BallinaKryesoreEditorial i Monitor/Rrobat e reja të mbretit… Dhe ekonomia që ka arritur...

Editorial i Monitor/Rrobat e reja të mbretit… Dhe ekonomia që ka arritur në një pikë kritike

spot_img
spot_img

EDITORIAL/MONITOR PRINT  Ekonomia ka arritur në një pikë kritike, që nuk po arrin të fshihet më as nga shifrat zyrtare. Rritja është përgjysmuar në raport me një vit më parë, duke zbritur në rreth 2.2%, pas mbarimit të efektit të energjisë.

Institucionet ndërkombëtare kanë rishikuar në ulje projeksionet për performancën ekonomike të vendit. Banka Botërore deklaroi së fundmi se, në afatin e mesëm, nuk pret një rritje më të lartë sesa 3.5%, që vlerësohet shumë e ulët për një vend në zhvillim si Shqipëria, që ka të ardhurat për frymë më të ulëtat në Europë.

Gazsjellësi TAP, investimi më i madh ndonjëherë në vend, me vlerë 1.5 miliardë euro, po i jep efektet pa u mbyllur ende mirë. Në korrik dhe gusht, të ardhurat nga TVSH e brendshme ranë me më shumë se 30% me bazë vjetore dhe në shtator me gati 50%, duke nxjerrë zbuluar konsumin anemik në vend, që nuk po arrin të nxitet as nga turistët që, për hir të së vërtetës, ishin të shumtë në numër. Shërbimet janë, në fakt, i vetmi sektor që po mban ekonominë në këmbë.

Investimet e reja janë pothuajse inekzistente, sidomos në sektorë me vlerë të shtuar, të cilat do të ndikonin pozitivisht në rritjen e produktivitetit të ekonomisë dhe pagave. Kjo e fundit do të ishte stimuli më i mirë për të mbajtur të rinjtë në vend, duke frenuar disi emigracionin që po e gërryen vendin dalëngadalë.

Stimujt monetarë dhe fiskalë, që do t’i jepnin një dorë ekonomisë së çalë, janë ezauruar thuajse tërësisht. Norma bazë e interesit është në nivele minimale historike prej 1%. Kredia, ndonëse në gjallërim, mbetet e ulët, teksa janë faktorë të tjerë që e kushtëzojnë atë, ku më kryesori është mungesa e projekteve fizibël dhe të qëndrueshme. Ndërtimi është i vetmi që po merr vëmendje (jo nga bankat), por siç e kemi përmendur shpesh, në afat të mesëm e të gjatë, kjo nuk i sjell asgjë ekonomisë.

Nuk mund të bëhet fjalë as për stimuj fiskalë. Ndonëse taksat u rritën vitet e fundit, kjo nuk duket se shërbeu për të zgjeruar të ardhurat, që kanë ngecur në 27% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), më të ulëtat në rajon. Nëse do të hiqnim efektin e shpërndarjes së dividendit, i nxitur nga ulja e tij nga 15 në 8%, edhe për fitimet e mbartura, të ardhurat për 9-mujorin do të ishin negative. Me borxhin real (përfshirë detyrimet e prapambetura) që ka mbetur në rreth 70% të PBB-së dhe faturat e koncesioneve që pritet të rriten nga viti në vit, rreziqet fiskale sa vijnë e shtohen.

Ndërkohë, kemi një rritje anemike të paqëndrueshme, me burimet amortizuese që sa vijnë e po shterohen, çka pritet të ketë efekt kundërciklik në të ardhurat buxhetore. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit  flet për një situatë aspak optimiste, me fshehje të detyrimeve të prapambetura, me qëllim ruajtjen e parametrave makroekonomikë, por duke shtyrë detyrimet në të ardhmen, thjesht rritet rreziku për një paaftësi paguese në afatin e mesëm. Shpresa e vetme mbetet ulja e evazionit (te të mëdhenjtë, se te më të vegjlit është provuar shpesh) dhe çlirimi i fondeve nga ulja e korrupsionit në tenderë e koncesione.

Doing Business e vendos Shqipërinë të fundit në rajon për të bërë biznes, bashkë me Bosnjën dhe me barrën më të lartë të taksave, kur të ardhurat në buxhet i ka më të ulëtat.

Nuk ndihmon as ekonomia europiane, që po jep shenja ngadalësimi, ku po tronditet dhe shtylla më e fortë e saj, Gjermania. Italia, partneri kryesor, është prej muajsh në rrezik recesioni. Banka e Shqipërisë e ka pohuar tashmë se rreziqet në kahun e poshtëm po rriten, si nga ambienti i brendshëm (që përveç halleve të tjera i shtohet dhe kriza politike) ashtu dhe në atë të jashtëm.

Përballë kësaj situate, kemi një qeveri të zhytur në guaskën e saj virtuale, ku më të rëndësishme janë “like” e “share”, që mund të marrin ministrat dhe zyrtarët e saj në “Facebook”, sesa ajo që po ndodh në realitet. Në “oborrin” e qeverisë, jeta është e bukur, me plot shkëlqim, njerëzit janë të lumtur e të veshur bukur, me stilin e modës së fundit. Media bombardon përditë me lajme për rrugë të shtruara e të rishtruara, për pemë të mbjella për “armiq” të jashtëm, që nuk e duan integrimin e vendit.

Janë aq të zhytur në botën e tyre të bukur, sa duket shumë e vështirë, që dikush t’i bindë të shohin realitetin. Këtë nuk po arrijnë ta bëjnë as ata që po refuzojnë në heshtje, duke braktisur vendin dhe as shifrat që janë kokëfortë. Mbreti ende beson që është i veshur bukur, ndonëse ekonomia po thërret me zë të lartë, që është lakuriq…

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular