Ai ishte proceduar penalisht pasi kishte kundërshtuar Policinë, në momentin që e ndaluan kur drejtonte makinën në gjendje të dehur. Për këtë vepër penale, Gjykata e Kavajës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, në mungesë, masë që nuk u ekzekutua asnjëherë.
Ndërsa më herët, ishte dënuar edhe në Greqi, për një sulm ndaj forcave të Policisë në shtetin fqinj. E me gjithë precedentët e mëparshëm, faktin që ishte në kërkim dhe ndaj tij ishte caktuar një masë sigurie “Arrest me burg”, Dritan Haxholli lëvizte lirshëm në Kavajë, madje edhe i armatosur. Nuk dihet se në çfarë rrethanash apo për ç’arsye shërbimet e Policisë së Kavajës nuk kishin ekzekutuar vendimin e Gjykatës.
Nga ana tjetër, një fotografi e publikuar dje nga “Jeta Osh Qef”, e dërguar nga banorët e Kavajës, dëshmon për një miqësi mes Dritan Haxhollit dhe personit që është aktualisht i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e tij, oficerit të burgjeve, Bledar Toçi.
FOTOGRAFIA
Viktima, Dritan Haxholli, dhe oficeri i Burgut të Durrësit, Bledar Toçi, i kishin nxjerrë edhe më parë armët. I pari automatikun e tij Kallashnikov, me të cilin u fut në shtëpinë e ish-së dashurës dhe i dyti pistoletën e tij të shërbimit, një “Glock” që mban 17 fishekë. Por në këtë rast nuk i kishin drejtuar armët njëri-tjetrit, por shfaqeshin krah për krah, në një tavolinë që duket mjaft miqësore. Ky moment është fotografuar nga një person i tretë, ndërsa dje u publikua nga “JOQ”.
Nuk dihet periudha kur është shkrepur fotografia, por një gjë është e sigurt, që në atë moment Dritan Haxholli dhe Bledar Toçi nuk kishin ndërmend t’i qëllonin njeri-tjetrit. Në tavolinën ku ata janë të ulur, duken edhe disa mjete të ngjashme me ato që u sekuestruan nga Policia natën kur ndodhi vrasja në Kavajë dhe sipas burimeve dyshohet se përdoren për të konsumuar kokainë. Panorama