BallinaEkonomiParaja cash kapi rekordin: 2.3 miliardë euro jashtë bankave

Paraja cash kapi rekordin: 2.3 miliardë euro jashtë bankave

spot_img
spot_img

Teksa qeveria dhe Banka e Shqipërisë po marrin masa për të reduktuar përdorimin e cash-t në ekonomi, paraja që qarkullon jashtë sistemit bankar arriti në gusht në një nivel rekord prej 288 miliardë lekësh, ose 2.3 miliardë eurosh, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë në vlerë absolite, që prej vitit 2002, kur raportohen të dhënat. Kjo shumë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë është e barabartë me 22.2% të parasë gjithsej, më e larta që nga fundi i vitit 2009, kohë kur kishte një valë tërheqje depozitash për shkak të panikut që u krijua nga kriza globale financiare.

Pasi ra në periudhën 2010-2014, paraja jashtë bankave filloi të rritej sërish në 2015-n, sidomos nga gjysma e dytë e 2016-s, duke vijuar këtë tendencë edhe aktualisht, në një tregues të informalitetit të lartë, por dhe hyrjes së parave nga kanale jo zyrtare. Banka e Shqipërisë arrin të masë vetëm monedhën vendase në qarkullim jashtë bankave dhe jo valutën, gjithsesi kjo valutë është konvertuar dhe në lekë, duke ndikuar në zhvlerësimin e euros (të dhënat e tjera të bilancit të pagesave të bankës së Shqipërisë treguan se të paktën në 6 mujorin e parë të këtij viti nuk kishte përmirësim të deficitit të llogarisë korente, ose kanaleve zyrtare të hyrjes së valutës në  vend.

“Nga studime empirike të kryera nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën Botërore rezulton se përdorimi i cash-it në ekonomi, përtej efekteve zbehëse te mekanizmat e Bankës së Shqipërisë në funksion të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve e atij financiar, dhe zhvillimit ekonomik, ka dhe një kosto konkrete nga përdorimi i tij si mjet pagese, ku në nivel ekonomie shkon më shumë se 1 për qind të PBB-së. Për më tepër, përdorimi i parasë fizike mund të konsiderohet edhe si një nxitës i informalitetit në ekonomi”, pohoi guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në Mbledhjen e Pestë të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave dy ditë më parë. Banka e Shqipërisë ka miratuar Strategjinë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023). Kjo strategji synon të krijojë një treg bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës të pagesave me vlerë të vogël, të mbështetur nga infrastruktura të sigurta dhe eficiente, dhe nga një gamë e gjerë instrumentesh dhe shërbimesh të pagesave që përmbushin nevojat e përdoruesve të aftë financiarisht për të kryer pagesa në të gjithë vendin.

Ministria e Financave nga ana e saj ka hartuar ligjin e ri “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i njohur ndryshe edhe si “Fiskalizimi”, që synon të fillojë zbatimin nga 1 janari. Ai parashikon që, duke nisur që nga data 1 Janar 2020, të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen te Administrata Tatimore në kohë reale, bazuar në sistemin e ri të pajisjeve fiskale, ndërsa nga 1 Janari 2021, të gjitha transaksionet ndërmjet biznesit me njëri – tjetrin dhe ndërmjet biznesit me organet publike do të bëhen në bazë të faturës elektronike. Një ndër synimet e tij kryesore është ulja e informalitetit dhe reduktimi i parasë cash në ekonomi.

Në krahasim me vendet e Eurozonës, apo edhe të rajonit, Shqipëria ka një nivel tepër të lartë të parasë që qarkullon jashtë kanaleve bankare. Në Eurozonë, sipas të dhënave nga Banka Qendrore Europiane, , niveli i parasë jashtë bankave ishte rreth  9.2% e totalit. Në Maqedoni, ky tregues, sipas të dhënave të Bankës Qendrore përkatëse ishte rreth 7-8%. Edhe në Serbi ishte rreth 7% e totalit, sipas të dhënave të Bankës Qendrore Serbe.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular