Për të udhëtuar në destinacione europiane me kompaninë “Air Albania”, do të na duhet ende të presim. Kompania kishte njoftuar që në fillim të gushtit se duke nisur nga data 30 shtator do të nisnin fluturimet edhe në Europë, me destinacione Romën, Milanon dhe Bolonjën, por mundësitë që kjo të ndodhë janë të pakta.
Burime në EASA dhe DG Move (Drejtoria e Përgjithshme për Transportin në Komisionin Europian) i thanë gazetës se kërkesa e shoqërisë ajrore “Air Albania” për TCO është refuzuar në fund të gushtit. Por siç shihet në listën zyrtare të shoqërive ajrore me autorizim TCO, e vetmja linjë ajrore në Shqipëri që ka marrë një autorizim të tillë është “ALBAWINGS SHPK”.
Për marrjen e përgjigjes negative ka edhe disa argumente ligjore. Së pari, shteti shqiptar është pronar i vetëm 10% të aksioneve përmes agjencisë shtetërore ALBCONTROL. Kjo agjenci, që menaxhon hapësirën ajrore për aviacionin civil, duhet të jetë neutrale ndaj linjave ajrore që fluturojnë në Shqipëri.
Duke qenë aksionere në një shoqëri ajrore, ALBCONTROL bie në konflikt interesi dhe dyshohet apriori se favorizon këtë shoqëri kundrejt të tjerave. Së dyti, ligji shqiptar (Kodi Ajror, pika 1 e nenit 15 dhe udhëzimi i Ministrisë së Transportit 17/2010, nënpikat 1a e 1b e pikës 6) dhe rregullat europiane kushtëzojnë vlefshmërinë e licencës me një gjendje financiare të shëndetshme, që mund të përballojë shumë muaj aktivitet me humbje. Bazuar në raportin financiar 2018 tek “Air Albania”, shoqëria rezulton me humbje dhe në mungesë të mjeteve financiare.
Dhe së fundmi, ligji shqiptar (Kodi Ajror, pika 2c e nenit 13) dhe rregullat europiane kushtëzojnë vlefshmërinë e licencës me kontrollin efektiv të shoqërisë nga shtetasit e shtetit që lëshon licencën ose edhe nga shtetas të BE-së. Të dhënat nga QKB-ja tregojnë se administrator i shoqërisë “Air Albania”, është një shtetas turk lindur në Stamboll dhe përfaqësues me prokurë i shoqërisë “Turkish Airlines”, pra një qytetar joshqiptar dhe jo I BE-së.
E njëjta gjë mund të thuhet për personat që janë drejtor Fluturimesh, drejtor Trajnimesh e drejtor Mirëmbajtjeje të kompanisë “Air Albania”. Pra, “Air Albania” nuk ndodhet nën kontrolli efektiv siç e kërkon ligji. Themelimi i “Air Albania” në pranverë 2018 u prit me kritika nga opozita, e cila e quajti të papranueshme që shtetasi shqiptar e turk të bëhej aksioner me 41% të aksioneve i “Air Albania”, pra katër herë më shumë se shteti, pa investuar kapital. Ndërkohë, pjesën tjetër të aksioneve, pra 49%, i ka “Turkish Airlines”.