Çdo vit miliona njerëz në botë përballen me vertigon, një ndjesi që ju ose çdo gjë përreth jush është duke u rrotulluar. Kjo ndjesi mund të jetë shumë shqetësuese dhe rrit rrezikun që të rrëzoheni. Nëse jeni diagnostikuar me vertigo paroksizmave pozicionale beninje (VPPB), mos u ndjeni i vetmuar – të paktën 9 nga 100 të rritur janë të prekur, duke e bërë kështu një nga llojet më të zakonshme të vertigos të përsëritshme. Ajo çfarë është pozitive është fakti që VPPB është e kurueshme. Fizioterapisti përdor teste të veçanta për të konfirmuar vertigon, dhe përdor ushtrime dhe manovra specifike për t’ju ndihmuar.
Çfarë është VPPB?
Vertigo paroksizmale pozicionale beninje është një problem i zakonshëm i veshit të brendshëm që ndikon në sistemin vestibular, një sistem që ka rol në ruajtjen e ekuilibrit. Vertigo shkakton periudha të shkurtra marramendje kur koka juaj lëviz në pozicione të caktuara, të lidhura me gravitetin.
Beninje: do të thotë që çrregullimi nuk vë në rrezik jetën, dhe zakonisht ky çrregullim nuk përkeqësohet.
Paroksizmale: do të thotë që vertigo (ndjesia e rrotullimit) ndodh papritur.
Pozicionale: do të thotë që vertigo nxitet prej ndryshimeve të pozicionit të kokës, më shpesh kur shtrihemi, kur rrotullohemi në krevat, ose kur vështrojmë lart. Kjo ndjesi marramendjeje ose rrotullimi quhet vertigo.
Në pjesën e parë të veshit të brendshëm që njihet si utrikul, ndodhet një shtresë karbonati kalciumi. VPPB ndodh kur grimca të këtij materiali shkëputen dhe lëvizin në një pjesë tjetër të veshit të brendshëm që janë kanalet gjysmë rrethore (zakonisht në kanalin e pasmë). Këto grimca kristali kalciumi (otolite) ndonjëherë quhen “shkëmbinj të veshit”.
Kur lëvizni kokën në një mënyrë të caktuar, kristalet lëvizin brenda kanalit dhe ngacmojnë fundet nervore duke shkaktuar kështu tek ju marramendje. Shkaku i vertigos është shpesh i panjohur. Megjithatë, kristalet mund të lirohen për shkak të traumave në kokë, infeksioneve, sëmundjeve të tilla si sëmundja
Meniere, ose plakjes. Vertigo është më e hasur tek femrat dhe mund të jetë e trashëgueshme.