Plaga më e madhe që po vuan sot Shqipëria është largimi i rinisë. Shpresën se në vendin e tyre mund të ketë të ardhme ja kanë vrarë dhe prandaj sfida kryesore është për ta frenuar këtë fenomen, duke rikthyer këtë shpresë.
Arqipeshkëvi i Shkodër-Pult, imzot Angelo Massafra duke përcjellë këtë shqetësim, kërkoi që të gjithë të punojmë për ta ndërtuar të ardhmen këtu, e duke ushtruar presion të shëndoshë mbi ata që kanë pushtetin politik dhe ekonomik në duar.
Imzot Angelo Massafra: Largimi i të rinjve varfëron vendin tonë, kini kujdes prej çdo forme arratisjeje, jo vetëm asaj fizike nga atdheu juaj por edhe asaj morale që ka shijen e mosangazhimit. Kemi detyrë të lëmë gjurmë pozitive gjatë kalimit tonë në këtë botë për të mos qenë fajtorë me lëshime.
Kisha katolike ka zgjedhur jo vetëm të rrijë në kuadrin e apelit, por përmes caritasit shqiptar dhe në partneritet me atë austriak, si dhe financim të Agjensisë Austriake për Zhvillim t’i japë jetë projektit “Puna juaj”.
Ai ka si synim fuqizimin e të rinjve duke sfiduar barrierat sociale dhe ekonomike të rajonit tonë.
Helmut Rauth: Puna jonë konsiston në aleanca. Asnjë aktor nuk mund të përballojë i vetëm sfidën globale të varfërisë. Duam të punojmë për një të ardhme më të mirë të fëmijeve tane dhe të të gjithë njerëzve. Dioqezat janë një derë e hapur në Austri për ata njerëz të disavantazhuar, e kështu besoj janë kudo. Ne duam të forcojmë punën e tyre për të mbështetur dhe integruar këto shtresa, e veçanërisht të rinjtë.
Simone Ungersbock: Është bukur kur i gjithë rajoni i Ballkanit është këtu. Shqipëria për ne ka qënë gjithmonë e rëndësishme, prandaj prezenca jonë prej 1993-it, është e fokusuar në tre fusha: Qeverisje dhe shteti i së drejtës, Menaxhim i ujrave dhe Edukim e punësim. Ju keni famullitë tuaja dhe zyrat e caritas që janë më afër grupeve vulnerabël dhe mund të adresoni aty ku është problemi. Duhet angazhim i të gjitha palëve dhe veçanërisht i qeverisë. Ju keni vende të mrekullueshme, prandaj duhet të mbështeten të rinjtë dhe të mundësojmë që ta shohin të ardhmen këtu.
Projekti është Ballkanik dhe shtrihet në katër vende të rajonit, përkatësisht në Serbi, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Shqipëri.
Target grupi me të cilin do të punohet janë të rinj nga mosha 15 deri në 30 vjeç, me vështirësi të ndryshme ekonomike-sociale, pra shtresa më vulnerabel e rinisë.
Mënyra me të cilën do të përfitojnë këtë fuqizim të tyre do jetë përmes kurseve të aftësimit personal dhe kurseve të aftësimit profesional të gjitha të financuara nga ADA.