Gazetari Kastriot Dervishi, ish-drejtor i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, ka bërë një denoncim të fortë në rrjet, ku shprehet se një zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Policisë së Shtetit është me shkollë sigurimi (titulluar oficer sigurimi).
Dervishi argumenton se pavarësisht nisjes së procesit të vettingut në Policinë e Shtetit, personi në fjalë vijon të mbetet i paprekshëm, pra qëndron në vendin e punës ndërkohë që ligji e ndalon diçka të tillë.
“Pasi konstatohet fakti, mos vallë duhet bërë muhabet? Çfarë ka këtu për verifikime? Komisioni duhet të marrë vendimin e shkarkimit nga detyra ose ligjvënësi të ndryshojë ligjin. Çdo qëndrim në detyrë i tyre është shkelje ligji”, shprehet Dervishi ndër të tjera.
Denoncimi i plotë i Kastriot Dervishit
Si po shkon vetingu në Polici?
Referuar emrave të bërë publikë, rezulton që një zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Policisë së Shtetit në Ministrinë e Brendshme është me shkollë sigurimi (titulluar oficer sigurimi).
Vetingu ka filluar, por nuk po shohim që zëvendësdrejtori të shkarkohet sipas kërkesave të ligjit të vetingut. Policia i zotëron 100% të dhënat nga dosjet e kuadrit. Nuk ka pse bën kërkesa në drejtime të tjera. Pasi konstatohet fakti, mos vallë duhet bërë muhabet? Çfarë ka këtu për verifikime? Komisioni duhet të marrë vendimin e shkarkimit nga detyra ose ligjvënësi të ndryshojë ligjin.
Çdo qëndrim në detyrë i tyre është shkelje ligji. Referuar emrave objekt verifikimi është për të qarë hallin ku ka përfunduar Policia! Po çfarë i doni more ata skorje komunizmi që kanë qenë oficerë Sigurimi apo komandantë e komisarë postash kufiri që i mbani drejtorë? Të postave të vitit 1990 madje!
Dhe me shërbim në Shkodër madje! Me këta punëtorë partie do e ndrisni luftën kundër krimit?!