Eurodeputetja Doris Pack ka folur në lidhje me faktin se Arta Vorpsi u betua para noterit e jo para presidentit të Republikës.
Pack deklaron se ajo që ka ndodhur është një absurditet drejtësie, kurse shton se BE duhet të veprojë.
“Një absurditet drejtësie ne Shqipëri e emëruar në mënyrë antikushtetuese si gjyqtare kushtetuese, ajo zgjedh të betohet para një noteri publik jo para Presidentit te Republikës siç kërkon kushtetuta. BE duhet të veprojë!”, tha Pack.
Ndërkohë sot Doris Pack mori pjesë në një aktivitet me të rinjtë të organizuar nga kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas Shqiptare Albana Vokshi. Tematika ishte arsimi i lartë, emigrimi dhe sfidat më të cilat ballafaqohen të rinjtë shqiptarë sot.
Doris Pack ka reaguar edhe për situata të tjera në Shqipëri. Ai shkruan në “Twitter” se policia shqiptare ka arrestuar një grua 75 vjeçe vetëm pse ajo ka protestuar kundër ambasadorit Borchard, i cili në mënyrë të turpshme ngriti gishtin e mesit ndaj protestuesve.
“Ajo që ka ndodhur në Tiranë është e rëndë. Një grua e moshuar 75 vjeçe ka protestuar paqësisht kundër Borchard për shkak të gjestit të tij të turpshëm. Për këtë gjest, ajo u arrestua. Ku po shkon Shqipëria?”, shkruan Pack.
Po ashtu, Pack ka shkruar edhe për situatën e rëndë në “Astir”, duke thënë se policia shqiptare ka ndërhyrë brutalisht me gaz lotsjellës pa paralajmëruar, duke shkatërruar 33 shtëpi duke keqtrajtuar gratë, fëmijët. të moshuarit për një projekt rrugor korruptiv. Eurodeputetja nënvizon se nga kjo ndërhyrje brutale qindra vetë mbetën pa strehë.