Nga Red Varaku
Edhe pse i dështuar dhe i diskretituar si hajdut psiqik, ai vazhdon të na qeverisë .Edhe pse i delegjitimuar nga Zëri i Amerikës dhe gjermanët e BILD , si një kryeministër që i ka vjedhur zgjedhjet në bashkëpunim me krimin, ai sërish vazhdon të na qeverisë , duke na poshtëruar dhe më shumë
Jo vetëm nuk është tërhequr, por këto gjashtë muaj, ai dhe banda e tij i janë vërsulur të babëzitur pasurisë publike, duke marrë aq vendime të rëndësishme dhe akte që synojnë vetëm pasurimin e individëve, sa nuk kanë bërë gjithë qeveritë për 30 vite bashkë.
Babëzia me të cilën ai ka filluar të zhvatë prona publike, pasuri nëntokësore, pasuri pyjore, naftë, krom, bakër, lumenj, liqene, ndërtesa, livadhe, janë të tilla që asnjë pushtues nuk do kishte mundur t’i bënte. Gjithë pazaret e pambaruara të gjashtë viteve në pushtet, u bënë realitet në këto gjashtë, falë VKM-ve të tij dhe qartësisë për të rrjepur çdo lek deri në minutën e fundit.
Nga momenti kur ai u përlot para PS-së në 30 Qershor, deri tek trimërimi i tij në asamblenë socialiste, reflektohet gjithë thelbi i raportit që ai njeri ka me shtetin dhe pushtetin. Ai po dëshmon se shteti për të është si pronë personale e tij. Por, më tej akoma kultura e mospranimit të dështimit është për të një kulturë e huaj.
Ai nuk mund të pranojë që ka dështuar. Mbi të gjitha, ai nuk e kupton se ka ardhur koha të largohet . Ai nuk e kupton dot se si shteti shqiptar nga çiflig i tij personal, të mund të kalojë në administrim të një force tjetër politike.
Por, me sa duket ai e ka kuptuar që largimi i tij nuk varet shumë prej tij dhe se pushtetit të tij po i vjen fundi. Është kjo arsyeja që gjatë këtyre gjashtë muajve, ai është angazhuar në një zhvatje të pangjashme të pasurive tona kombëtare, në det , në ujë , në nëntokë e në mbitokë.
Lotët e tij të fitores janë kthyer befas në thonj që po zhvasin gjithçka. Ndërsa, fjalët e tij janë kthyer në breshëri plumbash mbi ‘armiqtë imagjinarë’.
Kultura e mosdorëzimit është një kulturë primitive, e cila zë fill tek paligjshmëria me të cilën Rama ka sunduar dhe qeverisur. Në gjashtë vitet e tij si kryeministër, Rama ka sunduar politikisht duke e konsideruar opozitën si armike.
Ai është udhëheqësi i vetëm i Shqipërisë paskomuniste, që e ktheu krimin në strategji shtetërore duke kanabizuar vendin dhe duke kriminalizuar shoqërinë. Është kryeministri që ka zgjedhur marrëveshjen me krimin e organizuar dhe jo me qytetarët, vetëm nga makthi se qytetarët i rrezikojnë pushtetin. Si i tillë ai për gjashtë vite ka drejtuar shtetin si një projekt politik për plaçkitjen e vendit , si një projekt kundër opozitës, kundër popullit të tij.
Ai riktheu në Shqipëri ndarjen klasore dhe persekutimin politik, ku një qytetar nuk merrte dot as legalizimin, pa bekimin e tij dhe banditëve të tij lokalë.
Ai riktheu shtetin politik, ku banditët të veshur me kostume politike , nëse të shikonin si armik të tij , të mbyllnin çdo derë shërbimesh në zyrën e shtetit. Ai riktheu kulturën e anti-shtetit, kapjen e institucioneve të pavarura dhe përdorimin e pushtetit për të ndëshkuar median kritike.
Ai është kryeministri që nënshtroi mediat. Ai është njeriu që ndau biznesmenët në miq të tij dhe në armiq të tij, duke përdorur shtetin si institucion shpërblimi ose ndëshkimi ndaj tyre.
Ai është kryeministri që vuri në rresht intelektualët pa kërbisht të këtij vendi, tē cilët heshtin përballë makabriteteve të kësaj qeverie dhe sulmojnë opozitën për një kothere bukë më shumë , a për një vend pune për vete ose fëmijët e tyre.
Ai është kryeministri, që prej dy vjetësh nuk po qeveris asnjë ditë për qytetarët, por për të mbijetuar në pushtet, duke sulmuar çdo ditë opozitën, duke plaçkitur çdo ditë popullin.
Ai bën gjithçka për të mbuluar skandalet e besnikëve të tij, me bizneset e tyre informale, që shpesh transportonin drogë, por kurrë nuk u interesua si kryeministër i këtij vendi të respektonte lirinë ekonomike, konkurrencën e lirë dhe të drejtën për të jetuar në këtë vend, pa patur nevojë për ndonjë lidhje me dikë nga besnikët e tij në terren.
Dhe pikërisht pse po qeveris kështu, mbështetja e tij ka kapur minimumin historik. Ka gjashtë muaj që po hakmerret ndaj shqiptarëve duke u përpjekur natë e ditë të lërë një shtet të shkatërruar, një ekonomi piramidë, një inventar pasurish të plaçkitur dhe një shoqëri të dorëzuar në duar të krimit.
Ky është një bilanc i padurueshëm. Ky është një bilanc.
Ka ardhur ora që ai të largohet me dinjitet. Ka ardhur ora që ta lërë Shqipërinë të ecë në rrugën dhe fatin e saj, dhe t’ i japë shanse vetes që të gjykohet nga ligji dhe vota e shqiptarëve. Kjo do ta bëjë më të lehtë fundin e tij dhe më të sigurt të ardhmen e pasardhësve të tij. Ndryshe, zemërimi dhe urrejtja e paarsyeshme, mund të kthehet njëqind fish mbi atë dhe familjen e tij kriminale.