Arkitektë dhe banorë vendas ankohen se projekti i bashkisë i projektuar në bashkëpunim me studion hollandeze ‘Boom Landscape’ për rikonstruksionin e parkut ‘Rinia’ në Elbasan përdor shumë beton për një hapësirë të gjelbër rekreative, por bashkia mbrohet se ky element arkitektonik u zgjodh për shkak të kostos së lirë, qëndrueshmërisë, estetikës dhe kostos së ulët të mirëmbajtjes.
Edhe pse rikonstruksioni është ende i papërfunduar, në këto ditë të nxehta korriku janë të shumtë qytetarët që frekuentojnë parkun ‘Rinia’ në Elbasan. Vizitorët me besnikë të parkut janë gjyshërit që shoqërojnë nipërit dhe mbesat, si dhe të moshuarit që kërkojnë t’i largohen të nxehtit përvëlues të verës në qytet.
Rikualifikimi i parkut Rinia filloi në korrik 2017, me një afat për përfundimin e punimeve 15 mujor. Por dy vjet pas nisjes së punimeve, tejzgjatja e realizimit të projektit nuk është i vetmi aspekt që shqetëson frekuentuesit e tij të rregullt dhe arkitektët lokal. Përdorimi i betonit si dhe ndërtimi i një transheje që çan përmes parkut, ka sjellë gjithashtu kritika.
“Më pëlqen rikonstruksioni i parkut, por hapësira e gjelbëruar duhet të zinte pjesën më të madhe,” shprehet Fatbardha Topuzi, një prej frekuentuesve të shpeshta të parkut ku preferon të bëjë ecje sportive. “Tmerri më i madh është ajo trasheja që i bie parkut mes për mes dhe që as në kohë lufte nuk di a do të bënte punë,” shtoi ajo.
Qytetarë të tjera të cilët frekuentojnë parkun ‘Rinia’ në Elbasan gjithashtu shprehen kundër betonit, duke nënvizuar se përdorimi i këtij materiali në një hapësirë të gjelbër është i papërshtatshëm, i panevojshëm dhe madje i kushtueshëm. Ato ankohen gjithashtu se projekti nuk është konsultuar me banorët përpara se të tenderohej nga bashkia.
E pyetur nga BIRN mbi shqetësimet e ngritura nga qytetarët, bashkia e Elbasanit sqaroi nëpërmjet një përgjigje me shkrim se megjithë përdorimin e betonit në projektin e rrjetëzimit të parkut, sipërfaqja e tij e gjelbër ishte shtuar.
“Parku Rinia para rikonstruksionit kishte një sipërfaqe totale prej 70,544m2 nga e cila 11,305 m2 ishte sipërfaqe rrugë te asfaltuara në gjendje shumë të keqe – pra ne total 16% e ish-parkut ishte sipërfaqe rruge me asfalt ose beton,” tha Gentjan Tabaku, përgjegjësi i projektit në bashkinë Elbasan.
“Parku Rinia pas rikonstruksionit ka një sipërfaqe prej 82.120m2 dhe në këtë sipërfaqe ka 9910m2 rrugë pedonale dhe 3584m2 sheshe pushimi apo lojërash, të cilat në raport zënë 16.4% të sipërfaqes se parkut – pra siç shihet është ruajtur i njëjti raport si më parë,” shtoi Tabaku.
I ndërtuar në vitet 70’ dhe i rikonstruktuar në vitin 2002, parku Rinia është parku më i madh në qytetin e Elbasanit. Ai është i vendosur në pjesën lindore dhe konsiderohet si mushkëria e qytetit industrial.
Rikualifikimi urban i këtij parku është mbështetur financiarisht me anë të një granti prej 247 milionë lekësh të qeverisë shqiptare, si pjesë e programit të Rilindjes Urbane të financuar nëpërmjet Fondit të Zhvillimit të Rajoneve. Rikualifikimi urban i parkut Rinia ka qenë dhe projekti më i madh i financuar nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve për bashkinë e Elbasanit.
Projekti për rijetëzimin e parkut është hartuar nga bashkia e Elbasanit në bashkëpunim me ‘Boom Landscape,’ – studio e specializuar në projektim arkitektonik peizazhi, e cila në portofolin e saj disa projekte të ngjashme në Shqipëri edhe Europë.
Por kredencialet e studios hollandeze nuk kanë mjaftuar për t’i bindur qytetarët e Elbasanit për përdorimin e betonit në projektin e rikualifikimit të parkut.
“Cila është arsyeja për të shpenzuar aq shumë para për struktura betoni aq të kushtueshme, aq të papërshtatshme për njerëzit kur bukuria e parkut është gjendja e tij sa më natyrore?” pyet Teuta Toska, pedagoge pranë Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin Aleksandër Xhuvani.
I shqetësuar për përdorimin e tepërt të betonit është edhe aktivist i shoqërisë civile, Xhafior Cankja, i cili mendon se ndërhyja në park duhet të ishte kufizuar në shtimin e gjelbërimit, pemëve, stolave dhe ndriçimit.
“Ndërhyrjet e tjera janë të tepërta dhe të panevojshme dhe aq më tepër kur brenda hapësirave të gjelbërta ndërtohen objekte që nuk kanë lidhje me gjelbërimin dhe parkun,” tha ai. “Gjithashtu edhe vlera e investimit duhet të jetë në proporcion me nevojat e tjera të qytetit,” shtoi Cankja.
Arkitekti i bashkisë Gentjan Tabaku, e mbron përdorimin e betonit në projekt duke nënvizuar se ky material ndërtimi ka përparësitë e veta.
“Betoni u zgjodh si element bazë për një sërë arsyesh si kosto e ndërtimit, lehtësia e punimit, qëndrueshmërinë në kohë, koston e ulët të mirëmbajtjes dhe për estetikën që ofron,” tha ai.
“Duke qenë një material që krijohet nga materiale me bazë natyrore si guri, rëra, etj – u vlerësua si element që përshtatet më mirë me ambientin rrethues, për këtë arsye në shumicën e elementeve ku është përdorur është lënë në gjendjen e vet origjinale, për të evidentuar sa më shumë përbërjen natyrore të tij,” shtoi Tabaku
Gjithashtu, arkitekti nënvizoi se duke u mbështetur në përvojën e investimeve të ngjashme, rezulton se ky material apo çdo element urban i krijuar me ketë material ka rezultuar shumë më i qëndrueshëm në kohë ndaj veprimeve të jashtme nga agjentët atmosferikë apo njerëzorë.
Tabaku nënvizon se sheshet e betonizuara dhe mobilimi urban janë përqendruar në kufirin jugor të parkut, pasi sipas tij realizojnë një tranzicion të butë nga mjedisi urban i qytetit – duke i përqendruar funksionet e argëtimit në një vend, në mënyrë që pjesa tjetër të mbetet e gjelbër.
Lidhur me kanalin ose transhenë e hapur përmes parkut, arkitekti shprehet se ka si funksion të shërbejë si kopësht shëtitje.
“Kanalin që në projekt e kemi quajtur kopshti i freskisë pasi ka qëllim të ofrojë një mjedis të qetë dhe të freskët për pushim dhe me shëtitje,” tha Tabaku. “U zgjodh kjo formë në mënyrë që përdoruesve ti ofrohej ky mjedis i pandërprerë nga pjesa tjetër,” shtoi ai.
Tabaku tha se muret janë projektuar me gurë zaranike për të krijuar një lidhje organike me muret e kalasë së Elbasanit, ndërkohë pasarelat me konstruksion metalik janë zgjedhur duke i bërë thirrje të kaluarës industriale të qytetit. Në këtë pjesë të parkut janë planifikuar edhe dy ambiente nëntokësore në pronësi të bashkisë për të ofruar shërbime për qytetarët. Të ardhurat që do të përftohen nga këto dy ambiente do të shërbejnë për mirëmbajtjen e parkut. I pyetur nga BIRN mbi konsultimin me publikun të këtij projekti, Tabaku u përgjigj se duke qenë se parku nuk ndryshon funksion nuk parashikohet në ligj konsultimi i këtij projekti.
Ndryshe nga Tabaku, arkitekti elbasanas Edmond Kapllani shprehet se edhe pse i lirë betoni nuk është materiali me i përshtatshëm për parqet publike.
“Është e vërtetë që betoni është i lirë dhe i qëndrueshëm por ka disa anë negative si fakti që nuk thith ujin – që në qytete me pjerrësi është i nevojshëm pasi një sipërfaqe e gjelbëruar thith 3 herë më shumë ujë se sa një sipërfaqe e betonizuar,” tha Kapllani.
“Po kështu gati 4 muaj në vit krijon reflektim të nxehtësisë duke humbur qëllimin e një zone të freskët. Duhet të shikohet me vëmendje vendosja e pemëve duke llogaritur dhe diellin për të zbutur disi këtë fakt,” shtoi ai.
Sipas Kapllanit kanali ose shëtitorja që çan përmes parkut është një risi dhe jep një ide pozitive, por nëse është menduar si vazhdimësi e Kalasë së Elbasanit, ajo është shumë larg për të bërë një analogji të tillë.
“Ky element krijon edhe idenë e ndarjes së parkut në dy pjesë pavarësisht vendosjes së urave,” tha ai.
Arkitekt Kapllani mendon se edhe zgjedhja e modelit të rrugicave nuk ka qenë e gjetur pasi duke u menduar elementë funksionalë si ai çlodhjes për të moshuarit, për të rinjtë, këndet e lojërave për fëmijët dhe ato sportive, duhet të ishte zgjedhur modeli i “një trungu peme me degët”, ku secila rrugë të dërgon në këto kënde për njerëzit që kanë qëllim të shkojnë atje dhe jo një skemë kuadratike që sikur e ngurtëson hapësirën e parkut dhe i humbet atij elementet spontanë dhe peisazhistik.
“Ekipi projektues ka futur konceptin e parkut qendror duke e zëvendësuar me konceptin periferik ekzistues, por modeli i përzgjedhur është i parakohshëm dhe i paintegruar me planin e zhvillimit të qytetit,” përfundoi arkitekti elbasanas. /marrë nga Reporter.al