BallinaKryesoreAksioni i “Vetëvendosjes” për të mos trazuar pushtetin e Edi Ramës

Aksioni i “Vetëvendosjes” për të mos trazuar pushtetin e Edi Ramës

spot_img
spot_img

Nga Ilir Nikolla

Në treg ka dalë sot edhe nisma populiste e krahut politik të Vetëvendosjes në Tiranë për të mbajtur një marshim në Tiranë, me 28 nëntor, një marshim për bashkimin kombëtar. Nisma nuk thotë asnjë fjalë për keqqeverisjen që po i bëhet aktualisht shtetit shqiptar dhe ndjek pikë për pikë linjën politikisht korrekte të Albin Kurtit, i cili në intervistat e tij të fundit që dha në Tiranë, pas takimit shumëorësh me Edi Ramën, u përpoq ta hante turpin me bukë e të thoshtë se me Edi Ramën ndante vizione, se do të bashkëpunonte ngushtë me të e se do ta bindtte të hiqte dorë nga korrigjimi i kufijve, paçka se ai vetë ishte i bindur se “Rama s’kishte qenë asnjëherë për ndryshimin e kufijvve”.
Proklamata e marshimit për bashkim kombëtar mbulohet me dëngla rreth “integrimit kombëtar”, një tjetër frazë-mushkë që synon të largojë disi zhurmën e antipropagandës që mund të bjerë mbi këtë thirrje, por edhe që qetëson vëzhguesit e pavëmendshëm që janë gati ta marrin seriozisht thirrjen e marshimit. Gjithçka, që nga thirrja, përgatitjet, data e shpalljes e deri tek data e mbajtjes së marshimit, bëhen me të njëjtat qëllime strategjike që u prodhuan në takimin shumëorësh të Edi Ramës me Albin Kurtin. Rama s’duhet të shqetësohet kurrsesi në këto orë të vështira të pushtetit të tij. Ojq-ja “Vetëvendosje” e Tiranës duhet të bëjë vetëm atë për të cilën i është dhënë leje, pra, të bëjë propagandë, të ndërmarrë nisma në kajde seminaresh e të luajë folklorin që mund të çojë ushqim tek magjja e Albin Kurtin. Për më tej, meazallah! Asnjë fjalë për Rama-Vuçiçin e Ohrit, asnjë fjalë pse qeveria e Edi Ramës s’ka mbajtur asnjë premtim të bërë në këto 6 vitet e fundit për rritjen e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën, asnjë fjalë për luftën e pisët tregtare që oligarkët e Ramës zhvillojnë ndaj biznesit të Kosovës, dhe – mos o Zot – asnjë fjalë pse shndërrimi i Shqipërisë në një Kanabistan po e dëmton rëndë procesin e forcimit të shtetësisë së Kosovës.
Këto “vija të bardha” e çojnë detyrimisht objektivin e ojq-së së Tiranës drejt të vetmes temë që u intereson të gjithë partizanëve të “status-quo”-së, drejt marrjes nëpërgojë të aspiratës së bashkimit kombëtar. Kjo aspiratë është shndërruar në një qyrk që e veshin të gjithë politikanët e Tiranës, Prishtinës e Shkupit sa herë janë në hall. Aktualisht, Albin Kurti i Prishtinës s’ka shumë nevojë për këtë qyrk, se tashmë ai i fitoi zgjedhjet dhe do t’i duhet pak punë që të marrë frenat e qeverisjes në dorë, por gjithsesi i duhet pak qetësi e pak “pakt mossulmimi” me kryeministrin në hall të Tiranës. Për këtë shkak, dega e tij “ojq” po e vesh qyrkun, dega e Tiranës po i vjen në ndihmë kryeministrit në hall. Skica e një bote të trazuar shqiptare, e cila s’gjen paqe e s’formon dot shtete të forta, se është e përçarë, se s’e lufton dot korrupsionin e implikimin me krimin e organizuar e narko-trafikun, se ende s’vepron dot në njësinë etnike shqiptare, është një asist i artë për qeverinë e izoluar të Tiranës dhe për klikën e vënë nën objektivin ndëshkues të agjencive më të mëdha ligjzbatuese ndërkombëtare.
Nisma populiste e “marshimit për bashkim” më 28 nëntor nuk i bën mirë as aspiratës për bashkim e as atmosferës së Ditës së Flamurit, festës kombëtare të të gjithë shqiptarëve. Ajo është një lojë me porta të vogla e disa politikajve që duan të fitojnë kohë e duan të bëjnë shërbime të vogla. Në fund të fundit, nga pjesëmarrja modeste e “marshimit” thjesht do të ringjallen tamtamet e “rrezikut të Shqipërisë së Madhe”, por edhe do të vijë tallja e Beogradit, si dikur, se “Shqipërinë e pushtojmë edhe me skuadrën e gjuetarëve të Serbisë”.
Folklori i ojq-së së Albin Kurtit në Tiranë i shërben vetëm Edi Ramës. Është ana tjetër e lojës folklorike të Erion Veliajt me flamurë dhe që të dyja anët synojnë të mbajnë në fokus edhe për një kohë të gjatë pushtetin e Edi Ramës dhe punën e pambyllur që ai ka nisur me Aleksandër Vuçiçin.
Aspirata për bashkim kombëtar kërkon shtete të forta shqiptare, shoqëri moralisht të fortë dhe përshpejtim reformash, për ta integruar vendin në BE. Lufta kundër hajnit në qeveri, kundër oligarkut që vjedh buxhetin dhe kundër kriminelit që vret për llogari të politikës është akti më i madh kombëtar që mund të bëjmë, jo veç me 28 nëntor, por ditë për ditë.
Ta lëmë vetëm ojq-në në detyrën e saj prej ojq-je do të ishte akti më kombëtar që do të bënim ditën e 107-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular