Pamjet e vendit të ngjarjes nga pallati në rikonstruksion, ku humbën jetën dy punëtorë dhe u plagosën tre të tjerë. Në video duket një prej punëtorëve të lënduar pas shembjes së skelës, i shtrirë përtokë.
Shoqërohet administratori i punimeve
Policia konfirmoi se ka shoqëruar administratorin e punimeve “për veprime të mëtejshme”.
Ishte kompania “Skela Syla SHPK” dhe subjekti “Person Fizik Xhimi Tarushi” që po kryenin punimet e rikonstruktimit të ndërtesës.
(Ora 16:45) Rëndohet bilanci/ Kush janë dy punëtorët që humbën jetën nga shembja e skelës në Tiranë. 3 të plagosur
Ka ndërruar jetë edhe punëtori që mbeti i bllokuar nën rrënoja pas shembjes së skelës në kryeqytet.
Dy personat që kanë ndërruar jetë janë Ergys Brahimaj 36 vjeç dhe Orjan Kodra 31 vjeç.
Ndërsa tre punëtorë e plagosur janë Genti Bardhi 44 vjeç, Euglidios Lika 34 vjeç dhe Altin Marku 36 vjeç, të cilët ndodhen në spitalin e Traumës. Burime nga spitali thanë se të lënduarit kanë dëmtime të shumta, megjithatë gjendje e tyre është e stabilizuar.
Ngjarja – Sipas një rindërtimi paraprak të ngjarjes nga policia, ora shënonte rreth 15:00 kur nga një ndërtesë në rikonstruksion në rrugën “Faik Konica” është shkëputur një pjesë e skelës metalike. Si pasojë e shkëputjes së skelës janë dëmtuar punëtorët të cilët ndodheshin duke punuar pranë këtij objekti. Dy punëtorët që humbën jetën, i ka zënë skela poshtë.