Pas tërmeteve të forta, Greqia po kërcënohet nga zjarret masive. Një zjarr i madh raportohet se ka përfshirë sot ishullin Evia, afër Athinës, duke lënë të plagosur rëndë tetë persona, të cilët ndodhen në spital me probleme serioze në frymëmarrje.
Flakët janë regjistruar në një pyll të dendur me pisha, të cilat në orët e mbrëmje janë përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar shumë zona. Për pasojë, janë evakuuar banorët e katër fshatrave të bashkive Dhition-Mesapion, si dhe është urdhëruar evakuimi i banorëve nga dy fshatra të tjerë që kërcënohen, Platania dhe Stavros. Situata paraqitet tepër emergjente, ndaj dhe Sekretaria e Mbrojtjes së Përgjithshme ka kërkuar ndihmë nga BE për shuarjen e zjarrit.
Në zonë ndodhen 300 zjarrfikës, ndërsa kanë ndaluar fluturimet e Canadair, pasi zjarri kërcënonte edhe sigurinë ajrore. Sipas medieve fqinje, tymi i zi ka mbuluar krejt qiellin e Athinës, ndërsa rrezikohet nga flakët edhe zona e populluar e Psahna. Deri më tani, raportohet se janë shkrumbuar fshatrat Makrimali dhe Kontodespoti në ishullin Evia.
Për situatën e tmerrshme kanë reaguar edhe kryeministri Kyriakos Mitsotakis dhe ministri i Brendshëm, Takis Thedhorikakos, të cilët kanë deklaruar se mekanizmi shtetëror është në gatishmëri të plotë për mbrojtjen e banorëve.
Ndërsa situata paraqitet jashtë kontrollit në orët e mbrëmjes, Kroacia dhe Italia kanë reaguar me urgjencë ndaj kërkesës së qeverisë greke, duke dërguar aeroplanë për shuarjen e zjarrit.
Një vit më parë, Greqia u përballë me një nga zjarret më shkatërrues që janë parë ndonjëherë, nga të cilët humbën jetën 103 njerëz, mes tyre edhe tre shqiptarë.