Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i është përgjigjur në emisionin “Kjo Javë” në News 24, deklaratave të sekretarit të përgjithshëm të PS-së, Taulant Ballës në lidhje me reformën zgjedhore.
Gjatë ditës së sotme Balla theksoi se ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të kalojnë përmes komisionit të posaçëm Parlamentar, ndërsa Bardhi këto deklarata i cilësoi si “tentativë që synon t’i bëjë ndërkombëtarët dhe shqiptarët për budallenj”. Ai theksoi qartë se nuk mund të kalojë asnjë ndryshim pa marrë vullnetin e plotë të të gjithë partive politike.
“Kjo është një tentativë e qartë për t’i bërë partnerët ndërkombëtarë dhe shqiptarët për budallenj. Para se të flasim për një proces teknik, ne duhet të flasim në nivel politik. Duhet gjetur vullneti për ta realizuar reformën zgjedhore që duan të gjithë shqiptarët. Opozita politike dhe PD në vend, nuk janë anëtarë në Komisionet Parlamentare, sepse ne nuk jemi në Parlament dhe ne kemi thënë se Kuvendi është ilegjitim, për të gjitha arsyet që në kemi propozuar. Ajo që ka çaluar deri tani që nuk kemi pasur zgjedhjet demokratike, ka qenë mungesa e vullnetit politik. para se të flasim për ndryshimi ligjore, ne duhet të gjejmë konsensus dhe vullnet politik. Duhet vullnet për të adresuar rekomandimin e OSBE-ODIHR.”-tha ai.