Me një problematikë të shtuar si rrjedhojë e rënies drastike të numrit të nxënësve nisi edhe ky vit shkollor. Në arsimin 9-vjeçar, që nga viti 1992 ka mbi 260 mijë fëmijë më pak në banka. Kurrikulat me imitime të Oxford-it dhe modelet e mësimdhënies si ato të Finlandës janë eksperimente që nuk po japin rezultate
Blerina Hoxha
Ky vit i ri shkollor po nis me një seri dështimesh në aspektin e politikave publike për të ofruar shërbime arsimore më cilësore dhe më të lira. Librat e përdorur falas po refuzohen në masë nga prindërit, mësimi me tablet u përket ideve të së shkuarës, ndërsa kurrikulat me imitime të Oxford-it dhe modelet e mësimdhënies si ato të Finlandës, më shumë ngjajnë me ëndrrat donkishotiane, në një realitet të mjerë shqiptar. Përballë këtyre zhvillimeve, numri i nxënëse në të gjitha nivelet e arsimit po bie me shpejtësi, ku përpos rënies natyrore të popullsisë, ka një nxitje të emigrimit të nxënësve, edhe për shkak të arsimit jo shpresëdhënës.
Në 2019-n, në bankat e arsimit 9-vjeçar do të ulen 13 mijë nxënës më pak në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas përllogaritjeve nga Ministria e Arsimit. Për shkak të kësaj rënie, arsimi publik do të tkurret me 1% sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit dhe INSTAT. Në aspektin financiar, kjo e lehtëson qeverinë dhe i bën mësuesit me frytdhënës, pasi teksa numri i nxënësve ulet, buxheti dhe fondet për arsimin rriten.
Ministria e Arsimit planifikon që shpenzimet mesatare për nxënës në arsimin parauniversitar në vitin 2019, të arrijnë 86,6 mijë lekë, me një rritje 9,4% në raport e vitin 2017. Por rritja e shpenzimeve për nxënës nuk po përkthehet në arsim cilësor, pasi problemi, sipas ekspertëve, nuk qëndron te fondet më shumë se te modeli i gabuar që po ndiqet dhe politikat e paqarta të Ministrisë së Arsimit.
Eksperti i politikave arsimore, Ndriçim Mehmeti, vlerëson se problemi më i madh i arsimit është mungesa e një vizioni të qartë të Ministrisë së Arsimit dhe qeverisë për zhvillimin e tij, sidomos mungesa e njerëzve të kualifikuar dhe i një modeli të përshtatshëm për vendin tonë etj.
Lëvizjet e brendshme të popullsisë e kanë cenuar rëndë cilësinë e arsimit në rrethe, pasi klasat kolektive janë shtuar dhe niveli i trupës arsimore lë për të dëshiruar. Në Tiranë, mësimi vijon me turne dhe klasat janë të mbingarkuara. Ministria e Arsimit raporton se 28-30 mijë nxënës e kanë shkollën më larg se 2 kilometra nga vendi i banimit, si dhe rreth 12 mijë mësues punojnë në një distancë më të largët se 5 kilometra nga vendbanimi.
Në dekadat e fundit, shkollat shqiptare duhet të ndryshonin rolin e tyre nga riprodhimi me saktësi i lëndëve drejt nxitjes së rritjes dhe zhvillimit të mendimit kritik dhe kompetencave dixhitale për pjesëmarrje në shoqërinë dhe ekonominë e Shqipërisë dhe përtej saj – shprehen ekspertët e UNESCO-s në një vlerësim të posaçëm për zhvillimet në sistemin arsimor shqiptar.
Sipas Ministrisë së Arsimit, kurrikula e re shoqërohet me tekste të standardeve ndërkombëtare për nxënësit nga shtëpi botuese prestigjioze si “Cambridge”, “Pearson” dhe “Oxford”, por në realitet këto tekste nuk përçohen me të njëjtat metoda nga mësuesit shqiptarë, për arsye se nuk e kanë atë formim, përvojë, as kushte pune dhe as paga. Përveç problemeve të modelit, Shqipëria ka mungesë të theksuar të financimeve në arsim në raport me PBB-në e vendit. Nga Prodhimi i Përgjithshëm, ndahet gjithnjë e më pak për arsimin.
Shqipëria financonte më shumë se 4-5% të PBB së saj para viteve 1990 për sektorin e arsimit. Ky nivel ishte i krahasueshëm me financimet që edhe vendet e tjera të OECD-së jepnin në atë kohë. Por gjatë viteve të tranzicionit, sektori është financuar më pak se 3% të PBB-së, nivel gati 40% më i ulët se financimet që vendet e zhvilluara kanë dhënë në këtë periudhë dhe 20% më pak se financimet që japin vendet e rajonit. Më 2018, sektori i arsimit u financua nga të gjitha burimet dhe tarifat në 3.1% të PBB, teksa pritet që financimi të jetë në të njëjtin nivel edhe më 2018.
4% nxënës më pak në arsimin 9-vjeçar këtë vit
Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, në arsimin 9-vjeçar pritet të vijojnë studimet këtë vit të ri shkollor 306 mijë nxënës. Numri fëmijëve në këtë cikël është 13 mijë më pak se në vitin shkollor 2018-2019. Në raport me vitin 2011, kur u bë censi i fundit, u ulën në shkolla 114 mijë nxënës më pak. Në harkun e 8 viteve, numri i nxënësve në ciklin 9-vjeçar është reduktuar me 27%. Ritmet e rënies pritet të jenë drastike. Ministria e Arsimit pret që në vitin 2022, numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar të arrijë në 273 mijë, ose 9.7% më pak se në vitin 2019.
Përveç rënies natyrore të popullsisë, arsimi shqiptar po vuan nga braktisja e shkollës për arsye emigrimi. Mijëra të rinj nën moshën 18 vjeç, një kontingjent për arsimin e mesëm fillor, zgjedhin emigrimin në të shumtën e rasteve me familjet e tyre. Prej 2010-s, janë larguar mesatarisht nga vendi 15,000 të mitur drejt Bashkimit Europian çdo vit, sipas të dhënave të Eurostat për lejet e qëndrimit, për herë të parë të dhëna nga vendet e Bashkimit Europian, të ndara sipas grupmoshës, sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga “Monitor”.
Viti 2018 shënoi sërish rritje në numrin e të miturve që ishin pajisur me leje qëndrimi në një nga vendet e BE-së. Gjatë vitit që lamë pas u pajisën me leje qëndrimi për herë të parë rreth 17,279 të mitur nën 19 vjeç, me një rritje prej 6% në krahasim me një vit më parë. Shifrat janë më të larta se kaq, duke marrë parasysh që Eurostat nuk ka publikuar të dhënat për lejet e para të qëndrimit të lëshuara nga Gjermania.
Emigracioni shihet të jetë një ndër shkaktarët kryesorë të rënies së nxënësve në shkolla. Eksperti Mehmeti thotë se “duket qartësisht që prej 2014 e në vijim është ulur në mënyrë drastike numri i nxënësve për shkak emigrimit dhe migrimit të brendshëm. Sipas tij, MASR dhe qeveria, nuk e ka analizuar këtë situatë dhe për pasojë, nuk janë gati të japin edhe zgjidhjet. Braktisja e arsimit të detyruar, ndodh më së shumti për arsye ekonomike dhe sociale dhe për mungesë të shpresës se ky vend mund të bëhet”.
Arsimi i nënfinancuar, larg objektivit
Shqipëria financonte më shumë se 4-5% të PBB së saj para viteve 1990 për sektorin e arsimit. Ky nivel ishte i krahasueshëm me financimet që edhe vendet e tjera të OECD-së jepnin në atë kohë. Por gjatë viteve të tranzicionit, financimet për arsimin janë përkeqësuar pasi akordohen rreth 3% të PBB-së, nivel gati 40% më i ulët se financimet që vendet e zhvilluara kanë dhënë në këtë periudhë dhe 20% më pak se financimet që japin vendet e rajonit.
Më 2019, sektori i arsimit mori financime 57 miliardë lekë, ose sa 3.2% e PBB. Sipas Ministrisë së Arsimit, mësohet se 0,2% e PBB financohet nga pagesat e familjarëve nëpërmjet tarifave direkte në arsimin e lartë.
Sipas një analize të fundit të United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization (UNESCO), Shqipëria vijon të ketë financim të ulët për arsimin në raport me PBB në raport me vendet e tjera të kontinentit. Historikisht, në Shqipëri, shpenzimet e qeverisë për arsimin kanë qenë të ulëta, dhe gjatë 15 viteve të fundit mbeten kryesisht rreth 3% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (PPB). Në 2007-n, një vit përpara krizës ekonomike financiare dhe recesionit ekonomik, përqindja përkatëse mezi arriti në 3.2%. Pas krizës, financimet për arsimin kanë qenë sistematikisht poshtë 3% të PBB-së.
Eksperti Mehmeti thotë se, financimi i pamjaftueshëm i arsimit ndikon negativisht cilësinë e shkollimit, sidomos shtresat e pavaforizuara të popullsisë. Në vend që hendeku i financimeve në arsim të plotësohet, qeveria ka planifikuar të kundërtën, fondet do të ulen më tej gjatë tre viteve në vijim, sipas projektimeve në buxhetin afatmesëm 2020-2022 të Ministrisë së Arsimit.
Të dhënat e fundit të INSTAT, për matjen e nivelit të jetesës, treguan se pesha e shpenzimeve për arsim arriti në një nivel rekord, prej 4.4% të totalit të konsumit më 2016, nga 1.7% që ishte një dekadë më parë. Të dhënat krahasuese nga anketat e buxhetit të familjeve të vendeve të rajonit dhe Eurostat, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se familjet shqiptare kanë peshën më të lartë të shpenzimeve për arsim nga vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Europian. Mesatarja e Bashkimit Europian është 2.1%, ndërsa një familjeje në rajon i kushton shumë më pak (në termin relativ ndaj shpenzimeve totale) që të shkollojë fëmijën. Serbia, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina e kanë këtë raport midis 0.6-0.7%, ndërsa në Kroaci arrin në 1.1%.
Sektori publik i arsimit tkurret me 40% nga viti 1990
Sektori i arsimit është reduktuar gati me më shumë me 40% që nga viti 1990 si në numrin e nxënësve, mësuesve dhe shkollave. Sipas të dhënave të INSTAT, numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm në 2019-n ishte 38% më i ulët se në vitin 1992. Numri i nxënësve në këtë vit shkollor është 260 mijë më i ulët se në vitin 1992. Ndërsa numri i shkollave ka rënë me gati 60%. Nga 2200 shkolla në vitin 1992, këtë vit nuk numërohen më shumë se 1000 të tilla.
Rënia e numrit të nxënësve është shoqëruar edhe me tkurrje të trupës arsimore. Në vitin 1991, numëroheshin 43700 mësues në të gjithë vendin, ndërsa në fillim të këtij viti, numri i tyre ishte 31 mijë, me rënie 23% që nga viti i parë i tranzicionit. Afërisht 150 shkolla u mbyllën vitin e kaluar dhe dhjetëra të tjera pritet të mos kenë aktivitet këtë vit, pasi numri i nxënësve po bie në mënyrë drastike në disa qarqe të vendit.
Numri i klasave është reduktuar më tej. Nga 37 mijë klasa që ishin në fillim të viteve 1990, aktualisht janë rreth 10 mijë. Numri i tyre është reduktuar me 70% gjatë 28 viteve. Ulja e numrit të nxënësve ka sjellë dhe një rënie të raportit nxënës për mësues, në 17.8 në vitin akademik 2017/2018, nga 19.1 në vitin akademik 2013/2017, për ciklin 9-vjeçar, sipas INSTAT. Ndërsa gjatë periudhës 2019-2022, raporti nxënës për mësues do të shkojë në 13 këtë vit dhe 11.7 nxënës për mësues në vitin 2021, sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit.
Modeli i deformuar
Veç dobësive në infrastrukturë dhe financime, modeli arsimor që kemi zgjedhur të ndjekim, ai i Finlandës, që është më efikasi në Europë, nuk ka arritur të jetë funksional në kushtet e Shqipërisë. Finlanda arriti në 2015-n në vendin e dytë në botë për njohuritë e larta që 15-vjeçarët atje kanë për shkencat, matematikën dhe të lexuarit, sipas Programit për Vlerësimin e Studentëve Ndërkombëtarë (PISA). Ndërsa Shqipëria u rendit shumë poshtë mesatares në rang botëror, duke u krahasuar me vende të Azisë dhe Afrikës, edhe pse vitet e fundit ka bërë përmirësime. Por çfarë ka bërë Finlanda që është prijësi i arsimit në Europë?
Në Finlandë, shkollat e larta të mësuesisë përzgjedhin 10 përqindëshin më të mirë të gjimnazistëve dhe kurrikulat e kanë të kombinuar në mënyrë të përsosur praktikën me teorinë. Teksa Shqipëria ëndërron Finlandën, për 28 vite rresht që kur ka rënë sistemi komunist, degët e mësuesisë ndiqen nga 20% më i dobët i studentëve. Lëndët e mësuesisë ishin aq pak të zgjedhura sa prej vitesh degët e matematikës, biokimisë, jo vetëm që kanë thithur gjimnazistët e 10% më të ulët, duke u degdisur shpesh me kuota bosh. Për më shumë se dy dekada, Shqipëria i ka vënë “minat” shkollave të larta të mësuesisë, duke e lënë vendin pa asnjë zgjidhje në drejtim të përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies.
Në një vlerësimin që UNESCO i bëri sistemit arsimor në vend vitin e kaluar, rekomandoi se Shqipëria duhet të përdorë më mirë procedurat e emërimit të mësuesve, për të trajtuar pabarazitë në sistemin arsimor. Analiza e rezultateve të PISA tregoi se nxënësit shqiptarë në zonat rurale kishin më pak të ngjarë të kishin mësues që përdornin praktika të efektshme të mësimdhënie. UNESCO i ka kërkuar Shqipërisë që punojë për të siguruar numrin e nevojshëm dhe shpërndarjen e duhur të mësuesve, për të trajtuar çdo pabarazi në sistemin e arsimit. UNESCO paralajmëron se nuk ka zgjidhje të thjeshtë për këtë problem.
Prindërit “refuzojnë” librat falas për filloren
Prindërit po refuzojnë në masë marrjen e librave falas për fëmijët e arsimit fillor nga klasa e parë në të katërtën, për arsyen e thjeshtë se janë të papërdorshëm. Te shkollat “Lidhja e Prizrenit”, “Servete Maçi” dhe “Fan Noli”, por edhe në të gjitha shkollat e kryeqytetit, mësohet se vetëm një përqindje e vogël e prindërve i kanë marrë librat e përdorur falas për fëmijët, as 10% e tyre. Arsyet pse refuzohen nuk lidhen me anën ekonomike, por me faktin se librat e vjetër nuk janë të përdorshëm.
Valmira, e cila ka dy fëmijë në arsimin fillor, në klasën e parë dhe të katërt, e papunë dhe në shtëpi me qira pohoi se i kishte refuzuar librat falas. Edhe pse në vështirësi ekonomike, ajo nuk ka dëshirë të veçojë fëmijët e saj nga shokët, pasi e gjithë klasa kanë blerë libra të rinj. Në librat e vjetër janë gjurmët e shënimeve të mbetura. Në shumicën e librave shihen zgjidhjet e ushtrimeve, të cilat në rast se nxënësi i merr gati dhe nëse janë gabim do të penalizohet, pasi thjesht do të priret të kopjojë.
Mësuesit e ciklit fillor, të cilët po shpërndajnë librat, në kushtet e anonimatit, e konsideruan absurditet politikën e kalimit të librave nga një brez të tjetri falas për shumë arsye. Së pari, nxënësit u mbingarkuan dhe u stresuan në fund të vitit shkollor, duke fshirë me qindra faqe. Por më kryesorja duke përdorur librat e një viti më parë nuk ka mundësi të bëhen përmirësime në kurrikulë edhe për gabimet njerëzore që janë bërë gjatë procesit të botimit në vitin e kaluar.
Librat falas rezultuan një tjetër nismë me shumë kosto për prindërit dhe mësuesit, duke i shërbyer më shumë imazhit të qeverisë. Qindra komisione në të gjithë vendin u ngritën për të inventarizuar librat e vjetër dhe mijëra orë pune të papaguara ndaj mësuesve, të cilët duhet të vlerësonin një për një librat. Në fund vetëm sa u krijuan shpenzime të shumëfishta duke ngarkuar prindër dhe mësues me punë boshe, pasi prindërit e fëmijëve në fillor janë drejtuar masivisht drejt blerjes së librave të rinj.
Shkollat shqiptare, jashtë kohe
Një projekt i hershëm i qeverisë për të ofruar mësimin dixhital në shkolla nëpërmjet tablet-ëve dhe shpjegime online ka dështuar, duke e lënë shkollën shqiptare tërësisht jashtë zhvillimeve të kohës ku teknologjia po udhëheq të gjitha fushat e dijes dhe tregjet e punës. Aktualisht asnjë shkollë publike e Shqipërisë nuk i përdor kompjuterët dhe tablet-ët për qëllime mësimore.
Gjithashtu, në disa shkolla në kryeqytet vitin e kaluar dështoi një projekt pilot për të ofruar shpjegimin e programit mësimor online dhe gjithashtu përvetësimin e kurrikulës nga tableti. Mësuesit e shkollës “Fan Noli”, të përzgjedhur për këtë projekt, pohuan se dështimi erdhi për shkak të mungesës materiale, pasi u kërkohej prindërve që të kompletonin me kompjuter dhe internet fëmijët për mësimin online. Kjo ishte e pamundur të plotësohej, për shkak të anës ekonomike të prindërve, duke çuar në dështimin e kësaj politike.
Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit, në programin e zhvillimit 2020-2022 synon që të sigurohen një kompjuter për çdo dy nxënës në çdo shkollë, për lëndët e përgjithshme të ketë jo më pak se një laborator demonstrativ kimie, fizike e biologjie për shkolle; Pasurimi i bibliotekave shkollore. Kjo kërkesë, e drejtuar në Ministrinë e Financave, ka pak gjasa të zbatohet, pasi sipas programimit të detajuar për këtë qëllim nuk ka fonde t’i përballojë këto kosto. Edhe ato pak shkolla që kanë laboratorë me kompjuter nuk përdoren, pasi ose janë prishur dhe shkollat nuk i përballojnë dot kostot e riparimit të tyre. Madje ka dështuar edhe projekti “online education” që u prezantua katër vite në parë, ku do të eksperimentohej mësimi online për disa shkolla në Tiranë.
Klasat dixhitale nuk kanë mundur të funksionojnë për arsye që lidhen me mungesën e kapaciteteve të mësuesve për të përballuar këtë eksperiment.
Të dhënat nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal tregojnë se vetëm 4.8% e shkollave në Shqipëri kishin internet në vitin 2018, ndërsa në rajon kjo përqindje është shumë e lartë. Në Malin e Zi, 100% e shkollave kanë internet, ndërsa në Serbi, 99.2% e shkollave.
Vendet e tjera të rajonit, të përfshira në bllokun e zgjerimit të BE, Bosnja, Maqedonia dhe Kosova kanë internet në shkollat publike në 25.7, 88.4 dhe 88% përkatësisht. Por për shumicën e shkollave në vend, ku mungon ende infrastruktura bazë si ngrohja dhe pajisjet e tjera, interneti mbetet ende luks. Ka më shumë se një dekadë kur u mor nisma për të pajisur shkollat me internet, por kjo nuk është mundësuar as për shkollat e Tiranës.
Në fund të vitit 2013, Ministria e Arsimit e kohës njoftoi se do të shpërndahej tablet në 100 e shkolla për të mësuar në internet, shumica e të cilave u dhuruan nga kompanitë Infosoft dhe Microsoft. Projekti u pilotua në disa shkolla në Tiranë, por përdorimi i tabletë-ve ka zgjatur vetëm pak ditë. Shqipëria vijon të ushtrojë mësimdhënien sipas metodave tradicionale dhe duke mbetur larg metodave bashkëkohore të arsimit.
Shkolla shqiptare, edhe në këtë aspekt, ka mbetur prapa zhvillimeve shoqërore reale, pasi interneti dhe teknologjia tashmë janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë. Tregu i punës, përveç aftësive tradicionale në fusha të caktuara, kërkon edhe njohuri të larta në teknologji.
Katër objektivat e qeverisë për 2020-2022 për arsimin bazë
Ministria e Arsimit, në një relacion të posaçëm për Ministrinë e Financave, renditi katër objektivat bazë për zhvillimin dhe përmirësimin në arsimin bazë, që përfshin parashkollorin dhe atë 9-vjeçar. Objektivi i parë synon rritje të aksesit të fëmijëve në arsimin parashkollor me 86%, ndjekjen e arsimit bazë (nga 100% e moshës 6-16), si dhe përfshirjen me përparësi të grupeve vulnerabël. Rritja e treguesit të regjistrimit me 10-15% ose 350-500 fëmijë për nxënësit romë dhe egjiptianë, 10% për nxënësit me aftësi të kufizuara.
Reformimi i arsimit parashkollor dhe bazë, përmes miratimit të kornizës së re kurrikulare dhe programeve për çdo grupmoshë për arsimin parashkollor, bazë, trajnimit të përvitshëm të mësuesve / edukatorëve dhe punonjësve të shërbimit psikosocial (150 psikologë dhe 150 punonjës socialë) dhe pajisja me materiale didaktike të kopshteve dhe shkollave.
Objektiv i dytë synon zbatimin e kurrikulës së re në klasa 1-5 dhe klasa 6-9, përgatitjen e 25 programeve kualifikues, 12 module trajnimi, 40 teste trajnuese për kurrikulën e re. Synohet trajnimi i 12.000 mësuesve nga klasa e 4 te klasa e 9 (ose trajnimi 25% i mësuesve të Arsimit Bazë) për kurrikulën e re, përfshirë edhe 40 mësues të pakicave kombëtare, si dhe 200 mësues ndihmës për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe trajnimi i 80 mësuesve të diasporës në seminarin mbarëkombëtar për mësuesit e diasporës.
Objektiv i tretë ka për qëllim zhvillimin e reformës së teksteve shkollore, përmirësimin e cilësisë së teksteve shkollore, si dhe kompensimin e çmimit të teksteve shkollore nga klasa I-IX, në masën 100% fëmijëve që vijnë nga familje të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike dhe pagesë papunësie, fëmijëve që gëzojnë statusin ligjor të jetimit, fëmijëve që gëzojnë statusin e të verbrit, fëmijëve të pakicave kombëtare, për nxënësit romë, egjiptianë, fëmijëve të familjeve të emigrantëve që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, fëmijët që vijnë nga familje të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike dhe pagesë papunësie; fëmijë të familjeve që kanë në përbërjen e tyre anëtarë me aftësi të kufizuar, fëmijë që vijnë nga familje ku kryefamiljari përfiton pension pleqërie shteti dhe kanë fëmijë në ngarkim, të cilët janë pa të ardhura; familje në nevojë, viktimave të trafikimit, si dhe dhënia falas e teksteve shkollore të fëmijëve që ndjekin studimet në klasën parë deri në klasën pestë.
Objektivi i katërt lidhet me sigurimin e transportit të nxënësve për ndjekjen e arsimit parashkollor dhe bazë që mësojnë në një distancë prej më shumë se 2 km nga vendbanimi i përhershëm i tyre, si dhe mësuesve që punojnë e banojnë më shumë se rreth 5 kilometra nga vendbanimi i tyre dhe mbulimi 100% i shpenzimeve të transporti me fonde të buxhetit. Fondet e parashikuara, për periudhën 2020-2022, për këtë program arrijnë në 23.3 miliardë lekë në vitin 2020, në 23.4 miliardë në vitin 2021 dhe në vitin 2022 në 23.4 miliardë lekë. Rritja mesatare vjetore e parashikuar në vitin 2020-2022 arrin në 5.5% në 0.2% në vitin 2022.