I kam caktuar të barabartë. Nuk kanë kërkuar asnjë kusht kur u bë bashkimi.
Nuk mund të pranoj që ata të mos jenë kryetarë qarku. Ju ftoj ta miratoni këtë edhe pse ka një devijim nga Statuti.
Sekretari i Përgjithshëm PD Flamur Noka
Kemi vendosur në Kryesi t’i paraqesim Këshillit Kombëtar rregulloren. Primaret nuk do të zhvillohen në nivel dege, por qarku. U shqyrtuan të gjitha obsionet, por përzgjodhem atë në përputhje me sistemin zgjedhor. Primaret nuk do të jenë skualifikuese, apo votë negative.
Kjo votë nuk do të egzistojë. Primaret do të jenë kualifikuese. Do të vendoset një prag për çdo qark në bazë të numrit të anëtarëve të Partisë, të votave që janë marrë në zgjedhjet e fundit parlamentare si edhe të zgjedhjeve të brendshme në Parti. Nuk do te jetë vetëm vota e primareve përcaktuese. Forumet do të analizojnë angazhimin e secilit kandidat, sikundër kontributin për voten e diasporës për të siguruar 300 vota të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
Noka iu referua kritereve që duhet të plotesojë çdo aspirant për kandidat, duke theksuar respektimin e kodit të etikës. Një anëtar i Partisë ka të drejtë të votojë vetëm një kandidat.
Myslym Murrizi
Jam dakord me statutin për primaret, por duhet të jenë të hapura. Përderisa drejtuesit e degëve japin dorëheqjen, pse ndryshe do të duhet të ndodh për drejtuesit politik? Askush s’mund të na ndajë, në disa politikanë inferior e disa superior.Bëjini kombëtare primaret, është vrastare kjo formulë. Aq më tepër me një votë.
Mos keni frikë nga lobimi i brendshëm. Une do hyj në primaret e Tiranës dhe dua të jem në lista të hapura. Duhet të shihni dhe koalicionet. Ku është sot Shpëtim Idrizi? Duhet të ketë kujdes përzgjedhja e aleatëve.
Bujar Leskaj
Drejtuesi politik i Vlorës
Duhet të votohen edhe drejtuesit politik. Ose t’i kalojnë votimit në qark. Kryetarët e degëve nuk duhet të jepnin dorëheqje pasi ata janë zgjedhur me votë. Nuk jam dakord me datën 1 Mars për mbajtjen e primareve. Kjo pasi këtë kohë deri në 4 Mars jemi të angazhuar me votën e Diasporës.