Teksa opozita ka shpallur si emergjencë zgjedhjet e parakohshme, ish-kryeministri Sali Berisha akuzon Ramën se refuzon dialogun për reformën zgjedhore.
I ftuar në RTV Ora, Berisha thotë se Rama nuk e kupton që nuk mund të bëjë reformë elektorale dhe as të prekë dyert e Europës pa opozitën.
Sali Berisha: Ai e refuzoi dialogun, tha se nuk e ndalon dot trenin karroca.Sigurisht do të lëshosh krah për reformën zgjedhore, por ai nuk ka konceptet më elementare.Ai nuk e kupton që ky proces është gjithmonë pozitë dhe opozitë dhe se nuk ecet kurrë drejt Europës nëse nuk ke një bashkëpunim luajal për këtë interes. Ky po thotë, por ti je karroca dhe unë jam treni.
E ndërsa në PS ka edhe zëra ndryshe, si ish-ministri Bushati që kërkon një pakt kombëtar dhe konsensus për integrimin, apo Ministri Makjo që apelon PD të kthehet në sistem, Berisha thotë se këto zëra janë sporadikë.
Sali Berisha: Janë sporadikë ato. Ky nuk ka asnjë lloj kufiri, me ketë duhet të merren shqiptarët sa më shpejt. Nuk njeh asnjë rregull dhe asnjë parim. Po të njihte rregull dhe parim ky e dinte që dosjet 184 dhe 339 janë përvëluese dhe zbardhja e tyre do të përbënin një ndihmë të madhe për vendin.
I pyetur se përse opozita ka hequr dorë nga slogani “Rama ik”, Berisha ka këtë përgjigje:
Sali Berisha: Nuk e di që ka hequr dorë nga ai program por shqiptarët nuk kanë hequr dorë, marr me qindra mesazhe nga shqiptarë nga e gjithë bota. Ka vetëm një lajtmotiv: Rama ik!