Agron Duka Kreu i PAA
Të dashur shqiptarë që jetoni e punoni jashtë vendit tuaj.
Të gjitha partitë janë duke kërkuar që ju të regjistroheni për të votuar në zgjedhjet e 11 majit. Të gjitha partitë po ju kërkojnë që ju të mbështesni kandidatët e tyre. Edhe ne si PAA po bëjmë të njëjtën gjë.
Por ju po shikoni se si, çdo ditë e më shumë, qeveria është duke intesifikuar takimet, koncertet, aktivitetet gjoja social-kulturore dhe ekonomike në qytetet ku ju punoni e jetoni, në mënyrë që të marrë votën tuaj.
Disa prej jush kanë ikur herët nga Shqipëria dhe janë integruar aty!
Disa kanë lindur aty dhe janë nënshtetas të huaj!
Disa vijnë rregullisht në Shqipëri, e disa më rrallë!
Shumë prej jush mund ta shikojnë Shqipërinë nga televizionet që numërojnë çdo ditë turistët në Rinas apo nga videoklipet që prodhon vetë qeveria, me dete, male, fusha e lëndina të bukura.
Disa prej jush mund të kenë harruar ç’do të thotë të shkosh në spital në Shqipëri!
Mund të kenë harruar ç’do të thotë të rritësh dhe shkollosh fëmijët këtu!
Mund të kenë harruar ç’do të thotë që një fëmijë që jeton në pallat të mos ketë një metër vend jashtë ku të lozë!
Mund të kenë harruar që këtu, për të punuar për shtetin dhe qeverinë, më shumë vlen rekomandimi i partisë në pushtet sesa diploma dhe aftësia profesionale.
E megjithë këtë, Shqipëria ka ndryshuar. Sot, në 2025 nuk është më Shqipëria e 2020-ës. Në 2020, nuk ishte ajo e 2015-ës dhe dhe në 2015 nuk ishte as ajo e 2010-ës e as ajo e 1997-ës.
Pra, Shqipëria nuk është ajo që keni lënë ju kur keni ikur!
Por shumica e këtij ndryshimi është falë punës, djersës dhe gjakut tuaj. E megjithë këtë, Shqipëria vazhdon të jetë vendi më i varfër i Europës.
Të dashur bashkëkombas, ne ju ftojmë të votoni!
Por, para se të votoni, kujtoni se ju vazhdoni ende të jenë kontribues shumë të rëndësishëm për familjet tuaja këtu.
Ju mbani me ushqime prindërit tuaj këtu, sepse 60% e të ardhurave mujore në Shqipëri shkojnë vetëm për ushqim dhe ata nuk ia dalin dot.
Ju mbani me ilaçe prindërit tuaj të moshuar, dhe ilaçet këtu janë më shtrenjtë se në Athinë, Romë e Milano.
Ju mbani me bukë e ilaçe prindërit e moshuar, sepse pensionet këtu janë më të ulëtat në Europë.
Para se të votoni, kujtoni se po të mos punoni ju atje, apo po të mos merrni rrugët e emigrimit sezonal për të punuar në fermat e grekëve e italianëve, mijëra familje këtu nuk do të sigurojnë dot as bukën e gojës.
Para se të votoni, kujtoni se të gjitha këto ndodhin në një vend ku qeveris një klasë politike e korruptuar zyrtarisht, deri në palcë, dhe që sot ju vjen duke tundur flamuj kuqezi, për t’ju kërkuar votën që të vazhdojë të qëndrojë në pushtet.
Përdoreni votën tuaj për ta ndryshuar këtë realitet.
Ndikoni tek prindërit tuaj këtu, që të mos lumturohen me lëmoshën që u japin njëherë në vit dhe një muaj para zgjedhjeve.
Me respekt
Agron Duka
Kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste