Pas banesave në Astir, vëmendja e qeverisë dhe bashkisë së Tiranës duket se është orientuar nga godina e Teatrit Kombëtar, aty ku aktivistë, aktorë dhe qytetarë protestojnë prej muajsh.
Mazhoranca duket se e ka gjetur edhe simbolikën për të ndërmarrë aksionin e rradhës: 17 Nëntorin, Dita e Çlirimit të kryeqytetit.
Lajmin e jep vetë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, që përmes një postimi në Facebook, shprehet se, sipas informacioneve paraprake, qeveria e Edi Ramës dhe bashkia e minionit të tij Erion Veliaj kanë synim të sulmojnë dhe shembin Teatrin Kombëtar.
“Me pretekstin e aktiviteteve që do të zhvillohen më 17 nëntor në Tiranë, do të bëhet bllokimi i rrugës dhe i zonës rreth Teatrit”, shkruan ndër të tjera AMT në reagimin publik.
Postimi i plotë i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit:
URGJENTE – Në datat 16 dhe 17 nëntor gati ta mbrojmë fizikisht Teatrin Kombëtar
Qytetare e Qytetarë të Tiranës e Shqipërisë!
Sipas informacioneve paraprake, qeveria e Edi Ramës dhe bashkia e minionit të tij Erion Veliaj kanë synim të sulmojnë dhe shembin Teatrin Kombëtar.
Me pretekstin e aktiviteteve që do të zhvillohen më 17 nëntor në Tiranë, do të bëhet bllokimi i rrugës dhe i zonës rreth Teatrit.
Me urgjencën që e kërkon ky rast ju bëjmë thirrje të gjithë juve që e lexoni këtë thirrje, të na ndihmoni që sëbashku ta mbrojmë deri në fund Teatrin si qytetarë të lirë të këtij vendi.
Kjo ndihmë konsiston në:
Rritjen e numrit të njerëzve që qëndrojnë me ne në turne gjatë ditës e natës veçanërisht në këto dy ditë. Në mbrëmjen e datës 16 deri drekën e datës 17 duhet të kemi prezencën e të paktën të 200-300 qytetarëve në zonën rreth e brenda ndërtesës;
Marrjen me vete të ujit e ushqimeve për t’i dalë përpara rrezikut të izolimit brenda ndërtesës.
Të gjitha alarmet që kemi shpërndarë përmes faqes sonë kanë rezultuar të vërteta.
Përdorimi i gazit lotsjellës si dhe i dhunës fizike, në episode të mëparshme tregon që metoda dhe mjetet që qeveria ka vendosur të përdorë kundër qëndresës qytetare mund të jenë të rënda.
Ju kërkojmë juve që do të paraqiteni në mbrojtje të Teatrit Kombëtar të mos të jeni të shoqëruar nga fëmijë apo të afërm që kanë probleme shëndetësore.
Komuniteti diplomatik në Tiranë me përjashtim të atyre që i nxjerrin publikisht gishtin e mesit protestuesve do të jetë i informuar në detaj për situatën dhe si për përshkallëzime të mundshme të saj.
Ne mobilizohemi që sot dhe ftojmë qytetarët e Tiranës, pavarësisht bindjeve të tyre politike, që të jenë me ne!
Situata është kritike, Teatri Kombëtar, shteti ligjor, trashëgimia historike dhe secili prej nesh është në rrezik.
Qëndresa 20-mujore e qytetarëve duhet me çdo kusht të fitojë mbi dhunën e pushtetit e cila e ka shfaqur qartë që nuk ka kufij dhe as respekt për jetën dhe të ardhmen tonë si popull e si shtet.
Po ra teatri, bie shpresa e fundit se gjërat do të ndryshojnë për mirë. Ndaj, të bashkohemi për të mos lejuar hajdutët e veshur me pushtet të shembin Teatrin Kombëtar e me të edhe demokracinë e shpresën në Shqipëri!