Prokuroria e Përgjithshme e konsideron një çështje të mbyllur hetimin për kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku.
“Nga verifikimet e kryera rezulton se subjekti ka qenë në hetim dhe është arrestuar në flagrancë për qarkullim monedhash të falsifikuara. Ndërkohë në vendimin datë 13.09.2019, Nr.236/2019 të Gjykatës së Janinës, është shpallur i pafajshëm. Gjithashtu ka qenë në hetim për dy raste nga Prokuroria e rrethit Gjyqësor Tiranë, porn ë të dy rastet procedimet penale janë pushuar. Për këtë arsye subjekti nuk përfshihet në asnjë nga rastet e ndalimeve parashikuar në nenin 2 të ligjit Nr.138/2015. Ndërkohë, konstatohhet se subjekti deklarues, Agim Kajmaku(Jorgo Toto) përfshihet në përcaktimet e pikës 3, gërma “ç”, kreu III, i vendimit nr.17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë”.
Ndërkohë, kreu i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku i është drejtuar me një shkresë kryeprokurores Arta Marku dhe KQZ, ku pretendon se nuk ka qenë në dijeni për hetimin e nisur ndaj tij në Greqi për vepër penale.
Në shkresë, Kajmaku i kërkon Prokurorisë që të administrojë në rrugë zyrtare një kopje të vendimit gjyqësor jo përfundimtar ndaj tij të Gjykatës së Janinës, me emrin Jorgo Toto. Bëhet fjalë për ankimimin që Kajmaku ka bërë në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda të Selanikut, pas denoncimit të PD.
Duke shpjeguar ecurinë e procesit gjyqësor në shtetin grek për veprën e falsifikimit të monedhave, në 13 janar 2003 me emrin Jorgo Toto, Kajmaku thotë se është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda në Janinë.
Mosdeklarimin e këtij rasti në formularin e dekriminalizimit, Kajmaku e justifikon me mos dijeni të hetimit ndaj tij në Greqi. Por prokurori që ka hetuar rastin e Agim Kajmakut hedh poshtë edhe këtë pretendim.
“Nga verifikimet e kryera konfirmohet se subjekti Agim Kajamaku ka patur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një process gjyqësor penal në zhvillim. Kjo, sepse ai është arrestuar në flagrancë dhe ka dalë para gjykatës greke ku i është bërë e ditur e gjithë procedura që do ndiqet ndaj tij. Nga ana tjetër rezulton se subjekti ka kryer veprime konkrete për fshehjen këtij fakti para autoriteteve shqiptare, duke ndryshuar në datë 30.3.2004 emër/mbiemër nga “Jorgo Toto” në “Agim Kajmaku”, si dhe duke mos e deklaruar këtë fakt në formularin e Vetëdeklarimit”, citon Abc News.
Partia Demokratike i ka kërkuar zyrtarisht kryeministrit Rama të shkarkoj kryebashkiakun e tij para se KQZ t’i heq mandatin pas shkresës së Prokurorisë së Përgjithshme.