Qendra në Kashar ku drejtohen të gjithë poseduesit e nje mjeti automobilistik, për t’u pajisur apo rinovuar dokumentacionin përkatës prej vitesh është kthyer në një ferr të vërtetë për qytetarët të cilëve ju duhet që të harxhojnë orë të tëra në radhë të gjata pritjeje.
Për të shmangur sa më shumë këtë gjë, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor nëpërmjet një shpallje zyrtare njofton se duke nisur që nga 20 gushti çdo qytetar do të mund të evitoje radhën e gjatë të pritjes për shërbimet në Kashar, pasi mund të rezervojë online orarin e takimit për 9 shërbimet si më poshtë:
Ndryshimi i pronësisë mbi mjetin (kur zotëron kontratën e shitjes)
Kontratë shitblerje për mjetin
Humbja, vjedhja, shkatërrimi ose dëmtimi i targës/targave
Humbja, vjedhja, shkatërrimi ose dëmtimi i Lejes së Qarkullimit
Ndryshimi i vendbanimit të pronarit të mjetit
Ndryshimi i gjeneraliteteve të pronarit të mjetit
Ndryshimi i karakteristikave konstruktive dhe funksionale të mjetit
Çregjistrim i përkohshëm i mjetit
Çregjistrim i përhershëm i mjetit
Në njoftimin zyrtar, DPSHTRR njofton se rezervimet online, do të lehtësojnë 45 % të praktikave në rang vendi si dhe 60 mijë praktika në vit.