Universiteti Bujqësor i Tiranës ka parashikuar të hapë dyert këtë fillimviti akademik për më shumë studentë të rinj në nivelin bachelor.
Në vendimin e zbardhur të Senatit Akademik, pesë fakultetet e tij kanë propozuar dhe miratuar afro 344 kuota më shumë në raport me një vit më parë. Nga 5405 kuota studimi të miratuara për këtë vit akademik për të dyja ciklet e studimit, gati gjysma e tyre janë vetëm në ciklin e parë të studimeve. Bëhet fjalë për 2595 studentë të rinj, që janë parashikuar të ulen në auditorë për herë të parë, nga 2251 vitin e shkuar.
Por, ndryshe nga kuotat, tarifat nuk kanë pësuar asnjë ndryshim. As janë rritur, referuar tavanit maksimal të caktuar me vendim qeverie e as janë përgjysmuar, ashtu siç kjo e fundit thotë se do të veprojë edhe këtë vit. Sidoqoftë, vendimi ngelet në dorën e të rinjve që planifikojnë të kandidojnë dhe që duhet të konsultohen më parë me mundësitë që ofron universiteti, e po ashtu edhe tarifat vjetore që ka miratuar Senati Akademik (bashkëngjitur shkrimit).
KUSHTET E PRANIMIT
Me rëndësi për kandidatët garues për një nga këto kuota, përpara se të bëjnë zgjedhjen e tyre, me plotësimin e Formularit A2, është konsultimi me kushtet që ka vendosur UBT për të rekrutuar më të mirët. Kriteri i meritës, ai i rëndësisë, nota e lëndës me zgjedhje, do të përcaktojnë fituesit në pesë fakultetet e Bujqësorit.
Ndonëse treguesit janë të njëjtë, pesha e tyre ndryshon. Diferencën e bëjnë koeficientet sipas profilit të shkollës së mesme, të cilat variojnë nga një fakultet në tjetrin. Por, si do të bëhet përllogaritja e pikëve? Bujqësori ka një ndër formulat më të thjeshta, që me lehtësi mund t’i përllogarisin pikët dhe vetë të rinjtë, bazuar në rezultatet e tyre, që tashmë i dinë.
Nota mesatare e gjimnazit (apo ajo që cilësohet si kriteri i meritës) bashkë me koeficientin e shkollës prej nga vjen maturanti, përbëjnë 90% të peshës në formulën e përllogaritjes së pikëve në fakultetin më të madhe e të preferuar te Bujqësori, Ekonomia dhe Agrobiznesi. 10 përqindëshi i mbetur është për rezultatin e lëndës me zgjedhje, e cila duhet të jetë mundësisht e fushës së ekonomisë.