Presidenti amerikan, Donald Trump, duke folur për çështjen e ndryshimeve klimatike pasi nuk mori pjesë në mbledhjen e G7 për këtë temë, paralajmëroi se pasuria amerikane bazohet në energji dhe nuk do ta rrezikojë atë për shkak të ëndrrave klimatike dhe turbinave të erës.
Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili në vitin 2017 tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja klimatike e Parisit, ka deklaruar më parë se ngrohja globale është mashtrim.
Marrëveshja e Parisit në 2015 u nënshkrua nga pothuajse 200 vende.
“Unë besoj se Shtetet e Bashkuara kanë pasuri të jashtëzakonshme. Ajo gjendet nën këmbët tona.Unë i kam dhënë jetë asaj pasurie dhe ne tani jemi prodhuesi numër një në botë i energjisë, dhe së shpejti do të jemi shumë më larg se të gjithë të tjerët, “tha Trump në samitin e G7 në Biarritz, Francë.
“Nuk do ta rrezikoj atë pasuri, nuk do ta humbas për shkak të ëndrrave, për shkak të turbinave të erës, që sinqerisht nuk funksionojnë shumë mirë,” shtoi lideri amerikan.
Administrata e Trump rrëzoi masat mjedisore të ndërmara nga paraardhësi i tij Barack Obama si dhe ligjet e mëparshme për mbrojtjen e specieve të rrezikuara.
Presidenti republikan në Biarritz nuk mori pjesë në takimin për ndryshimin e klimës dhe biodiversitetin. Gjatë asaj kohe, ai pati takime bilaterale me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe kryeministrin indian Narendra Modi.
Drejtuesit e G7 diskutuan për zjarret në Amazonë dhe ranë dakord që në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara muajin tjetër të ndërmarrin një iniciativë për pyjet e rëndësishme të shiut.
Trump në konferencë e quajti veten mbrojtës të natyrës dhe deklaroi se gjatë karrierës së tij si shitës i pasurive të paluajtshme i është nënshtruar vlerësimeve të shumta të ndikimit në mjedis.
“Unë dua ujin më të pastër në Tokë. Unë dua ajrin më të pastër në Tokë. Dhe kjo është ajo që ne bëjmë. Unë jam një ambientalist, shumë njerëz nuk e kuptojnë këtë. Kam nënshkruar më shumë vlerësime të ndikimit në mjedis sesa kushdo që ishte President. Dhe unë mendoj se di më shumë rreth mjedisit sesa shumica e njerëzve, “përfundoi presidenti amerikan.