Në një intervistë për RTV Ora, analisti i njohur Ilir Demalia është shprehur se është paaftësia e opozitës, shoqërisë shqiptare dhe elitës intelektuale që Kryeministri Rama vazhdon të jetë në qeveri.
Por ai i krahasoi fitoret e Ramës me ato të Pirros së Epirit duke shtuar se fundi do jetë tragjik, por jo për kryeministri por për Shqipërinë e shqiptarët.
Ilir Demalia: “Opozita pothuaj ka të paktën 9 muaj, që kur ka dalë nga Parlamenti por edhe më përpara, që thotë çdo javë, muaj që ky është fundi i Edi Ramës, i Rilindjes. Në fakt fundi i Rilindjes ka ardhur me kohë por nuk ka një forcë, dhe këtu sigurisht është opozita dhe paaftësia e shoqërisë shqiptare që nuk është në gjendje të dalë nga kjo rrugë edhe paaftësia, pafuqishmëria, imoraliteti i asaj klase që e quan veten elitë intelektuale ka ardhur në një gjendje që Edi Rama të sundojë dhe të marrë “fitore pas fitore”. Janë fitore si të Pirros së Epirit, që Rama mund të mbyllë mandatin, mund të vazhdojë edhe dy vite por fundi do jetë tragjik. Nuk është çështja që do jetë tragjike për Rilindjen dhe Edi Ramën. Do jetë tragjik për Shqipërinë, për shoqërinë shqiptare, për shtetin.”
Demalia analizoi edhe situatën në Shkodër duke u shprehur se është shqetësues fakti se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.
Ilir Demalia: “Shkodra sot kishte trazira. Por shqetësuese nuk janë trazirat, problemi është çfarë do të ndodhë në të ardhmen. De facto shteti shqiptar sot është i destrukturuar. Kjo do të thotë që nuk funksionon. Ajo që është më e rënda është se gjithë kjo klasë politike di këtë gjendje, janë të ndërgjegjshëm dhe prapë po vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë. Jemi në një rreth vicioz të mbyllur dhe Shqipëria sot është si të thuash jo vetëm e distancuar dhe e larguar nga pretendimet e saj për t’iu bashkangjitur Evropës por nuk ka elementët bazikë të funksionimit të shtetit, të shtetit të së drejtës se për demokraci harroje, jemi ende shumë, shumë larg. Duhet thënë që kemi bërë hapa mbrapa.”