Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan lidhur me operacionin në lindje të Eufratit ka deklaruar se “Qëllimi ynë është që edhe lindjen e Eufratit ta ujisim me burimet e paqes”, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Kemi bërë çdo lloj paralajmërimi ndaj bashkëbiseduesve tanë lidhur me zonën e sigurtë në lindje të Eufratit. Ne jemi treguar mjaft të durueshëm sepse e shohim se janë ‘vetëm fjalë‘ patrullimet ajore apo patrullimet tokësore”, tha Erdoğan duke theksuar se “pyetja jonë ndaj aleatëve tanë është shumë e qartë, që të deklarojnë nëse e pranojnë apo jo si organizatë terroriste YPG/PKK-në për të cilën po përpiqen ta fshehin nga sytë nën emërimin SDG”.
Erdoğan ka folur edhe për ekonominë e Turqisë ku ka vënë në dukje se objektivi për vitet e ardhshme është që ta rritin në 5 për qind ndërsa edhe më shumë në vitet e ardhshme. “Me programin e ri të ekonomisë do të ulim nën 5 për qind inflacionin dhe nën 10 për qind papunësinë në fund të periudhës së programit”, tha ai.
Më tej Erdoğan ka theksuar se “Në 4 vitet e ardhshme që do të kalojnë pa zgjedhje ne do të ndjekim me ndjeshmëri udhërrëfyesin tonë në ekonomi dhe do të arrijmë objektivin tonë në vitin 2023”.