NATO-ja duhet të qëndrojë në Kosovë deri sa Kosova të hyjë në NATO. Sa shpejt?1.
Raporti më i thjeshtë për “situatën politike dhe të sigurisë”, tridhjetë vjet pas rënies së Murit të Berlinit, është se Rusia u përpoq me sukses të ndikojë nëpërmjet operacioneve speciale të luftës elektronike në procesin zgjedhor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hungaria është shteti anëtar i BE-së, i cili ka shënuar aq prapakthim në demokraci sa që është në proces trajtimi për t’iu marrë e drejta e votës në BE, ndërsa Serbia, tridhjetë vjet pasi ia mori Kosovës të drejtën e vetadministrimit nëpërmjet të tankeve dhe shembjes së sistemit kushtetues të Jugosllavisë ende pretendon se është administratore legale e saj.
Ka edhe më shumë. Tridhjetë vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, ideja për një Evropë të Bashkuar është në konkurrencë me një Euro-Azi të bashkuar. Serbia do të nënshkruajë pjesëmarrjen në Bashkimin Ekonomik Euro-Aziatik (të prirë nga Rusia, e në shoqëri me Kazakistanin, Kirgistanin dhe shtete të asaj orbite) dy javë para shënimit të tridhjetë-vjetorit të shembjes së Murit të Berlinit.
Po ashtu, në këtë tridhjetë-vjetor të rënies së Murit të Berlinit, sytë e Serbisë tërhiqen edhe më drejt Lindjes, tej Rusisë e drejt Kinës. Ky vend ka investuar, nëpërmjet të ndërmarrjeve të veta shtetërore, rreth katër miliardë dollarë prej vitit 2011 e këtej, dhe ka zotuar pesë miliardë dollarë kredi për investime infrastrukturore. Firma kineze “Huawei” tashmë ka instaluar teknologjinë për njohje faciale (facial recognition) , me të cilin kompjuterët e policisë së Beogradit mund ta identifikojnë çdo person të cilin e konsiderojnë të rrezikshëm apo në fjalorin e sigurimsave serbë, “interesant nga aspekti i sigurisë”.
Nëse kjo firmë e instalon edhe rrjetin mobil 5G në Serbi, mund të hapet mundësia që të rritet për një shkallë shumë më të lartë përgjimi në Kosovë, nëpërmjet rrjetit telefonik serb në Kosovë, të cilin e ka legalizuar pushteti i Kosovës në bisedimet e veta në Bruksel.
2.
Kosova është e pasigurt në një Evropë që ka hyrë në cikël dilemash, dilemash që fillojnë me Brexitin në Perëndim dhe arrijnë te sa do të depërtojnë fuqitë joevropiane nga Lindja (Rusia, Kina, mbase Turqia). Për Kosovën, konflikti i papërfunduar me Serbinë është vetvetiu pengesë për finalizimin e shtetndërtimit. Por ky konflikt i papërfunduar është njëkohësisht mjet i Rusisë për të penguar konsolidimin e demokracisë liberale në Evropë, të simbolizuar nga anëtarësimi në NATO dhe BE. Rusia u përpoq, me tentim grusht shteti në Mal të Zi (përfshirë këtu edhe planin për vrasjen e liderit të saj Gjukanoviq), të ndalë aderimin e këtij vendi në NATO. Rusia u përpoq, nëpërmjet të trazimit të skenës në Maqedoninë Veriore, të pengojë të njëjtën gjë. Në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, Rusia tregoi me sukses se si mund të pengojë konsolidimin demokratik, me zgjerim të NATO-s dhe të BE-së. Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina mbahen si konflikte të papërfunduara – e para në relacion me Serbinë, e dyta në relacion me Republikën serbe brenda shtetit – dhe kështu të paafta për të ecur drejt konsolidimit demokratik. Në pikëvështrimin rus, Kosova gjendet në hartë së bashku me Ukrainën, Gjeorgjinë, republikat baltike dhe çdo shtet tjetër ku mund të goditet konsolidimi i Perëndimit. Në këtë hartë, Serbia duhet të luajë rolin e penguesit të konsolidimit.
Përgjigja e Kosovës deri më sot ka qenë e personalizuar me Hashim Thaçin – një kombinim injorance, korrupsioni dhe kërkim imuniteti nga ndjekja penale. Përgjatë dhjetë vjetëve, Kosova e pavarur ka hapur, me politikën e vet të jashtme, dyert për sulm kundër tërësisë tokësore dhe rendit kushtetues, aq sa të deklarojë publikisht nëpërmjet të zyrtarëve të saj se shpallja e pavarësisë dhe njohja e legalitetit të kësaj shpalljeje nga GJND-ja janë të negociueshme.
3.
Qeveria e re e Kosovës – nëse do të jetë një qeveri e ndryshimeve – duhet të përcaktojë si prioritet të vetin strategjik anëtarësimin në NATO. Kjo kërkesë është krejt e natyrshme ngase Kosova e sheh veten pjesë të një rendi të demokracive; para tridhjetë vjetësh kisha privilegjin që së bashku me figura të tjera të shoqërisë civile të formulonim një konsensus të ri të Kosovës, atë të një demokracie perëndimore, një konsensus që në fund prodhoi edhe shtetin e pavarur të Kosovës.
Por kjo kërkesë është krejtësisht e natyrshme edhe nga aspekti i konsolidimit të një zone sigurie në këtë pjesë të Evropës, duke e shtrirë NATO-n edhe në Kosovë. Dhe, për më tepër, kjo kërkesë është e një natyre të veçantë për Kosovën: duke qenë vend i çliruar nga NATO-ja, Kosova ka nevojë historike që të jetë pjesë e kësaj Aleance të çlirimtarëve të vet për të kontribuar për paqen në Evropë dhe gjetiu.
Natyrisht, anëtarësimi në NATO duhet t’i vërë pikë çfarëdo dileme rreth Kosovës, si nga aspekti i identitetit të vet shtetëror ashtu edhe të rendit të saj demokratik. Për shtetet anëtare të NATO-s, në këtë moment, ky do të jetë një sinjal i fortë se politika ruse e pengimit të konsolidimit të NATO-s nuk ka sukses.
Kësi sinjali konsolidimi të Kosovës nuk mund ta bëjnë shtetet e BE-së. Edhe po të mos kishte ndonjë problem me Serbinë, Kosova nuk ka gatishmëri institucionale për të qenë pjesë e BE-së. Ndërkohë BE-ja nuk ka një zë rreth Kosovës; në të janë integruar, me pëlqimin e Kosovës, qëndrimet që e njohin Kosovën si shtet dhe ato që e njohin si provincë e Serbisë.
4.
Përsëritja prej papagajsh se Kosova synon “integrimet euroatlantike” nuk do të mjaftojë. Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet t’i përcaktojë konkretisht hapat për anëtarësim në NATO dhe këtë synim normalizimi duhet ta shpallë në formë paralele me synimin tjetër të normalizimit, të përfundimit të konfliktit me Serbinë.
Ekziston një instrument i NATO-s, i cili mund të bashkëdyzojë këto dy synime normalizimi të Kosovës. Ky quhet MAP, shkurt për Membership Action Plan (Plani aksional për anëtarësim) dhe është një paketë detyrimesh përgatitore që i merr shteti, që synon anëtarësimin e që i prezanton si raporte vjetore të NATO-s deri në përmbushje të plotë. Pika e parë e MAP-it është “vullneti për të zgjidhur me mjete paqësore konflikte ndërkombëtare, etnike apo territoriale…”. Qeveria e re, duke kërkuar MAP-in prej NATO-s, do të informonte në mënyrë paralele për punën në përfundimin e konfliktit me Serbinë; që të dyja proceset do të mundë të ishin komplementare.
Dhe kjo nuk do të ishte hapësira e vetme komplementare. MAP-i mund të ishte nxitje për çkapjen e shtetit, ngase pjesë e këtij plani aksional është detyrimi për “zotim ndaj sundimit të ligjit dhe të drejtat e njeriut dhe kontrollit demokratik të forcave të armatosura”. Më tutje, do të ishte instrument i duhur për ta dizajnuar misionin e ushtrisë së ardhshme të Kosovës brenda konceptit të nevojave të NATO-s (“aftësia për të kontribuar për mbrojtjen e organizatës dhe misioneve të saj”).
Dhe së fundmi, do të ishte një prekje e realiteteve të disiplinës buxhetore: Kosova duhet të përgatitet që si standard i NATO-s të ndajë 2 për qind të bruto prodhimit vendor për nevoja të mbrojtjes, që në paratë e sotme do të ishte diku afro 150 milionë euro në vit.
5.
Qeveria e ardhshme duhet të përcaktojë si objektiv kërkesën për MAP. Që në atë moment do të ketë plot mohues dhe kritikues. Disa, me të drejtë, do të pyesin si është e mundur që NATO-ja, organizata që ka katër shtete anëtare që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, të pranojë fare të diskutojë për këtë gjë. Por edhe për këtë ka përgjigje dhe mundësi trajtimi. Me rëndësi është të bëhet hapi i parë, konceptual.
Para njëzet vjetësh në pyetjen që ma bënin diplomatët dhe gazetarët se sa do të qëndrojë NATO-ja në Kosovë, ritualisht përgjigjesha “Deri sa Kosova të hyjë në NATO”. Kjo thënie ka vlerë të riaktualizuar sot; me një MAP Kosova do të ishte një anëtar i devotshëm i NATO-s në një periudhë edhe më të shkurtër se ç’mendohet. © KOHA.