NGA PËLLUMB NAKO 

Çfarë nënkuptohet me fenomenin e korrupsionit si një kod kulturor brenda klasës drejtuese politikoekonomike? Në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, në shoqërinë amerikane të asaj kohe, ekzistonte një tabu, sipas së cilës subjekti kriminal ndodhej në fund të piramidës shoqërore. Pra, kriminelë mund të bëheshin vetëm individë nga shtresat e ulëta shoqërore. Dhe kur kriminologu i njohur Sanderland e shkallmoi këtë tabu duke folur dhe shpjeguar krimin, të cilin e quajti të jakave të bardha, pra, të klasave në majë të piramidës sociale, institucionet amerikane të asaj kohe e ndaluan publikimin e studimit të tij. Studimi e pa dritën e botimit në vitin 1983. Pra, duket se pas këtyre viteve, në SHBA kishte ardhur koha që fenomenet kriminale të shiheshin me sy tjetër në raport me piramidën sociale. Dhe kështu ndodhi.

Në fund të shekullit të kaluar dhe në fillimet e këtij aktual, SHBA kaloi në një stad tjetër në trajtimin e fenomenit kriminal në raport me shtresat sociale. Ky kapërcim është evidentuar nga Aleksandër Still, gazetar dhe shkrimtar amerikan, në një artikull të shkruar nga ana e tij me titull, “Vendi ku të fuqishmit futen në burg”, në të cilin ai ka paraqitur një liste mbresëlënëse personash të fuqishëm ekonomikisht dhe politikisht të dënuar nga drejtësia amerikane. Me dënime përfundimtare në burg.

Nëse sot, në vendin tonë, shohim përbërjen sociale të personave të dënuar në mënyrë përfundimtare dhe që popullojnë burgjet e vendit, me përjashtime tepër të rralla, jemi në Amerikën e viteve ‘30. Burgun e vuajnë vetëm individë që kanë kryer krime të ndryshme dhe që u përkasin shtresave sociale modeste të shoqërisë shqiptare. Fakti është mjaft i ditur masivisht nga opinioni publik i brendshëm dhe i jashtëm. Madje, në përmasa të tilla sa që përndryshe nuk do të kishte arsye të ndërtohej institucioni i SPAK-ut. Aq më tepër, vështirësitë e tij për të parë dritën e diellit sa më shpejt të jetë e mundur.

A do të jetë në gjendje SPAK të kthejë këtë raport? Pra, t’u vërtetojë majave të piramidave të shoqërisë shqiptare se krimi është edhe pjesë e tyre dhe duke mos u ndëshkuar, ai shkatërron tërësisht ekuilibrat e shoqërisë? Optimizëm ka. Pritshmëri po ashtu. Por a mjafton?

Problemi i ditës për shoqërinë shqiptare sot qëndron në faktin se disa aspekte të veprimtarisë antiligjore si korrupsioni kanë fituar masivitet dhe aktualisht përbëjnë kodin kulturor të të gjitha shtresave shoqërore të vendit. Pa përjashtim.

Sot nuk ka asnjë individ, asnjë shtresë e asnjë klasë sociale, asnjë grupim profesional, asnjë hierarki institucionale e më shumë, që nuk e sheh korrupsionin si një fenomen tepër negativ për fatet e vendit. Ndërkohë, vetë fenomeni aq shumë i nëmur është më i përhapuri. Në të gjitha shtresat. Jo thjesht si vepër penale, por si kulturë e çdo shtrese sociale të vendit. Motoja “se kështu funksionon” është shprehja më e qartë e këtij kodi kulturor.

Në të njëjtin rrafsh, deri më sot, nuk ekziston asnjë diskutim i vetëm publik i shqiptuar nga çdo individ me përgjegjësi politike që nuk e sulmon apo e dënon ashpër fenomenin si tepër negativ. Ndërkohë, SPAK po ndërtohet pikërisht për këtë shtresë të shoqërisë.

Nuk është e ekzagjeruar, por është më shumë se normale që për të kuptuar se përse ndodh një gjë e tillë, edhe shoqëria në tërësi, por sidomos klasa politike në veçanti, duhet analizuar me syrin dhe argumente të kriminologëve. Një analizë e tillë, e zhveshur nga çdo ngjyrim politik, por e parë nën prizmin e fenomeneve sociale dëshmon se fenomeni i korrupsionit, i cili ndoshta do të marrë goditje të madhe në rangjet e larta të shoqërisë nëpërmjet SPAK-ut, nuk mbaron me të. Pjesa më e rëndë i takon grupimit politik, që po kërkon të marrë pushtetin për të thyer pikërisht këtë kod kulturor kontrovers të brendshëm të klasës politike në aliazh me shtresat e larta të pasura ekonomikisht.

Sipas kriminologëve, korrupsioni i kthyer në një kulturë, përbën atë që quhet deviancë sociale, e cila në vetvete kupton një proces social që nëpërmjet përvetësimit masiv të një fenomeni kriminal, kthehet në kulturë.

Në rastin tonë, fenomeni i korrupsionit ka kryer të njëjtën kurbë duke u transformuar nëpërmjet masivizimit nga veprim kriminal i izoluar, në kulturë të shtresave shoqërore. Sidomos të atyre të vendosura në majat e piramidave. Kjo sepse ato kanë në dorë pushtet ekonomik e politik.

Në terma konkretë, procesi presupozon masivizimin si hap të parë. Akti shoqërohet edhe me veprime të tjera. Subjekti i korruptuar solidarizohet edhe me individë të tjerë që bëjnë të njëjtën gjë. I mbështet ata, qoftë dhe në heshtje. Askush nuk denoncon. Por edhe nëse ndonjëri do të merrte kurajën dhe të denonconte faktin, do të ishte i izoluar. Do të stigmatizohej. Madje, mbi do të derdhej një makineri e tërë balte për ta diskredituar publikisht. Ndërkohë, procesi plotësohet e pasurohet me forma të tjera masive kriminale të kthyera po ashtu në kulturë, si shantazhimi. Nuk mund të ngjiten shkallët sociale pa qenë i shantazhueshëm. Përveç asaj të thënë më lartë, fenomeni në vendin tonë merr përmasa edhe më arrogante.

Brenda shtresave të larta e të fuqishme me markë shqiptare, korrupsioni nuk konsiderohet si deviancë sociale. Askujt nuk i vjen turp. Sepse kodi kulturor brenda klasës e sheh si performancë. Madje. askush, nuk “tregon kujdes” ta fshehë luksin, por përkundrazi e reklamojnë atë me krenari deri në mburrje. Nuk janë të paktë individë në shtresat e larta të piramidës shtetërore, të cilët mburren se bënë kaq apo aq miliona. Kriminologët thonë së kur të gjithë janë të korruptuar, korrupsion nuk ka.

Nisur nga ky realitet, përse ndodh që shtresat e larta e shohin fenomenin e korrupsionit si shfaqje kriminale vetëm në raport me shtresat më të ulëta, për të cilat rezervohet burg? Ky paradoks nuk ka për shkak thjesht harbutërinë, por reflektohet si fenomen social i njohur dekada më parë edhe në vende të tjera.

Gjithmonë sipas kriminologëve, të gjitha shoqëritë moderne, (edhe ajo e vendit tonë), karakterizohen nga ekzistenca e shumë shtresave apo klasave sociale. Secila prej tyre ka një kod sjelljeje dhe kulture specifike të veçantë në raport me sjelljen e individit, pjesë e tyre. Por në rastin e korrupsionit në vendin tonë, shtresat në fund të piramidës shoqërore nuk e shohin korrupsionin si negativ brenda tyre, njëlloj si ato të vendosur në krye apo në mes të piramidës. Por të gjitha kanë qëndrim armiqësor, kur bëhet fjalë për rastet jashtë tyre dhe në raport me korrupsionin si kod kulturor të përgjithshëm. Ky fenomen social bën që publikimi i një skandali korruptiv të jetë katastrofik. Kjo, sepse bërja publike është momenti i vetëm kur shtresat sociale modeste “hakmerren” ndaj atyre të larta në kuadrin e devijancës së korrupsionit. Ndaj, ka shumë rëndësi transparenca. Kurse klasat sipër piramidës kanë fuqinë të lëvizin institucionet, po ashtu dhe drejtësinë, ndaj dhe shtresat poshtë tyre përfundojnë me shumicë në burg. Përveç SPAK-ut që do të ketë mision luftën kundër korrupsionit rast pas rasti, opozitës i duhet të thyejë kodin e tij kulturor të shtresave shoqërore të vendit.