Shtetet e Bashkuara do të rrisin shitjen e mallrave ushtarake në Indi duke filluar nga viti 2025 dhe se në vazhdim do të ofrojnë edhe avionët luftarakë F-35, tha të enjten Presidenti amerikan Donald Trump.
“Do të rrisim shitjet ushtarake në Indi me shumë miliarda dollarë. Ne po hapim gjithashtu rrugën për t’i siguruar Indisë përfundimisht avionët luftarakë F-35”, u tha Presidenti Trump gazetarëve.
Presidenti Trump nuk dha një afat kohor, por shitjet ushtarake në vende të tjera, veçanërisht për teknologjinë më të avancuar, si avioni F-35, zakonisht kërkojnë vite për t’u realizuar.
Duke folur gjatë një konference të përbashkët për shtypin pas një takimi me Kryeministrin indian Narendra Modi, Presidenti Trump tha gjithashtu se vendet kishin arritur një marrëveshje që ndër të tjera parashikon që India të importojë më shumë naftë dhe gaz nga Shtetet e Bashkuara, për të zvogëluar deficitin tregtar ndërmjet dy vendeve.
Presidenti Trump tha gjithashtu se Uashingtoni dhe Nju Delhi do të punojnë së bashku për t’u përballur me atë që ai e quajti “kërcënimi i terrorizmit radikal islamik”.
Kompania Lockheed Martin LMT.N, e cila prodhon avionin F-35, nuk komentoi menjëherë ambiciet e shprehura nga Presidenti Trump për t’i shitur avionët në Indi.
Shitjet e produkteve ushtarake si F-35 në vende të tjera konsiderohen marrëveshje qeveri-me-qeveri, ku Pentagoni vepron si një ndërmjetës midis kompanisë kontraktore të mbrojtjes dhe një qeverie të huaj.
India ka rënë dakord të blejë mbi 20 miliardë dollarë produkte amerikane të mbrojtjes që nga viti 2008. Vitin e kaluar, India ra dakord të blinte 31 dronë MQ-9B SeaGuardian dhe SkyGuardian pas diskutimeve që zgjatën më shumë se gjashtë vite.
Sipas Shërbimit Kërkimor të Kongresit amerikan, Nju Delhi pritet të shpenzojë mbi 200 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme për të modernizuar ushtrinë.
Kompania Lockheed po prodhon tre modele të avionëve të rinj luftarakë për ushtrinë amerikane dhe aleatët, përfshirë Britaninë, Australinë, Italinë, Turqinë, Norvegjinë, Holandën, Izraelin, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Belgjikën.
Rusia ka qenë prej dekadash furnizuesja kryesore e armëve në Indi, importuesja më e madhe e armëve në botë, dhe avionët e saj luftarakë janë pjesë e flotës ushtarake të Indisë. Por aftësia e Moskës në vitet e fundit për të eksportuar është penguar nga lufta në Ukrainë, duke e bërë Nju Delhin të kthejë sytë drejt perëndimit.
Rusia ka ofruar të prodhojë avionin e saj luftarak të gjeneratës së pestë, Sukhoi Su-57 në Indi, për Forcat Ajrore Indiane, thanë të martën një zyrtar rus dhe një zyrtar indian, ndërsa Moska përpiqet të mbajë lidhje të forta me Nju Delhin./VOA