Kryekëshilltari ekonomik i CDU-së, Martin Henze, ndryshe nga disa ndërkombëtarë që janë shprehur kritik për vendimin e opozitës për djegien e mandateve, shprehet se në Shqipëri duhet të ketë zgjedhje të parakohshme.
I pyetur nga gazetarët se si mund të zgjidhet kjo krizë politike, Henze u shpreh para mediave:
“Duke qenë se jemi në një republikë parlamentare dhe republikë demokratike, ai që vendos në fund të fundit është populli, sepse populli ka zgjedhur edhe deputetët, pra parlamentin. Populli është ai që duhet të vendosë se si të ecë përpara. Partitë politike janë të detyruara të dëgjojnë popullin. Duke qenë se jemi në një republikë parlamentare, unë mendoj se një zgjidhje është që partitë të bëjnë hapa përpara, duke i ardhur përballë njëra-tjetrës, dhe padyshim përfundimi do të jetë zgjedhje të reja, sepse në fund të fundit është populli ai që do ta vendosë. Kemi partitë opozitare që kanë marrë një vendim demokratik nga forumet e tyre, për t’u larguar nga parlamenti. Ata janë të zgjedhur nga populli dhe përfaqësojnë një pjesë të popullit, kështuqë për mendimin tim, duhet që të dy palët të tregojnë përgjegjësi dhe të arrijnë në një përfundim që mund të jenë edhe zgjedhjet”.
I pyetur më tej nëse është demokratike në Gjermani përdorimi i dhunës në protesta, marrë shkas nga incidentet në protestat e opozitës në Dhqipëri, Henze tha se protestat janë një e drejtë legjitime e çdo partie dhe e çdo qytetari, në çdo vend demokratik në botë.
“Në protesta zbatohen disa rregulla, por më lejoni të kujtoj se këto gjëra nuk ndodhin vetëm në Shqipëri, protestat ndodhin në të tërë botën. Unë kujtoj këtu protesta të forta që kanë ndodhur në Gjermani, të cilat mund të kenë qenë pak më emocionale sesa duhet. Në çdo grupim njerëzish ka njerëz që janë më emocionalë, më të prekur. Për mendimin tim kjo s’cënon të drejtën demokratike të protestës, por padyshim protesta duhet të zhvillohet në bazë të rregullave”, u shpreh Henze.
Kryekëshilltari ekonomik i CDU-së, Martin Henze vuri theksin dhe tek investimet, teksa u shpreh se investitorët gjermanë duan të investojnë në Shqipëri, por kanë nevojë për garanci.
“Garanci politike, garanci ekonomike dhe që të luftohet korrupsiono, sepse kemi dëgjuar që korrupsioni është shumë i lartë. Nëqoftëse këto pengesa arrihen të sheshohen, atëherë ne do të jemi të kënaqur të vijmë të investojmë në Shqipëri”, tha ai.